Rikonstruktohet aksi që lidh Izvorin me Memaliajn/ Çuçi: Lehtësi e madhe për fermerët, rikthehemi me një premtim të mbajtur

0
279

Rruga kryesore e njësisë administrative Luftinjë në Bashkinë Memaliaj, që të çon drejt fshatit Izvor është rikonstruktuar plotësisht. Për të parë nga afër këtë investim rreth 100 milionë lekë të qeverisë shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit ishte në Izvor ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi. Në një takim me banorë dhe fermerë të Luftinjës, ai tha se rikonstruksioni i këtij aksi është një premtim i mbajtur dhe një investim që i vlen të gjithë kësaj zone, e cila ka të zhvilluar kryesisht blegtorinë, vreshtarinë dhe mbledhjen e bimëve medicinale.

“Nuk kam dashur të vij pa mbajtur fjalën. Kemi qenë këtu kur premtuam rrugën, bëmë dhe një takim me kryeministrin. Ai e “vulosi” premtimin për rrugën deri në Izvor. Sot jemi rikthyer me një premtim të mbajtur dhe besoj se lezetin e kësaj rruge më shumë se askush po e ndjeni ju. E kuptoni vetë se çfarë torture keni hequr për vite me radhë për të komunikuar me Memaliajn dhe më gjerë. Nëse më parë duhej rreth një orë nga kthesa e Luftinjës deri në Izvor, sot e bën për rreth 15 minuta”, tha ministri Çuçi. Punimet për rrugën e re të Izvorit, përfunduan në verë të këtij viti. Për më shumë se 30 vjet nuk ishte kryer asnjë ndërhyrje në këtë aks të rëndësishëm për rreth 37 fshatra të njësisë administrative Luftinjë. Banorët e kishin të vështirë të komunikonin me qendrat urbane, të nxirrnin prodhimet te tyre në treg apo të trajtonin urgjencat mjekësore. Të enjten në Parlament ministri Çuçi premtoi më shumë mbështetje për bujqësinë. Duke folur për buxhetin 2021, ai tha se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të ketë për vitin 2021 një buxhet 12.8 miliardë lekë, 20% më të lartë se viti 2020. Sipas tij, kryefjala është fondi shtesë prej 1 miliard lekësh për të zbatuar skemën e naftës pa taksa për punimet në bujqësi. “Përmbushim në këtë mënyrë një zotim tonin, si dhe ndihmojmë rreth 70 mijë fermerë në të gjithë vendin për të ulur koston e prodhimit. Përjashtimi nga barra fiskale i naftës së përdorur për punime bujqësore është një hap i guximshëm, por i domosdoshëm për t’i dhënë sektorit bujqësor një tjetër mbështetje në mënyrë që të rrisim prodhimin, të rrisim mekanizimin e aktivitetit bujqësor, konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore dhe të formalizojmë më tej sektorin. Nafta pa taksa për fermerët është një ndër objektivat strategjikë të buxhetit të vitit 2021, të cilin ne do ta realizojmë përmes fondit që kemi në dispozicion dhe me një skemë funksionale”, tha ministri Çuçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here