Zgjedhjet e 30 qershorit duket se i kanë hapur sërisht punë mazhorancës me ligjin e dekriminalizimit. Edhe pse ndërkombëtarët kanë bërë gjithmonë thirrje që personat me rekorde kriminale të qëndrojnë larg politikës, nuk ka ndodhur kështu. PD ka nxjerrë fakte ndaj kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku dhe kandidatit socialist për Shkodrën Valdrin Pjetri. Por këta nuk janë të vetmit, pasi të inkriminuarit janë futur edhe në këshillat bashkiakë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një kërkesë dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme, i kërkon sektorit të Dekriminalizimit verifikimin për 7 anëtarë të këshillave bashkiake të dala nga zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas burimeve të gazetës, ka të dhëna se këta 7 persona kanë pasur probleme me ligjin me parë, kanë qenë nën hetim apo edhe të dënuar për vepra të ndryshme penale.Pas administrimit të kësaj kërkese, nga ana e prokurorisë do të kryhen të gjitha verifikimet si brenda ashtu edhe jashtë vendit, në bazë të informacioneve që do të mblidhen.
Faktet e PD
Kërkesa e KQZ-së vjen pas hetimit që akuza ka nisur për kandidatin e zgjedhur për kryetar Bashkie të Shkodrës, Valdrin Pjetri. Sipas dokumenteve të bëra publike nga Partia Demokratike, ai ishte dënuar në Itali 16 vite më parë për trafik droge. Kjo situatë solli tërheqjen e Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së qytetarit të parë të Shkodrës.Gjithashtu Partia Demokratike pretendon të njëjtën gjë për kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Opozita ka bërë publik dokumente ku sipas saj faktohet se ai ka qenë i arrestuar në Greqi në vitin 2003 për përdorimin e parave false. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Agim Kajmaku në disa reagime të tij.
PD paralajmëron fakte të tjera
Por duket se Partia Demokratike nuk ka ndërmend të ndalet në publikimin e fakteve të tjera, që vërtetojnë se Partia Socialiste ka shkelur ligjin e dekriminalizimit. Ish deputeti i Partisë Dermokratike Edmond Spaho u shpreh se në ditët në vijim do të publikohen të tjera fakte, duke theksuar se rasti i Valdrin Pjetrit dhe Agim Kajmakut nuk janë të vetmit që kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit. “Do të ketë edhe publikime të tjera, sepse nuk janë dy raste të vetme të rastësishme. Është një filozofi e Rilindjes për të ardhur dhe qëndruar në pushtet”, u shpreh Edmond Spaho. Më tej, ish deputeti demokrat komentoi edhe dekretin e presidentit Ilir Meta për mbajtjen e zgjedhjeve vendore në 13 tetor. Sipas tij, mosveprimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bën që të mos ketë më shpresa për zhvillimin e zgjedhjeve të 13 tetorit, duke shtuar se problemi, gjithsesi, nuk është data. “E kemi thënë që në çdo proces zgjedhor, kushti që ne të marrim pjesë, është garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe një qeveri provizore”, u shpreh Edmond Spaho. Por duke iu referuar aksionit opozitar, ish deputeti demokratdeklaroi se pas zgjedhjeve të 30 qershorit ka pasur një sërë denoncimesh për kryebashkiakët e rinj, të përfshirë në rekorde kriminale dhe për këtë arsye vjeshta do të risjellë protesta të tjera kundër qeverisë. “Edhe në javët e muajt e ardhshëm do të vazhdojmë këtë lëvizje. Jemi të bindur që është një aksion i vështirë, por do t’i qëndrojmë deri në fund”, u shpreh ish deputeti demokrat Edmond Spaho.
Elisjeda Kiko