Qeveria shtyn afatin e bonove të privatizimit, do përdoren për legalizimet dhe pronat deri në vitin 2023, ja detajet

0
295

Qeveria ka vendosur të shtyjë afatin e bonove të privatizimit. Tashmë çdo posedues i tyre ka të drejtë ti përdorë deri në vitin 2023, qoftë në ankandet për objektet shtetërore, por edhe në pagesën e faturës për legalizimin e banesave. Në relacionin që shoqëron draftin e dorëzuar në Kuvend thuhet se nisma ka ardhur nga Avokatura e Shtetit ku së pari renditet zgjidhja e rasteve kur shteti shqiptar ka detyrim kthimin e bonove të privatizimit në zbatimin të vendimeve të gjykatave. “Ndryshimi që propozohet të bëhet në ligjin nr.7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit)”, dhe dekretit nr.1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr.1030, datë 23.2.1995”, të ndryshuar, vjen në vijim të angazhimit të marrë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me shkresën nr.12770/5 prot., datë 4.11.2021, në përgjigje të kërkesës së Avokaturës së Shtetit lidhur me dhënien e zgjidhjes përfundimtare të rasteve kur shteti shqiptar ka detyrim kthimin e bonove të privatizimit në zbatim të një vendimi gjykate”, thuhej në relacion.

Përdorimi nga ish-pronarët

Një tjetër formë që mund të paguhet detyrimi përmes bonove është dhe prej ish-pronarëve. Ish-pronarët kanë të drejtë të blejnë një objekt të ndërtuar mbi tokën e tyre, përpara se qeveria ti hedhë në ankand. Ky ndryshim do të shërbejë edhe në procesin e privatizimit me të drejtë parablerjeje për ish-pronarët e truallit, si dhe subjektet që kanë objekte me kontrate qiraje apo enfiteoze, si dhe në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale nëpërmjet ASHK-së. Aktualisht në tregun e lirë bonot e privatizimit tregtohen me 6 deri në 10 për qind të vlerës së tyre, kjo në varësi të kërkesave për legalizimin e ndërtimeve informale apo ankandeve të publikuara prej qeverisë. “Meqenëse në procesin e privatizimit të pronës shtetërore ende vazhdon të mos jetë përfshirë një numër i konsiderueshëm objektesh kryesisht në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo dhe të organeve të pushtetit vendor etj., si dhe duke gjykuar se shumë prej këtyre objekteve shtrihen në pronat e ish-pronarëve të njohur apo kthyer me vendime të kthimit dhe kompensimit të pronave, mendojmë se mund të vazhdojnë lehtësirat për ish-pronarët, duke e likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve në rast parablerjeje me bono privatizimi (lekë privatizimi). Ky projektligj është në përputhje me rendin juridik të brendshëm. Për zbatimin e zbatimin e këtij ligji ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Projektligji është hartuar e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë”, thuhet në relacion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here