Reforma zgjedhore vijon të jetë kryefjala e ditës jovetëm për mazhorancën dhe opozitën parlamentare, por edhe për opozitën joparlamentare. Kanë qenë aleatët e Lulzim Bashës, ata të cilët kanë hedhur dje hapin e parë, duke bërë publike disa propozime që sipas tij, duhet të reflektohen në Kodin e ri Zgjedhor. Fillimisht, ka qenë kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili gjatë një prononcimi për mediat deklaroi ditën e djeshme se ka ardhur koha për një rikompozim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, anëtarët e KQZ duhet të vijnë nga radhët e gjyqësorit dhe të kenë kaluar procesin e vetingut. “Anëtarët e KQZ duhet të vijnë nga radhët e gjyqësorit dhe të kenë kaluar vetingun. Duhet të ketë një formë të qartë kushtetuese”, deklaroi ai. Më tej, demokristiani Ndoka theksoi se opozita e bashkuar po diskuton rikthimin e numërimit të votave në vend votime. Ky propozimi, sipas tij, vjen krah atij për numërim elektronik, i cili do të ulë mundësinë e manipulimit të votave. “Rinumërim të votave në çdo qendër votimi. U mbyll votimi, të nisë menjëherë aty numërimi i votave. Numërimi i votave të bëhet në mënyrë elektronike”, nënvizoi kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Por aleatët e vegjël të Partisë Demokratike, mendojnë se palët duhet të ulen sa më shpejt në dialog. Mes tyre, Dashamir Shehi gjykon se tryeza nuk duhet të kufizohet vetëm te reforma zgjedhore. “Opozita, Basha duhet të kenë iniciativën të bëhen protagonistë të kësaj situate. Na duhet një marrëveshje në të cilën të jetë edhe marrëveshja për sistemin zgjedhor. Këta kanë vënë një kamion që tërheq një tren të madh”, shprehet ish-deputeti Shehi. Pavarësish deklaratave publike të dy forcave të mëdha, Dashamir Shehi mendon se deri tani nuk po lëviz asgjë konkrete. “Do të mjaftonte të hapeshin nja dy dosje, të futeshin disa në burg, të arrestoheshin disa nga krerët që në mënyrë të hapur kanë dhunuar votat, më pas i gjithë sistemi do të merrte seriozitet”, nënvizoi kreu i LZHK, Dashamir Shehi. Mirëpo, edhe pse po punon prej ditësh me propozime konkrete për reformën zgjedhore, opozita nuk ka dërguar asnjë dokument në Komision e Posaçëm për reformën zgjedhore, i cili mbledhjen e radhës e ka në axhendë ditën e hënë.