Google search engine
Home Bota Samiti SHBA-Kinë-Rusi/ Analiza e “La Repubblica”: Pse takimi në Shenzhen nuk është...

Samiti SHBA-Kinë-Rusi/ Analiza e “La Repubblica”: Pse takimi në Shenzhen nuk është një ‘Jaltë 2

0
11

Samiti trepalësh në Shenzhen, Silicon Valley e Kinës, nuk do të jetë një Jaltë 2.0, siç kanë hamendësuar disa me një nxitim të tepruar historik dhe gjeopolitik. Kinezëve nuk u pëlqen ky krahasim, edhe për faktin se në vitin 1945 Kina u përjashtua, pavarësisht kontributit të rëndësishëm në mposhtjen e Japonisë, ndërsa Jalta u kujton atyre periudhën e gjatë të nënshtrimit ndaj Bashkimit Sovjetik.

Një krahasim i tillë do t’i pëlqente, përkundrazi, Donald Trumpit, për të kënaqur egon e tij të jashtëzakonshme dhe pasionin për vetëpëlqim e vetëlavdërim, veçanërisht pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e mesmandatit. Edhe më shumë do t’i pëlqente Vladimir Putinit, i cili dëshiron të fshijë imazhin e një të përjashtuari nga skena ndërkombëtare, që e shoqëron që prej pushtimit të Ukrainës.

Në fakt, këshilltari i tij, Yuri Ushakov, iu referua frymës së Jaltës, duke deklaruar se samiti trepalësh në Shenzhen ishte vendosur “duke marrë parasysh aleancën e tre vendeve tona gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për të theksuar bashkëpunimin në ndërtimin e Kombeve të Bashkuara”.

Por vendi pritës është Kina dhe është Xi Jinping ai që përcakton vijën e takimit. Kjo jo vetëm për arsye të etikës diplomatike, por mbi të gjitha për shkak të gjendjes politike të pjesëmarrësve. Nga Pekini është bërë e ditur se takimi i sotëm mes tre liderëve synon të “stabilizojë marrëdhëniet mes fuqive kryesore dhe jo të ndajë botën”.

Nëse samiti i sotëm nuk mund të jetë një Jaltë e re, cilat janë objektivat e tre protagonistëve? Duke vëzhguar dhe interpretuar atë që ndodhi dje, në një prag takimi të pasur me zhvillime dhe sinjale, mund të përpiqemi të japim disa përgjigje, në pritje të komunikatës përfundimtare. Nëse do të ketë një të tillë.

Ushakov ka deklaruar se hartimi i një teksti të përbashkët kërkon “një punë të vështirë diplomatike”, ndërsa pala kineze është treguar mjaft e përgjithshme, në mungesë të një axhende të dakordësuar, duke folur për një “shkëmbim të thelluar pikëpamjesh për ruajtjen e paqes botërore dhe stabilitetin e marrëdhënieve mes fuqive të mëdha”.

 Dje, Xi Jinping bëri të qarta prioritetet e tij dhe vizionin për një podium ideal të fuqive botërore. Presidenti kinez shkoi vetë në aeroport për të pritur Donald Trumpin, duke e përqafuar në këmbët e shkallëve të avionit, një gjest që zakonisht ia rezervonte Putinit.

Që prej vitit 1959, kur Mao Ce Duni priti Nikita Hrushovin, asnjë lider kinez nuk kishte shkuar në aeroport për të pritur një vizitor të huaj. Ky trajtim i jashtëzakonshëm nuk mund të shpjegohet vetëm me faktin se në shtator Trump kishte thyer gjithashtu protokollin, duke pritur Xi Jinpingun në bazën ajrore Andrews.

Presidenti kinez nuk ka dashur thjesht t’i kthejë një kortezi homologut amerikan. Ai ka synuar t’i tregojë botës se i konsideron Shtetet e Bashkuara dhe Kinën në të njëjtin nivel, si dy partnerë të barabartë, të destinuar të bashkëpunojnë, por edhe të konkurrojnë me njëri-tjetrin.

Ky mesazh bëhet edhe më i fortë dhe më i qartë kur krahasohet me pritjen që iu rezervua Putinit. Në aeroport, presidentin rus e priti Cai Qi, një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Xi Jinpingut, i konsideruar si një zëvendësues i tij në këtë përfaqësim.

Edhe pse më pas u zhvillua një takim dypalësh, gjatë të cilit presidentët kinez dhe rus përsëritën ritualet e zakonshme, me gjeste dhe fjalë, të “miqësisë pa kufij”, dita e djeshme tregoi se Xi Jinping e konsideron gjithnjë e më shumë Putinin si një “partner të nivelit të dytë”, të dobishëm, por jo të domosdoshëm.

Edhe bota e biznesit e konfirmoi këtë vlerësim. Të mbledhur në Shenzhen, në një konferencë të zhvilluar në kuadër të samitit të krerëve të shteteve, drejtues të lartë të disa kompanive shumëkombëshe dëgjuan fjalimet e Xi Jinpingut dhe Vladimir Putinit.

Kur foli Xi, i cili hodhi disa kritika të tërthorta ndaj Trumpit, duke përshkruar “një botë të trazuar”, ku unilateralizmi dhe proteksionizmi janë “në rritje të shpejtë”, salla ishte plot dhe publiku dëgjonte me vëmendje. Ndërsa gjatë fjalimit të Putinit, salla ishte gjysmë e boshatisur.

Ngjarjet dhe fjalimet e pragut të samitit kanë paralajmëruar tashmë një përfundim: izolimi politik dhe dobësia ekonomike e Rusisë po bëhen gjithnjë e më të theksuara.

Gjatë fjalimit të tij në forumin ekonomik të Shenzhenit, Putini u përpoq ta përmbyste këtë perceptim, duke sulmuar Evropën dhe duke pretenduar se sanksionet dëmtojnë më shumë ata që i vendosin sesa ata që i vuajnë. Ai gjithashtu mburrej me një sërë marrëveshjesh me vende aziatike dhe afrikane.

Megjithatë, ndërhyrja e tij u duk thjesht mbrojtëse, sikur po përpiqej të shpëtonte një situatë të vështirë. Siç shprehet analisti i njohur Alexander Gabuev, drejtor i Carnegie Russia Eurasia Center në Berlin: “Rusia nuk është më në të njëjtën ligë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, përveç rastit kur ajo konsiderohet e tillë vetëm për shkak të arsenalit të saj bërthamor”.

Putini duket se është i vetëdijshëm se armët bërthamore janë si anabolikë për muskujt e tij. Për këtë arsye, ai e ka shndërruar udhëtimin në Kinë në një demonstrim force, duke u shoqëruar gjatë udhëtimit nga dy bombardues strategjikë TU-95MS, të aftë të transportojnë bomba atomike, të cilët më pas u ulën në Da Nang të Vietnamit.

Për ata që besojnë te përsëritja e historisë, vlen të kujtohet se gjatë luftës, Da Nang ishte baza më e rëndësishme ushtarake amerikane.

Përfundimi që del nga sinjalet e shumta të mbërritura në prag të samitit është se takimi në Shenzhen, më shumë sesa një përsëritje e Jaltës, përfaqëson përmbysjen e saj. Ai shënon përfundimisht fundin e ekuilibrave botërorë që Jalta kishte përcaktuar.

Vendi që 81 vite më parë ishte përjashtuar, Kina, sot shfaqet si fuqia më e konsoliduar dhe në ngjitje, me një lider që po tregon gjithnjë e më shumë vendosmëri, po shkon drejt mandatit të katërt dhe synon të formësojë e të drejtojë një rend të ri botëror.

Ndërkohë, presidentët e dy fuqive që ishin pjesë e Jaltës, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, kjo e fundit tashmë një trashëgimtare e dobësuar e Bashkimit Sovjetik, janë dy liderë politikisht të dobësuar.

Njëri është goditur nga një humbje elektorale, e cila e bën më pak të besueshëm, por njëkohësisht edhe më të paparashikueshëm. Tjetri është dobësuar nga një luftë që mendonte se do ta përfundonte brenda pak javësh, por që nuk arrin ta fitojë prej gati pesë vitesh.

Pamja e shkurtër që do të përkujtojë samitin e Shenzhenit do të jetë shumë më e paqartë se ajo e qartë dhe emfatike që e përjetësoi Jaltën./La Repubblica

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here