Shfaqja “Unë Mephisto”, koreografi Gjergj Prevazi: Me koncept, regji e dramaturgji që kumton ide sa universale aq edhe lokale

0
269

Shfaqja “Unë Mephisto” nën regjinë e boshnjakut Dino Mustafic, është një projekt artistik që vjen si bashkëpunim ndërballkanik me artistë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Serbia. Shfaqja shënoi premierën në ditët e fundit të vitit që lamë pas, por ndërkohë vijon për publikun në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pranë “ArTurbina”, si e vetmja këto ditë janari për publikun në skenën teatrore. Për herë të parë në Shqipëri, flitet përmes artit për fenomenin “Mephisto” në skenën e teatrit. Bazuar dhe inspiruar nga Goethe & Klaus Mann dhe nga eksperiencat individuale të çdokujt në shoqëri vjen për spektatorin shfaqja “Unë Mephisto”.  Për koreografin Gjergj Prevazi është një produksion teatror plot risi. “Me koncept, regji e dramaturgji që kumton ide sa universale aq edhe lokale. Ajo i përket estetikës postmoderne, duke shfrytëzuar disa mediume njëherazi në shërbim të një arkitekture të brendshme mjaft të zhdërvjellët, me dinamikë dhe intensitet të lartë”, thotë ai. Koreograf në “Unë Mephisto”, ku producente është aktorja e njohur Ema Andrea, Prevazi shton më tej se kjo shfaqje autoriale e regjisorit të mirënjohur Dino Mustafi?, është e ndërtuar me dramaturgji të fragmentarizuar, ku çdo copëz e huazuar nga Goethe, Mann, Neziraj, Piroli, ka narracion të mbyllur në vetvete, ndonëse personazhet e Mephistos dhe Faustit ( shpeshherë personazh i nënkuptuar si i tillë) janë prezent në rrethana e situata të ndryshme në secilën prej tyre, duke shërbyer edhe si bashkëlidhje e fragmenteve me idenë qëndrore. “Kjo e bën shfaqjen sa konceptuale po aq edhe narrative. Prezenca e dy personazheve, shpeshherë ofrohet si bashkëegzistencë e dy fenomeneve, e dy botëve aq larg dhe afër njëra- tjetrës. Këto dy qasje për mënyrën se si njerëzit e të gjitha kohërave e kanë parë botën, shfaqet sigurisht edhe në realitetin tonë me vrazhdësinë që na karakterizon”, thotë koreografi.

Në shërbim të teatrit

 Në Teatrin Kombëtar Eksperimental bëhet me dije se shfaqja rikthehet në skenë në datat 14, 15 dhe 16 janar për të vijuar më pas dhe net të tjera. Koreografi Gjergj Prevazi thotë se “Unë Mephisto” ngre nivelin estetik në teatrin tonë. “Kjo shfaqje besoj se i bën shërbim të madh teatrit shqiptar në përgjithësi, duke ngritur nivelin e tij estetik dhe performativ në një shkallë të re, më të lartë, më bashkëkohore dhe më kompetitive në skenën ndërkombëtare”, thotë ai. Shkruar nga Johan Wolfgan Von Goethe, Klaus Mann, Jeton Neziarj, Paul Eluard, Goran Simic, Klaudia Piroli, Musine Kokalari. As/regjisore Melisa Novosel, koreografia Gjergj Prevazi, kompozitore Irena Popovic, kostumografia Iliriana Basha, graphic design Sara Kapo. Në skenë janë aktorët Ilire Vinca, Ema Andrea, Ermir Jonka, Rafael Hoxhaj, Matia Llupa, Krist Lleshi, Ilia Kaçi, Florist Bajgora, Enisa Hysa, etj. Sipas koreografit Prevazi loja skenike është thuajse totale. Aktrimi, kërcimi, muzika e kënduar, loja me instrumente dhe imazhi thotë ai kanë synuar të veprojnë , siç thotë Fokin “krah për krah”, brenda një strukture dramatike, që i qëndron fort konceptit regjisorial. Kjo shfaqje vjen si bashkëpunim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe M.A Multidiciplinary Arts me regjinë e të mirënjohurit Dino Mustafic.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here