“Final Four” si format ka rënë poshtë, mund të thuhet edhe zyrtarisht, pasi vetë Federata Shqiptare e Futbollit ditën e djeshme lajmëroi se do të ndryshojë formati i garës për tri sezonet në vazhdim dhe për këtë kërkon diskutim me klubet për përzgjedhjen e formatit të ri. Kështu, Departamenti i Garave dhe Komisioni i Ligave dhe Garave në FSHF zhvilluan sot një takim konsultues me përfaqësuesit e klubeve të “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, në kuadër të diskutimeve për strukturën dhe skemën e kampionateve për sezonet 2026/27, 2027/28 dhe 2028/29. Takimi u organizua në vazhdën e procesit të analizës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të garave kombëtare, me synimin për të rritur cilësinë, konkurrueshmërinë dhe atraktivitetin e futbollit shqiptar. Në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n dhe kompaninë ndërkombëtare të specializuar për hartimin e formateve të kampionateve, Hypercube, Drejtori i Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, prezantoi një propozim për formatin e ri të kampionatit.
Ky propozim synon reduktimin e numrit të ndeshjeve pa objektiv sportiv në periudha të caktuara të sezonit, rritjen e rivalitetit dhe angazhimit të klubeve në të gjitha fazat e garës, si dhe përmirësimin e përgatitjes së skuadrave shqiptare për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane përmes ndeshjeve me rëndësi të lartë sportive. Gjithashtu, formati i propozuar synon krijimin e një produkti gare më dinamik dhe më tërheqës për tifozët, transmetuesit dhe partnerët komercialë, duke ruajtur interesin sportiv për objektivat e kampionatit deri në fund të sezonit.
Gjatë takimit, drejtuesit e klubeve të pranishme ndanë opinionet dhe sugjerimet e tyre lidhur me propozimin e paraqitur. Të gjitha rekomandimet dhe komentet e mbledhura do t’i paraqiten Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i cili do të shqyrtojë propozimet dhe do të marrë vendimin përfundimtar për strukturën dhe skemën e kampionateve “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë për sezonet 2026/27, 2027/28 dhe 2028/29.
Propozimi për klubet
Mësohet se klubeve u është propozuar kampionat me tri faza të rregullta. Më pas në fund të këtyre tri fazave do të ketë ndarje në dy grupe. Te grupi i parë do të ketë përgjysmim pikësh. Nga skuadra e parë tek e gjashta do të luhet me sistem vajtje-ardhje për të nxjerrë skuadrën kampione.
Do të luhen 37 ndeshje deri këtu, pikërisht për grupin e parë. Te grupi i dytë, nga ekipi i vendit të shtatë deri te i dhjetë do të luajnë për rënien. Ndeshjet do të jenë me sistemin vajtje-ardhje-vajtje. Kështu do të jenë 36 javë në total. Një skuadër do të bie direkt nga kategoria dhe tjetra në play out.
Numri i skuadrave do të rritet në sezonin 2027/28, ndërsa do të jenë ngjitur dy skuadra menjëherë nga Kategoria e Parë. Për pjesën tjetër mbetet për t’u zgjedhur cili nga propozimet do miratohet. Një prej tyre është që vendi i tretë dhe katërt të luftojnë në finale “play off” për të siguruar po ashtu një vend. Sa i takon vendit të nëntë në Superiore do të luante në finalen e saj të “play out” me fituesin e vendit të pestë dhe gjashtë në Kategorinë e Parë.






































