Shfaqja e fundvitit e Teatrit të Operës dhe Baletit është grand gala “Alles Walzer”. Grand gala do të zhvillohet më 28 dhjetor në Pallatin e Kongreseve dhe të ardhurat nga biletat do të shkojnë për rindërtimin e shkollave dhe banesave të rrënuara nga tërmeti i 26 nëntorit në vendin tonë. Në prezantimin e kësaj shfaqje, drejtoresha e përgjithshme e TOB, znj. Zana Çela, ndër të tjera tha se pas koncertit të datës 20 dhjetor, grand gala është një tjetër koncert bamirësie. “Përgjatë gjithë historisë së tij TKOB ka traditë, që koncertin e fundit t’ia dedikoj tërësisht publikut, si një dhuratë dhe mesazh urimi për Vitin e Ri, por këtë vit ky mesazh i dedikohet në mënyrë të veçantë optimizmit për jetën, për dashurinë mes njerëzve, e cila merr kreshendon maksimale, kur kjo dashuri konkretizohet në ndihmën që ne i japim njëri-tjetrit për të ndërtuar e rindërtuar vazhdimin e jetës. Pas koncertit të datës 20 dhjetor, grand gala “Alles Walzer” është një tjetër koncert bamirësie, të ardhurat e të cilit do të shkojnë në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti”, u shpreh Çela. Grand gala vjen me koreografinë e Renato Zanella dhe dirigjent Ernt Theis. Drejtoresha e TOB Zana Çela, ndër të tjera tha se është zgjedhur një program i pasur muzikor. “Është përsëri Ambasada e Austrisë në vendin tonë, që na bashkohet për të dhuruar shpresën e rindërtimit jo vetëm për familjet e dëmtuara nga tërmeti, por edhe për t’i dhënë publikut Koncertin e Vitit të Ri, të cilin, ai e ka domosdoshmëri të ritualit festiv. Edhe këtë fundvit kemi zgjedhur repertorin më të bukur muzikor, që prej shekujsh unifikon gëzimin e mbarë globit në kapërcimin e viteve, muzikën më të bukur nga Strauss e mjeshtra të tjerë austriakë. Dhe këtë vit kemi ftuar mjeshtrin e koreografisë austriake e europiane Renato Zanella dhe dirigjentin Ernst Theis, cilët së bashku me drejtueset tona, Abigeila Voshtina dhe Manjola Hasani, kanë përgatitur një koncert të mrekullueshëm”, u shpreh drejtoresha Çela. Orkestra, kori, solistët dhe trupa e baletit vijnë në një mbrëmje gala me valset dhe pjesët më të bukura të Strauss dhe autorëve të tjerë vjeneze.