Një ngjarje e rëndë tronditi Korçën mëngjesin e së enjtes. Një 45-vjeçar është gjetur i pajetë rreth orës 7 nga kalimtarët në afërsi të dyqanit të tij në periferi të fshatit Mborje. Viktima është Flamur Duçi, që sipas burimeve policore, është goditur disa herë me thikë në trup, plagë që për shkak të gjakderdhjes i kanë marrë jetën. Autorët dyshohet se më pas kanë tentuar të djegin trupin e viktimës. Në pjesën e sipërme ai ka shenja zjarri dhe lënde djegëse. 45-vjeçari ishte i divorcuar dhe jetonte i vetëm prej disa vitesh. Policia lokale thotë se është vënë në kërkim të autorëve të krimit. Hetuesit po verifikojnë edhe për konfliktet familjare, pasi të afërm dhe fqinjë të Flamur Duçit, ngrenë dyshime se 45-vjeçari mund të jetë vrarë për hasmëri nga njerëzit e ish-bashkëshortes, e cila tashmë jeton në Francë. Grupi hetimor pritet të zbardhë rrethanat e ngjarjes. Lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar disa persona, të cilët pasi kanë dhënë dëshminë e tyre janë lënë të lirë.
Hetimet
Trupi i pajetë i 45-vjeçarit Flamur Duçi u gjet në orët e para të mëngjesit në rrugë nga bashkëfshatarët që njoftuan më pas policinë. Pas marrjes së informacionit uniformat blu të Korçës shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisin hetimet. Ekspertët zbuluan se 45-vjeçari ishte qëlluar me mjete të mprehta që i kishin shkaktuan hemorragji. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se fillimisht besohet se autorët tentuan ta djegin të gjallë duke e spërkatur me benzinë dhe më pas kanë tentuar t’i vënë flakën. Gjithashtu hetuesit gjetën gjurmë të lëndës djegëse si në trup ashtu dhe në vendngjarje. Ndërkohë, pavarësisht djegieve në pjesë të ndryshme të trupit, sipas grupit hetimor, ishin plagët e marra nga mjetet prerëse ato që i shkaktuan vdekjen. Policia mori në pyetje banorë të zonës dhe të afërm të 45-vjeçarit, por grupi hetimor ende nuk ka një pistë përfundimtare për motivet e krimit. Burime nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes bënë me dije se ngjarja po hetohet në disa drejtime dhe ende vijon procesi i kërkimit të provave dhe dëshmive që mund të çojnë në zbardhjen e saj. Mes pistave që është duke u hetuar është edhe ajo e krimit në familje. 45-vjeçari mësohet se ishte divorcuar prej dy vitesh, por nuk njihej si njeri problematik në zonë. Sipas policisë, Duçi ishte person pa precedent penal, ai njihej në zonë si njeri i qetë dhe pa probleme. Madje, banorët e zonës flasin fjalë pozitive për 45-vjeçarin, që sipas tyre u gjendej edhe në momente të vështira, duke u dhënë artikuj ushqimorë me lista nga dyqani i tij. 45-vjeçari, Flamuri Duçi, po shkonte të hapte dyqanin ku shiste artikuj ushqimorë në Mborje të Korçës, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se i bënë pritë.
Akuzat e familjarëve
Familjarë të 45-vjeçarit Flamur Duçit akuzojnë familjarët e ish-bashkëshortes së tij. Madje e motra e viktimës shkon më tej, kur tha se familjarë të ish-bashkëshortes e kanë kërcënuar disa herë me jetë 45-vjeçarin. Policia ka shoqëruar disa nga pjesëtarët e familjes së ish-bashkëshortes, ashtu siç ka shoqëruar për tu pyetur rreth ngjarjes edhe persona të tjerë, por deri tani nuk ka asnjë të dyshuar. Pista kryesore e vrasjes me mjete të mprehta të Flamur Duçit mbetet ajo e vrasjes nga persona pranë ish-bashkëshortes. Një tjetër pistë është ajo e një lidhjeje të fshehtë që mund të ketë pasur kohët e fundit 45-vjeçari. Grupi i hetimit ka përjashtuar pistën e grabitjes. Ajo çfarë po hetohet fort nga policia ka të bëjë me lëndën djegëse që autorët e dyshuar kanë pasur me vete, ç’ka edhe për policinë tregon se kemi të bëjmë me një veprim të paramenduar nga të dyshuarit. Uniformat blu janë duke kërkuar për gjetjen e mjetit të mprehtë me të cilin autorët i morën jetën 45-vjeçarit.
Elvis MYRTA