Home Politike Përplasja mes “klaneve” në Bashkinë e Tiranës, Prokuroria regjistron procedimin për Anuela...

Përplasja mes “klaneve” në Bashkinë e Tiranës, Prokuroria regjistron procedimin për Anuela Ristanin

0
24

Përplasja mes drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, duket se ka hyrë në një fazë të re. “Weblajm) raporton se Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal, ndaj zëvendëskryetares Anuela Ristani, pas kallëzimit që depozitoi ndaj saj ish-Sekretari i Përgjithshëm, z. Alban Dokushi. Konkretisht prokuroria ka thelluar hetimet ndaj zv/kryetares së Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Veprimeve arbitrare” dhe “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës”, ndërsa ka sekuestruar dhe dokumente me vlerë për hetimin.

Hetimet

Çështja është përqendruar në mënyrën e shkarkimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, një çështje që prej kohësh ka qenë objekt i shqyrtimit administrativ dhe gjyqësor. Nga dokumentet e sekuestruara nga Prokuroria, rezulton se vetë Bashkia e Tiranës ka pranuar se akti i shkarkimit është nxjerrë pa ndjekur ndonjë procedurë ligjore të parashikuar nga legjislacioni për administratën publike dhe vetëqeverisjen vendore. Sipas të dhënave të dala nga dokumentet e sekuestruara, shkarkimi nuk është shoqëruar me procedurë disiplinore, me njoftim paraprak, me të drejtën e dëgjimit të subjektit të interesuar apo me ndonjë vendimmarrje kolegjiale të organit kompetent.

Përkundrazi, rezulton se ai është kryer vetëm nëpërmjet një akti të firmosur nga zv/kryetarja Anuela Ristani, e cila njihet si kundërshtarja e kryebashkiakut të Tiranws, Erion Veliaj, pa u mbështetur në procedurat dhe kompetencat e përcaktuara nga ligji. Një tjetër element që po verifikohet nga organi i akuzës lidhet me moszbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat kishin detyruar Bashkinë e Tiranës të rikthente në detyrë Sekretarin e Përgjithshëm.

Dyshohet se, në vend që të ndërmerreshin veprimet e nevojshme për ekzekutimin e plotë dhe të menjëhershëm të vendimit të gjykatës, janë kryer veprime administrative që kanë synuar të vonojnë, të shmangin ose të bëjnë të pamundur efektet e tij juridike.

Në kuadër të të njëjtit procedim penal, Prokuroria po heton edhe veprimet e dyshuara të kundërligjshme të Drejtorisë së Protokollit, Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe Drejtorisë Juridike të Bashkisë së Tiranës. Pritet që gjatë muajit shtator, Prokuroria të marrë në pyetje personat përgjegjës për hartimin, firmosjen, administrimin, verifikimin juridik dhe mosprotokollimin e akteve përkatëse, si dhe të vlerësojë përgjegjësinë penale të çdo funksionari që ka marrë pjesë në nxjerrjen ose zbatimin e tyre në kundërshtim me ligjin dhe me vendimet gjyqësore të formës së prerë, si në rastin e moszbatimit të vendimit të gjykatës për Alban Dokushin, ashtu edhe në disa raste të dokumentuara të moszbatimit të urdhrave dhe vendimeve të nxjerra nga Veliaj, i cili ende gëzon statusin e Kryebashkiakut me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here