Google search engine
Home Bota Rajoni Serbia pas Vuçiçit, Lista Studentore përgatit ndryshime në politikën e jashtme, çfarë...

Serbia pas Vuçiçit, Lista Studentore përgatit ndryshime në politikën e jashtme, çfarë do të ndodhë me marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë dhe si do të ndryshojë raporti i Beogradit me fuqitë e mëdha

0
13

Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi nuk pritet të sjellë një përmbysje të orientimit të politikës së jashtme, por mund të ndryshojë mënyrën se si Beogradi menaxhon marrëdhëniet me fuqitë e mëdha, veçanërisht me Kinën. Në një analizë të publikuar pas zgjedhjeve, ekspertët Dr. Nenad Stekiq dhe Stefan Vladisavljev vlerësojnë se Serbia do të ruajë objektivat kryesore të politikës së jashtme, por mund të ndryshojë metodat e zbatimit të tyre.

Neutraliteti ushtarak, mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetja te Kina për çështjen e Kosovës pritet të mbeten pjesë e kësaj politike. Megjithatë, diplomacia e mbështetur te marrëdhëniet personale të Aleksandar Vuçiçit me liderët e huaj mund t’i lërë vend një qasjeje më institucionale, transparente dhe të bazuar në ligj.

Sipas projeksionit përfundimtar të CeSID dhe Ipsos, Lista Studentore ka siguruar 52.9 për qind të votave dhe rreth 140 mandate, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” ka marrë 38.8 për qind dhe 103 mandate. Kjo shumicë i mundëson qeverisë së re të qeverisë pa partnerë koalicioni. Megjithatë, ende nuk dihet kush do të jetë kryeministri dhe si do të funksionojë bashkëjetesa politike mes qeverisë dhe presidencës.

Pse nuk pritet një kthesë e menjëhershme gjeopolitike

Sipas ekspertëve, disa faktorë strukturorë kufizojnë mundësinë e ndryshimit të shpejtë të politikës së jashtme serbe. Njëri prej tyre është çështja e Kosovës. Për sa kohë mosnjohja e pavarësisë mbetet zotim kushtetues dhe politik, Beogradi do të ketë nevojë për mbështetjen e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Autorët vlerësojnë se programi i Listës Studentore është edhe më i ashpër ndaj Kosovës sesa praktika e deritanishme e Vuçiçit, duke e bërë mbështetjen kineze edhe më të rëndësishme.

Një tjetër pengesë është varësia nga gazi rus dhe çështja e pazgjidhur e kompanisë NIS. Vendosja e sanksioneve ndaj Moskës do të sillte pasoja për ekonominë dhe qytetarët, ndaj një vendim i tillë nuk pritet pa kompensim konkret nga Bashkimi Evropian. Edhe përbërja e elektoratit të Listës Studentore kufizon mundësinë e një ndryshimi të menjëhershëm. Lëvizja mbështetet edhe nga votues me afërsi kulturore me Rusinë dhe skeptikë ndaj BE-së, të cilët mund të largohen në rast të një kthese të fortë perëndimore.

Marrëdhëniet me Kinën, nga miqësia personale te partneriteti me kushte

Një nga ndryshimet më të mundshme lidhet me marrëdhëniet me Pekinin. Bashkëpunimi me Kinën nuk pritet të ndërpritet, por mund të kalojë nga lidhjet personale mes liderëve dhe marrëveshjet me pak transparencë drejt një partneriteti ku do të kenë më shumë rëndësi kontratat, mbikëqyrja institucionale dhe respektimi i ligjeve. Kjo çështje merr rëndësi të veçantë për shkak të tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku shembja e tendës shkaktoi vdekjen e 16 personave.

Stacioni ishte rinovuar nga një konsorcium kinez dhe ngjarja u bë shkak për krijimin e lëvizjes studentore. Programi i saj nuk përmban retorikë kundër Kinës, por kërkon që kompanitë e huaja të respektojnë ligjet vendore, standardet mjedisore dhe sigurinë në punë.

Sipas analizës, pesë fusha mund të sjellin përplasje mes qeverisë së re dhe interesave kineze: përgjegjësia për tragjedinë në Novi Sad, transparenca e kontratave, standardet mjedisore dhe të punës në Bor, Smederevë e Zrenjanin, përdorimi i teknologjisë së mbikëqyrjes dhe bashkëpunimi ushtarak. Ekspertët presin që qeveria e re të kërkojë rishikimin dhe publikimin e kontratave ekzistuese, në vend të ndërprerjes së projekteve kineze.

BE-ja, SHBA-ja dhe Rusia do të ndikojnë në politikën e re të Beogradit

Qeveria e re pritet të përballet me presionin e partnerëve perëndimorë për të dëshmuar se ndryshimi politik sjell edhe ndryshime në politikën e jashtme. Megjithatë, pasi Lista Studentore përjashton vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, një pjesë e presionit mund të përqendrohet te marrëdhëniet me Kinën. Në fokus pritet të jenë siguria e rrjeteve të telekomunikacionit, sistemet e mbikëqyrjes, kontrolli i investimeve të huaja dhe transparenca e prokurimeve publike.

Sipas autorëve, Kina mund të përballet kështu me një pjesë të kostos politike që Serbia nuk është e gatshme t’ia imponojë Moskës përmes sanksioneve. Ndikimi rus në Serbi mbetet më i madh se ai kinez, për shkak të varësisë energjetike, lidhjeve me Kishën, mediave dhe mbështetjes së një pjese të elektoratit. Ndërsa Kina e ushtron ndikimin kryesisht përmes kapitalit dhe institucioneve shtetërore, Rusia ka më shumë mjete për të ndikuar drejtpërdrejt në politikën e brendshme. Për këtë arsye, normalizimi i marrëdhënieve me Pekinin mund të jetë më i lehtë sesa ndryshimi i raporteve me Moskën.

Çfarë pritet deri në fund të vitit 2027?

Në analizë paraqiten disa skenarë për marrëdhëniet e Serbisë me Kinën deri në fund të vitit 2027. Ndërprerja e plotë e bashkëpunimit ose një kthesë drejt Perëndimit në kurriz të Pekinit konsiderohen jorealiste, për shkak të mungesës së mbështetjes politike dhe shoqërore. Skenari më i mundshëm është ruajtja e partneritetit strategjik me Kinën, por me më shumë transparencë, kushte dhe kontroll institucional. Një faktor përcaktues do të jetë hetimi për shembjen e tendës në Novi Sad.

Nëse gjykata konstaton përgjegjësi të kompanive kineze dhe Pekini e interpreton këtë si çështje politike, marrëdhëniet mund të tensionohen. Në të kundërt, pranimi i procesit ligjor nga Kina mund ta bëjë partneritetin më të qëndrueshëm.

Në përfundim, ekspertët theksojnë se Serbia pas Vuçiçit nuk pritet të ndryshojë krahun gjeopolitik, por mënyrën e menaxhimit të marrëdhënieve me fuqitë e mëdha. Lista Studentore synon të ruajë katër shtyllat e politikës së jashtme, duke hequr dorë nga diplomacia e personalizuar dhe jotransparente mbi të cilën ato janë mbështetur.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here