Ronaldo presion Junajtid: S’kam ardhur këtu për ta mbyllur kampionatin në vendin e shtatë

0
207

Sulmuesi portugez është parë i pakënaqur me ecurinë e “djajve të kuq” anglezë, mes tij dhe trajnerit Ragnik ka mospërputhje mendimesh

Referuar Sky Sports”, portugezi Kristiano Ronaldo, thotë se nuk është e pranueshme për të që Mançester Junajtid të synojë më pak se një prej tri pozitave të para në Premier League, dhe paralajmëroi se ai nuk është kthyer në klub për të luftuar për vendin e shtatë në tabelë. Sulmuesi 36-vjeçar u transferua në “Old Trafford” në fillim të këtij edicioni nga Juventusi dhe me ekipin anglez firmosi kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Junajtid këtë edicion ka zhgënjyer dhe e zëvendësoi Ole Gunar Solskjaerin me Ralf Rangnik, në muajin dhjetor pas humbjeve të rënda ndaj Leicesterit, Liverpulit dhe Uatfordit. Ronaldo ka insistuar se Mançester Junajtid ka forcën e duhur për t’i kthyer gjërat në favor të vetin dhe se sezonin ta mbyllë në pozitën që e synon portugezi. Ai dëshiron që edhe sezonin e ardhshëm të luajë në Ligën e Kampionëve. Sipas tij, Junajtid duhet prej ndeshjes së ardhshme të japë sinjale për të gjithë kundërshtarët. “Ne jemi të aftë t’i ndryshojmë gjërat tani. Unë e di rrugën, por nuk do ta përmend këtu, sepse nuk mendoj se është etike nga ana ime ta them këtë. Ajo që mund të them është se ne mund të bëjmë më mirë – të gjithë ne. Mançester Junajtid u përket gjërave të rëndësishme, kështu që ne duhet ta ndryshojmë atë. Nuk dua të jem këtu për të qenë në vendin e gjashtë, apo të shtatë, apo të pestë. Unë jam këtu për të provuar të fitoj, për të konkurruar”, ka insistuar Ronaldo. “Unë mendoj se ne konkurrojmë, por nuk jemi ende në nivelin tonë më të mirë. Por ne kemi një rrugë të gjatë për t’u përmirësuar dhe besoj se nëse ndryshojmë qasje, mund të arrijmë gjëra të mëdha”. I pyetur nëse Junajtid mund të shpresojë ta shkrijë diferencën me rivalët e tij në top katërshe pa mentalitetin e duhur, Ronaldo tha: “E pamundur – mendoj se mentaliteti është pika kryesore. Nuk e pranoj që mentaliteti ynë të jetë më i vogël se të jemi në top treshen e Premier League. Unë mendoj se për të ndërtuar gjëra të mira, ndonjëherë duhet të shkatërrosh disa gjëra. Pra pse jo – viti i ri, jeta e re dhe shpresoj që Mançester Junajtid të jetë në nivelin që duan tifozët. Ata e meritojnë këtë”, theksoi më tej Ronaldo. Portugezi foli më pas largimin e Solskjaerit dhe ndryshimet në pankinë. “Unë u zhgënjeva, por ne duhet ta kuptojmë klubin. Ishte e vështirë, por jeta vazhdon. Por unë ende besoj se ne jemi të aftë për të bërë një sezon të mirë. E dimë që nuk jemi në momentin më të mirë, por besoj se duke punuar shumë mund të arrijmë gjëra të rëndësishme, edhe këtë vit”, përfundoi Ronaldo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here