Hetimi i të ngelurve në veting/ Angazhohen prokuroritë e rretheve, KPK gati dosjet për të gjithë emrat

0
121

Duke qenë se pas Bashkimit Europian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë me ngulm hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting, pritet që në lojë të futen prokuroritë e rretheve. Sipas ligjit, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit heton gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Por gazeta ka mësuar se pas presioneve të ndërkombëtarëve pritet që ndaj të ngelurve në veting, pra ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të thjeshtë të nisë hetimi nga prokuroritë e rretheve. Mësohet se këto prokurori do të nisin fillimisht hetimet për gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur gjatë procesit të vetingut dhe nëse do të shihet se ata kanë konsumuar vepra penale si pastrim parash, apo korrupsion, në lojë do të hyjë SPAK për të çuar përpara hetimet, me qëllim çuarjen përpara drejtësisë së tyre. Po ashtu, mësohet se një ndihmë në këto hetime do të japë edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke qenë se ajo i ka dosjet e të ngelurve në veting gati dhe madje një pjesë të tyre e ka dorëzuar tashmë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Kjo do të thotë që shumë shpejt pritet të nisë hetimi i të ngelurve në veting. Ndërkohë gazeta ka kontrolluar të gjitha vendimet që ka zbardhur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ku tregohet qartë se pjesa dërrmuese e të përjashtuarve nga sistemi kanë kryer vepra penale. Përveç atyre që janë përjashtuar për kontakte me krimin apo aftësive profesionale, të gjithë që kanë ngelur për shkak të pasurisë kanë kryer krime. Të gjithë këta rrezikojnë të akuzohen për fshehje dhe mosdeklarim të të ardhurave. “Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet në nenin 257/a të Kodit Penal. Po ashtu rezulton se disa kanë bërë falsifikim formulari, falsifikim dokumentesh dhe kanë kryer shkelje me kreditë. Disa kanë mashtruar bankat me kreditë, ndërsa disa kanë përfituar kredi të butë në shkelje të ligjit. Një pjesë rezulton se kanë kryer evazion fiskal, pasi duke mashtruar me sipërfaqet e pronave kanë shmangur taksat.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj