Google search engine
Home Politike Veliaj kërkon komision hetimor për Ramën: Të hetohen kërcënimet ndaj meje, jam...

Veliaj kërkon komision hetimor për Ramën: Të hetohen kërcënimet ndaj meje, jam gati të dëshmoj nën betim

0
8

Pas kërkesës për të marrë pjesë dhe për të folur në Asamblenë e Partisë Socialiste, Erion Veliaj ka ndërmarrë një tjetër lëvizje përballë kryeministrit Edi Rama. Këtë herë, kryebashkiaku i Tiranës kërkon që vetë mazhoranca socialiste të nisë një hetim parlamentar për ndërhyrjet dhe kërcënimet që ai pretendon se janë ushtruar ndaj tij nga kreu i qeverisë, përmes ministrit të Drejtësisë.

Në një deklaratë publike, Veliaj njofton se i është drejtuar zyrtarisht kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor. Ai kërkon të hetohet nëse transferimi i tij nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur për ta detyruar të japë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.

“Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.

Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit”, deklaron Veliaj.

Kryebashkiaku shprehet i gatshëm të paraqitet përpara Kuvendit dhe të dëshmojë nën betim. Ai kërkon ballafaqim me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, si dhe që Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.

“Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.

Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari”, vijon Veliaj.

Në deklaratën e tij, Veliaj bën të ditur se për pretendimet e ngritura ka njoftuar edhe institucione ndërkombëtare dhe përfaqësuesit diplomatikë në Shqipëri, ndërsa kërkon ruajtjen e provave që mund të lidhen me çështjen.

“Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.

Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik”, përfundon Veliaj.

Kjo është sfida e radhës e Veliajt për Ramën. Një ditë më parë, ai kërkoi të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të parashikuar për më 14 nëntor, duke sinjalizuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga roli i tij në strukturat drejtuese të socialistëve.

Veliaj ju drejtua Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi dhe prokurorit të çështjes në SPAK, duke kërkuar që t’i garantohet pjesëmarrja fizike në Asamble ose, në pamundësi të saj, përmes një lidhjeje me videokonferencë. Ndërkohë pas Klosit, ka vënë në provë Taulant Ballën

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here