Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, ndryshimet ligjore kalojnë në komisionet parlamentare

0
23

Pronat shtetërore do të mund të shkëmbehen me ato private të bizneseve të ndryshme. Ky vendim është pjesë e ndryshime ligjore të miratuara në komisionet parlamentare që rishikojnë aktin normativ për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta. Për qeverinë ligjërimi i shkëmbimit, vjen si rezultat i rasteve të ndodhura gjatë këtyre viteve, ku procedura e shkëmbimit është bërë me procedurë të posaçme, sepse ligji nuk e parashikonte. Këto ndryshime nuk kaluan pa debate të forta në komisionin e ekonomisë. “Do flas sa të dua. Ule zërin se po flas unë, pusho. Ligji për rregullimin e territorit është një ligj sektorial, dhe rregullimet në ligjin sektorial zoti Shalsi nuk mund ti rregullojmë me ligjin e privatizimit”, u shpreh deputetja e PD, Jorida Tabaku. Ndërsa deputeti socialist Erion Braçe kërkoi shpjegime se cilat prona mund të shkëmbehen. “Mund të më thoni rastet se kur mund të shkëmbehet prona, dhe kur nuk lejohet shkëmbimi me pronën private?”, pyeti ai. më pas fjalën e mori deputetja e PS, Blerina Gjylameti. “Kriteret për vlerësim e pronave që privatizohen apo shkëmbehet, format e privatizimit, mënyrat e shkëmbimit dhe rastet përjashtimore, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha deputetja Gjylameti. Po ashtu me ndryshimet e miratuara është vendosur që për projektet që do bëhen në prona shtetërore, kur duhet shembur objekti të paguhet aq sa është vlera e tij. Edhe në këtë pikë, sipas opozitës, fshihet pas interesi i bizneseve që duan të marrin pronat shtetërore. Pavarësisht debateve dhe akuzave në komision, projektligji u miratua me votat e mazhorancës dhe do të diskutohet në seancë plenare të enjten e 16 majit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here