Pas 13 vitesh pritjeje, videoloja Grand Theft Auto VI (GTA VI) është lançuar zyrtarisht, duke u bërë e disponueshme për lojtarët në mbarë botën në platformat PlayStation 5 dhe Xbox Series X.
Loja u bë e aksesueshme në mesnatë sipas orës lokale, çka bëri që përdoruesit në Azi të kenë mundësinë ta luajnë më herët se ata në SHBA dhe Evropë.
Në Zelandën e Re, një prej vendeve të para ku loja u publikua, kompanitë e internetit u përgatitën për një rritje të ndjeshme të trafikut në rrjet gjatë orëve të para të lançimit. Kjo për shkak të madhësisë së lojës, e cila arrin në 212 gigabajt, më shumë se një e katërta e konsumit mesatar mujor të internetit për një familje në këtë vend.
Kompania Rockstar Games përballet me pritshmëri të jashtëzakonshme, pasi seria GTA është kthyer në një fenomen global, si në aspektin komercial, ashtu edhe në atë kulturor.
Deri më tani, lojërat e kësaj serie kanë shitur rreth 470 milionë kopje në mbarë botën. Ndërkohë, GTA V arriti të gjenerojë 1 miliard dollarë shitje me pakicë vetëm tre ditë pas publikimit në vitin 2013.
Entuziazmi për lançimin e lojës është reflektuar edhe në tregjet financiare. Aksionet e Take-Two Interactive, kompania mëmë e Rockstar Games, u rritën me më shumë se 8 për qind një ditë përpara publikimit.
Ngjarjet e GTA VI zhvillohen në Vice City, një qytet imagjinar i frymëzuar nga Majami, në shtetin e sajuar Leonida, i cili bazohet në Florida.
Historia ndjek personazhet Lucia Caminos dhe Jason Duval, një çift që përfshihet në botën e krimit në përpjekje për të siguruar një jetë më të mirë.
Lucia, e cila ka qenë më parë në burg, dhe Jason, një ish-ushtarak, përfshihen në një seri aktivitetesh kriminale që marrin kthesa të papritura, në një botë të dominuar nga trafiku i drogës dhe rrjetet kriminale.
Sipas Rockstar Games, Leonida përfaqëson botën më të detajuar të hapur të krijuar ndonjëherë nga kompania, duke përfshirë jo vetëm Vice City, por edhe komunitete më të vogla dhe zona të njohura për jetën e natës, të frymëzuara nga Florida e Jugut.
Muzika mbetet një element thelbësor i përvojës GTA. Edhe versioni i ri pritet të përfshijë një kolonë zanore me artistë të njohur, mes tyre Tame Impala dhe SZA.
Megjithatë, seria Grand Theft Auto ka qenë shpesh objekt kritikash për përmbajtjen e saj, veçanërisht për paraqitjen e dhunës, krimit dhe përdorimit të drogës.
Pavarësisht polemikave, GTA VI konsiderohet një prej lançimeve më të mëdha të industrisë së videolojërave, me pritshmëri të larta për të përsëritur, apo edhe tejkaluar, suksesin e paraardhësit të saj.









































