Teknologjia në zgjedhje, KQZ kërkon 5200 identifikues: Nuk ka profesionistë për pajisjet

0
232

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kërkon 5200 persona të cilët do të përdorin pajisjet e identifikimit elektronik të votuesve. Partitë po përplasen, pasi PS thotë se kjo nuk duhet bërë nga komisionerët politikë, ndërsa PD e sheh me rezervë zgjidhjen e Ilirjan Celibashit që këtë shërbim ta zgjidhë përmes një tenderi.

Po ku do të gjenden ata? Ideja e parë, është që një prej komisionerëve të trajnohet dhe ta përdorë pajisjen, por Partia Socialiste, është kundër. Përfaqësuesit e saj, i thanë ABC se detyrat e komisionerëve janë të qarta në Kodin Zgjedhor dhe përdorimi i kësaj makine nuk është detyrë e komisionerëve të partive.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i tha ABC-së, se në këto kushte kur partitë nuk bashkëpunojnë, ky shërbim mund t’i jepet një kompanie private. “Do të jetë në përdorim të një personi që do të caktohet nga KQZ, mundet që ta kryejë edhe një palë e tretë, që ka ofruar pajisjet për KQZ ose një kompani tjetër, që mund ta ofrojë si shërbim” tha ai.

Por Partia Demokratike është skeptike për këtë zgjidhje. Burime nga selia blu thanë se kjo gjë më rëndësi nuk mund t’i lihet kaq lehtë një kompanie private, ndërsa më e mundshme sipas tyre, është të trajnohen më herët komisionerët e partive. Por partitë, nga frika se komisionerët shiten dhe blihen, i emërojnë natën e fundit përpara zgjedhjeve. Në këto kushte, Ilirjan Celibashi është sërish në një udhëkryq të ri, ku duhet ti bëjë partitë bashkë, që 17 mln eurot e shpenzuara për të blerë makinat smartmatic, të mos kthehen në mollë sherri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here