A është Arben Kraja sigurims dhe hetues i komunizmit? Vjen reagimi i fortë i KLP për kreun e SPAK: I kemi ndjekur me shqetësim reagimet publike…

0
296

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar pas akuzave se kreu i SPAK, Arben Kraja, ka qenë hetues i komunizmit. KLP sqaron se të gjithë prokurorët e SPAK janë hetuar imtësisht për të kaluarën e tyre.

Reagimi i plotë:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur reagimet publike që kanë shoqëruar krijimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe zgjedhjen e kreut të saj. Në çdo rast ne priremi t’i konsiderojmë këto reagime si tregues të shqetësimeve të opinionit publik, të cilat meritojnë vëmendjen tonë.

Duam të kujtojmë se procesi i përzgjedhjes së prokurorëve të SPAK zgjati plot 9 muaj. Në përfundim të atij procesi konkurrues e transparent, ne jemi të bindur se kemi bërë më të mirën për të garantuar suksesin thelbësor të SPAK përmes përzgjedhjes të prokurorëve më të mirë.

Nga ana tjetër, në një përpjekje për të krijuar atmosferën e duhur të besimit tek institucioni i ri, ne kemi bërë çmos për ta përfshirë publikun dhe të gjithë faktorët institucionalë në proceset vendimmarrëse të Këshillit për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme.

E kuptojmë se e shkuara personale dhe profesionale e prokurorëve të SPAK është e rëndësishme për suksesin e tyre dhe të institucionit. Po ashtu ne e kuptojmë se suksesi i SPAK nuk do të përcaktohet thjesht dhe vetëm nga avantazhet procedurale dhe organizative të tij në krahasim me strukturat pararendëse. Imazhi publik i institucionit të ri dhe besimi që ai duhet të ngjallë tek publiku i gjerë janë gjithashtu thelbësorë.

Pikërisht në funksion të garantimit te këtij besimi, pa të cilin institucionet e drejtësisë nuk mund të funksionojnë, Shqipëria, ndër vite ka miratuar ligje dhe ka ngritur institucione të specializuara të cilat hedhin dritë mbi të kaluarën e prokurorëve të SPAK. E kaluara e tyre është hetuar imtësisht në 4 rrafshe:

(i) Është verifikuar nëse kanë bashkëpunuar me strukturat famëkeqe të ish – sigurimit të shtetit në periudhën 29.11.1944 deri në 02.07.1991;

(ii) Është verifikuar nëse kanë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar gjatë periudhës së punës si prokurorë;

(iii) Është verifikuar nëse pasuria e tyre është e ligjshme; dhe

(iv) Është verifikuar nëse aftësitë e tyre profesionale janë të përshtatshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.

Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, kanë kaluar me sukses verifikimet e sipërpërmendura. Ata janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri. Madje, kalimi i këtyre testeve ka qenë një parakusht për të marrë pjesë në garën e organizuar nga Këshilli për përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Më tej prokuroret e SPAK janë përzgjedhur midis shumë të tjerëve në një proces konkurrues dhe transparent.

Të gjithë faktorët që parashikon ligji për kontrollin e figurës së prokurorëve janë kontrolluar në detaje. Pretendimet që ngrihen nuk janë ligjore por mendime të cilat në asnjë rast nuk mungojnë në diskursin publik. Ato janë gjithnjë të mirëpritura por nuk janë kurrsesi shkas për ngritjen e dyshimeve mbi legjitimitetin juridik e moral të prokurorëve të SPAK.

Prokurorët e SPAK meritojnë mbështetjen dhe besimin e të gjithëve deri në provë të kundërt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here