Zbulimi i linjës së trafikut të kokainës dhe më pas vënia nën vëzhgim e kontejnerëve me banane ku ishte futur orizi në vend të drogës ka bërë që ngarkesa të ngelet ‘jetime’ në Portin e Durrësit.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se nuk dihet biznesmeni misterioz që ka porositur kontejnerin me banane, në të cilin është vendosur nga policia greke që ngarkesa e kokainës të zëvendësohet me oriz.
Oficeri i sigurisë në Port Ardian Bega është arrestuar nga policia dhe ka pranuar të japë sqarimin e tij lidhur me këtë ngjarje. Bega ka deklaruar se shtetasi G.M. i ka kërkuar të shkojë në port dhe të ndihmojë për të nxjerrë nga dy kontejnerët e ngarkuar me banane dhe që kishin ardhur nga Ekuadori, ndaluar në Pire në Greqi dhe më pas në drejtim të Portit të Durrësit.
Në momentin që ata e kanë marrë ngarkesën me një automjet me targa franceze, janë larguar në drejtim të Shkëmbit të Kavajës e pikërisht para një hoteli, konkretisht në hyrje të një tuneli, shtetasi G.M., ka kërkuar të shohë ngarkesën dhe nga përgjimet rezulton se në momentin që ka parë se droga nuk ishte mbështjellë sikurse e kishte kërkuar, e ka kuptuar se po ndiqeshin nga policia dhe se e gjitha ishte një lojë dhe iu ka kërkuar Altin Myslihakës dhe Ardian Begës me të cilët ishte në makinë që të mos flisnin pasi ngarkesa mund të ishte me GPS.
Policia greke pasi ka nxjerrë nga kontejnerët sasinë prej 25 kg e 230 gram dhe mbi 20 kg kokainë nga kontejneri tjetër e kishin zëvendësuar me oriz dhe kishin lënë një sasi të vogël kokaine dhe duke futur në të edhe një GPS.
Ky operacion është zhvilluar mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë.
Deri në këto momente në Portin e Durrësit nuk ka mbërritur asnjë person për të tërhequr ngarkesën me banane. Cili është biznesmeni që ka porositur bananet? Gazetarja Klodiana Lala tha se disponon një emër por të pakonfirmuar ende nga organet zyrtare. Mbetet i paqartë kush është porositësi i ngarkesës.