Tre kampionë bote në tre vjet, të huajt lakmojnë shpërblimin financiar, Shqipëria do imazh

0
87

Të shumtë janë shqiptarët që kanë zgjedhur të përfaqësojnë ngjyrat e vendeve të tjera. Madje shqiptarët e kanë që herët këtë “rekord”, pasi në fillim të viteve 90-të, pothuaj i gjithë ekipi kombëtar i shtangës la Shqipërinë dhe iu bashkëngjitën Greqisë, ku fituan shumë medalje të rëndësishme e Pirro Dhima shkroi historinë duke fituar medalje në 4 olimpiada rresht, prej të cilave 3 ari e një bronzi. Medalje për Greqinë fituan edhe Luan Shabani, Viktor Mitro e të tjerë, si dhe hedhësja e shtizës Mirela Manjani që fitoi titull botëror. Për Zvicrën luajnë shumë shqiptarë, po ashtu për vendet nordike, SHBA-në, Kanadanë etj. ndërkohë që i “shërbejmë botës, duket se në vendin tonë ka rënie të madhe të të rinjve që angazhohen në sport dhe rezultate modeste. Për të rritur imazhin e sportit tonë në arenën ndërkombëtare, disa federata kanë zgjedhur të pajisin me pasaportë sportistë cilësorë të huaj, të cilët, të joshur nga VKM e qeverisë për shpërblimin me 100 mln lekë (thuajse 100 mijë euro), kanë pranuar të veshin fanellën kuqezi në garat ndërkombëtare.

Petrov, një rus që i jep medalje Shqipërisë

Kampioni i parë që u natyralizua me pasaportë është rusi Matvei Petrov. Ishte trajneri Alan Hasa që e bindi atë të përfaqësonte Shqipërinë dhe sportisti i ka sjellë vendit në gjimnastikë medalje europiane si dhe një kupë bote, por pa ia dalë të fitojë medalje në Olimpiadën e Tokios. 32 vjeçari mund të sjellë surpriza të tjera në vijim, pasi në garën e preferuar të tij, atë të kalit me doreza ka shumë kualitet. Sportisti i lindur në Rusi, por i natyralizuar shqiptar, është niveli më i lartë i përfaqësimit të gjimnastikës shqiptare.

Abakarov, një çeçen për Kombëtaren e Shqipërisë

Për të rritur cilësinë në garat ndërkombëtare, edhe mundja solli në gjirin e saj dy sportistë cilësorë, të ardhur nga republikat autonome të federatës ruse. Konkretisht, Islam Dudajev, si dhe Zelimkhan Abakarov. Të dy kanë fituar medalje të rëndësishme, por Abakarov ia doli të fitojë titullin botëror pak muaj më parë, në Botërorin e luajtur në Beograd. Mundja shqiptare ka pasur mundës të shkëlqyer në të dy stilet e saj, madje me performancë cilësore edhe jashtë shtetit, por s’kishin arritur asnjë herë nivel kaq të lartë ndërkombëtar. Abakarov tani mund të përfitojë sipas ligjit shpërblimin që i jep VKM-ja, pasi ai është me pasaportë shqiptare.

Kolturi, një skiatore që la Italinë për Shqipërinë

Një mosmarrëveshje e mamasë së saj me federatën italiane të skive, bëri që Lara Kolturi të gjejë akordin me federatën tonë të skive dhe sot sportistja e re italiane i ka sjellë vendit tonë një medalje ari në Botërorin e të rejave që po zhvillohet në Austri, një medalje që as nuk mund të mendohej më parë nga federata jonë e skive, sepse Shqipëria nuk ka kushte për të pasur një sport të tillë të zhvilluar. Të gjithë këta sportistë që i kanë sjellë vendit medalje kanë një emërues të përbashkët: shpërblimin që jep shteti shqiptar për sportistët elitarë që kthehen me medalje në garat e mëdha europiane e botërore. Në aspektin e imazhit kjo është pozitive, por specialistë të ndryshëm thonë se kjo nuk e përmirëson aspak cilësinë sportive brenda vendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here