Komedia “Martesa”, një lojë gazmore për publikun te amfiteatri i Liqenit të Tiranës

0
197

Komedia “Martesa” këtë mbrëmje shënon natën e fundit për publikun te amfiteatri i liqenit të Tiranës. Komedia është përmbledhja e 5 pjesëve: “Martesa”, “Tragjik pa dashje”, “Ariu”, “Propozimi”, për t’u mbyllur me “Këngën e mjellmës”, e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën. Një nostalgji lirike, që përshkruan gjithë krijimtarinë e dramaturgut Anton Çehov, e cila vjen nën regjinë e Driada Dervishit. Një lojë e madhe gazmore, një dasëm ku do ti gjeni të gjithë. Një nuse qeflie, dhe një dhëndër koprac, një vejushë që është betuar të mbajë zi por bie prapë në dashuri, një propozim për martesë, një martesë e konsumuar, një martesë e kurdisur. Produksion i teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, vepra e autorit Anton Çehov, me regji nga Driada Dervishi u shfaq edhe në datat 21 dhe 22 maj. Në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Adelina Muça, Gentian Zenelaj, Xhejni Fama, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Andia Xhunga, Gjergj Doçi, Alesia Xhemalaj dhe Jaho Guma. Në dy net, gjithçka ndodh në një martesë nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac. Gjen një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar se si do të jetë pas një viti martese jeta e tij. Po aty gjen një vejushë, që është betuar të mbajë zi për gjithë jetën, e që për ironi bie në dashuri me borxhliun e bashkëshortit. Fqinji i familjes, pikërisht në këtë dasmë gjen rastin të kërkojë dorën e mbesës, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja. Koreograf Elton Cefa, drejtor fotografia Daniel Dervishi, kostumografia Driada Dervishi dhe Adelina Muça. Udhëheqëse vokale mazzo-soprano Olta Juba. Anton Çehov është konsideruar si një nga tregimtarët më të mirë të të gjitha kohërave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here