Tërmeti i tmerrshëm i datës 26 nëntor na la pas fatkeqësisht 51 viktima dhe jo të paktë janë ata njerëz që kanë mbetura pa banesa, pasi ato janë shkatërruar tërësisht.
Ndërkohë që e gjithë vëmendja është fokusuar tek rindërtimi dhe sistemimi i banorëve të mbetur pa shtëpi, Prokuroria e Durrësit po heton fajtorët e heshtur të kësaj tragjedie që kaploi vendin tonë.
Prokuroria ka tashmë në dorë prova për çdo pallat të dëmtuar, dhe shumë shpejt personat përgjegjës do të shkojnë para drejtësisë.
Ajo dyshon se shkak parësor për shembjen e godinave janë ndërtimet pa leje, por edhe moskryerja e detyrës nga inxhinierët zbatues dhe mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetërorë të ngarkuar me monitorimin e tyre.
Në ditët në vijim pritet të nisin edhe arrestimet e para sepse bilanci i tërmetit ishte i rëndë dhe shkeljet janë të mëdha.