Ndonjëherë fati ndikon shumë në karrierën e një futbollisti. Veçanërisht penalizuese janë për yjet e futbollit dëmtimet e rënda, sikurse ka ndodhur me Brojën tonë. por ka humb yje që e kanë nisur me shkëlqim dhe janë zbehur shumë shpejt. Ansu Fati që e nisi si supertalent te Barcelona e ka humbur shkëlqimin e shpërthimit të fillimit.
Në fakt, në një rrethanë tjetër, Ansu Fati do të ishte një nga figurat kryesore të Spanjës në Kupën e Botës 2026 në Amerikën e Veriut. Shpresat e “La Roja” sot kryesisht mbështeten mbi supet e sensacionit 18-vjeçar Lamine Jamal, i cili ishte vendimtar në triumfin e tyre në Euro 2024 dy vite më parë. Por para se të vinte Yamali, kishte një tjetër talent elitar spanjoll që doli nga akademia e famshme e Barcelonës, “La Masia”.
Fati, i cili iu bashkua Barcelonës nga Sevilja në moshën 10-vjeçare, u bë golashënuesi më i ri në historinë e klubit në moshën 16 vjeç e 304 ditë, dhe më pas lojtari më i ri që shënoi në Ligën e Kampionëve në moshën 17 vjeç e 40 ditë. Ky rekord në Ligën e Kampionëve ende qëndron, pasi Jamali e arriti të njëjtin sukses, por 28 ditë më i madh në moshë.
Ai ishte parashikuar si trashëgimtari i fronit të Lionel Mesit, me vetë Mesin që kishte thënë se talenti “ka gjithçka për t’u bërë një lojtar i madh”. Kur Mesi u largua për te Paris San Zhermen, Fati mori fanellën ikonike me numrin 10, por dëmtimet e shpeshta ndikuan në karrierën e tij dhe ai përfundoi i huazuar në Premierligë te Brighton & Hove Albioni në sezonin 2023/24.
Më pas ai u rikthye te Barça, por nuk gjeti hapësira nën drejtimin e Hansi Flik dhe sezonin e kaluar u huazua te Monako, ku shënoi 12 gola në 30 paraqitje. Në vend që të ishte në Kupën e tij të dytë të Botës me Spanjën, Fati është përfshirë në një drejtim krejt tjetër jashtë fushës së futbollit. Në “TikTok”, ai njoftoi publikimin e një këngë të re, duke ndarë një fragment të këngës debutuese “Sea como sea” me mbi 2.2 milion ndjekës.
Klipi mori mbi 3 milion shikime dhe rreth 450,000 pëlqime, ndërsa komentet u fokusuan te ndryshimi i papritur i karrierës së tij në moshën vetëm 23 vjeç. Megjithatë, ai ishte pjesë e Kupës së Botës 2022, ku luajti si zëvendësues nën drejtimin e Luis Enrike.
Por Fati nuk ka luajtur për Spanjën prej afro tre vitesh, me ndeshjen e tij të fundit që ishte në tetor 2023 ndaj Norvegjisë. Ai gjithashtu ka një pasion për muzikën dhe ka kontratë shpërndarjeje me “Music Brokers”, pjesë e “Sony Music”. Sipas raportimeve, ai mund të transferohet përfundimisht te Monako, pasi klubi pritet të aktivizojë opsionin e blerjes prej 11 milionë eurosh.






































