Vladimir Haxhiu është një ndër të mbijetuarit në një ndër pallatet në Thumanë, ku fatkeqësisht u nxorën pa jetë 24 banorë ndër to fëmijë, gra e të moshuar. Tashmë ky pallat është shembur i gjithi dhe kanë mbetur vetëm kujtimet e trishta se si të afërmit e tyre humbën jetën dhe u shuan ëndrat.
65 vjeçari ka rrëfyer se si ia doli të dilte i gjallë nga aty, së bashku me 4 anëtarët e tjerë të familjes. “Në këto rrënojat që janë bërë këtu, në katin e parë. Kam mbijetuar kot, fati. Kam qenë me gruan, gocën dhe dy fëmijët e saj të vegjël, një në klasë të parë dhe një në klasë të tretë. Kur dola unë, mora kalamajt, gocën dhe nusen, harrova një nga fëmijët brenda se ishte errësirë. U bë tym. Hyrja ishte bllokuar me inerte .Kam hipur sipër jam rrëzuar disa herë, goca ka vrarë këmbën”, ka treguar ai.
Vladimiri, pas shembjes së pallatit po qëndron në çadër, në pritje për t’u shpërngulur. “Vetë i pestë në çadër. Për veshmbathje dhe ushqime nuk vuajmë, mirë jemi. Vuaj për dyshek se po flemë përtokë. Do shpërngulemi, por nuk e di se ku”, ka thënë ai.