Mbledhja prej 4 orësh e kryeministrit Rama me kryebashkiakët e majtë të bashkive të preken nga reforma territoriale, është zhvilluar me tone të ashpra e përplasje të forta mes kreut të qeverisë dhe 4 prej kryetarëve të bashkive që parashikohet të shkrihen, Poliçani, Dimali, Selenica dhe Divjaka.
Pakënaqësitë që ka prodhuar reforma territoriale e detyruan të mbledhë kryetarët e bashkive të majta që shkrihen nga kjo ndarje e re. Kryetari i Bashkisë së Policanit është larguar nga mbledhja pas debateve shumë të ashpra me kryeministrin, përplasje e cila ka shkuar deri në ofendime dhe tone shumë të larta.
Gjatë diskutimeve Rama i ka thënë Adriatik Zotkajt: Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Poliçani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie.
Një tjetër përplasje e ashpër ka qenë ajo me kryetaren e Bashkisë së Dimalit.Rama i është drejtuar me ironi: Ju udhëheqësit e mëdhenj!
Ndërsa Mema i është përgjigjur: Ç ‘udhëheqës! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje. (Duke folur këtu për mungesën e kompetencave të pushtetit vendor).
Kjo fjali e ka irrituar kryeministrin Rama duke e nxjerrë Memën jashtë nga mbledhja.
Megjithatë, Zotkaj dhe Mema nuk mund të kandidojnë më për kryetarë bashkie pasi kanë ezauruar mandatet e lejuara.
Edhe kryetarët e bashkive të Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrra kanë mbajtur debatuar me kyeministrin Rama dhe Arbjan Maznikun duke i qëndruar argumenteve të tyre kundër shkrirjes së bashkive.
Kryeministri Rama nga ana e tij ka pretenduar që kryetarët e bashkive po nxisin komunitetet e atyre zonave kundër reformës territoriale.
Ndërsa kryebashkiakët, pretendojnë edhe për standarde të dyfishta kur vjen puna tek përzgjedhja e bashkive që duhet të shkriheshin.
Sipas tyre ka bashki si Peqini, Vau i Dejës apo Roskoveci të cilat janë me tregues më të ulët performace të cilat do të mbajnë statusin e bashkisë.
Mbledhja është përqendruar vetëm tek reforma territoriale, por ka pasur edhe bashki si Maliqi apo Këlcyra të cilat nuk kanë shprehur kundërshti për mënyrën se si do të pozicionohen me hartën e re territoriale.
Në takimin që u mbajt në Kuç të Vlorës kanë qenë të pranishëm 20 kryetarë bashkish, ata që preken nga ndryshimet e hartës territoriale si dhe kryetarët e bashkive qendër qarku.






































