Kaloi në ‘sitën’ e vettingut, KPK shkarkon drejtuesin e Prokurorisë (ARSYEJA)

0
331

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra drejtuesin e Prokurorisë Përmet, Hysen Keta.

Ndërtimi i një shtëpie tre katëshe mbi një  truall të trashëguar nga i ati, rezultoi problematik për drejtuesin e Prokurorisë së Përmetit Hysen Keta. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vuri në dukje se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, kishte arritur në përfundimin se Keta nuk kishte bërë deklarim të saktë dhe kishte disa mos deklarime.

Brunilda Bekteshi, relatorja e çështjes në KPK tha se edhe hetimet e Komisionit ishin vërejtur një sërë problemesh në pasurinë e prokurorit. Keta sipas relatimit nuk kishte sjellë dokumentacion provues për të ardhurat e tij si avokat në vitet 90’, kishte mungesë burimesh të ligjshme për disa nga pasuritë dhe disa pasaktësi e mos deklarime në vite.

Problemet e pasurisë

Relatorja Bekteshi vuri në dukje se ishin gjetur disa pasaktësi në deklarimet e Ketës ndër vite dhe po ashtu edhe në deklaratën veting. Ajo vuri në dukje se një shtëpi 3 katëshe e ndërtuar nga viti 1996 deri në vitin 2001, ishte deklaruar në vitin 2003 me sipërfaqe 120 metra, ndërsa rezultoi nga dokumentet me sipërfaqe 196 metra.

Keta sipas Bekteshit kishte pranuar diferëncën dhe kishte shpjeguar se në deklarimin e parë nuk ishte shënuar papafingoja, pasi ajo nuk ishte e banueshme dhe nuk ishte konsideruar si sipërfaqe banimi.

Relatorja tha se për të njëjtën pasuri kishte në dukje pasaktësi edhe në deklarimin veting, pasi trualli rreth 550 metra ku ishte ndërtuar shtëpia ishte pretenduar si i trashëguar, por nga hetimet kishte rezultuar se 54 metra kishin qenë tokë shtet dhe ishin blerë vetëm në vitin 2017.

Keta tha për këtë rast se ai kishte menduar që e gjithë prona në të cilën kishte jetuar familja ishte pronë e tyre dhe se problemi me këtë sipërfaqe kishte rezultuar në momentin e rregjistrimit në hipotekë. Ai tha se familjes së tij i ishin njohur 4 mijë metra në të njëjtën zonë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ai shpjegoi se blerja e kësaj sipërfaqe që rezultonte pronë shtet ishte parë si rrugë më e thjeshtë, pasi ai mund ta kishte pretenduar këtë sipërfaqe edhe në rrugë gjyqësore.

KPK ndërkohë vuri në dukje se kishte diferenca në deklarimin e bërë edhe mbi burimet që kishin shërbyer për ndërtimin e kësaj shtëpie. Sipas relatimit në vitin 2003 ishte deklaruar si burim kursimet dhe të ardhurat si avokat, ndërsa në deklaratën veting vetëm të ardhurat nga puna si avokat.

Megjithatë problemi kryesor për këtë pasuri ishte mungesa e dokumentacionit mbi kostot e ndërtimit. Keta kishte pretenduar se puna ishte bërë me grupe punëtorësh dhe nuk ishin ruajtur fatura, preventivë e të ngjashme, ndërsa paraqiti një ekpsertizë që i vendoste kostot në rreth 2.2 milion lekë.

KPK vuri në dukje se ekspertiza nuk bazohej në asnjë parashikim ligjor të kohës dhe se llogaritja e bërë nga Komisioni bazuar mbi kostot e Entit Kombëtar të Banesave e nxirrte ndërtesën me një kosto prej rreth 4 milion lekësh. Sipas KPK-së nga kjo shumë Keta rezultonte në dukje në pamundësi për të mbuluar shpenzimet me burime të ligjshme për rreth 3 milion lekë.

Bekteshi vuri në dukje se Keta nuk dokumentonte pagesën e tatimeve për të ardhurat e punës si avokat. Në një pyetje drejtuar prokurorit në fund të seancës ajo tha se sipas tatimeve ai “nuk rezultonte i rregjistruar si subjekt”.

Keta kundërshtoi raportin e tatimeve dhe i vuri fajin Drejtorisë së Tatimeve për mungesën e informacionit, duke pretenduar se ishte në pamundësi objektive. Ai tha se mbante mend zyrën ku kishte paguar tatimin dhe personin të cilit i kishte dhënë pagesë, por tha se në atë kohë ndodhte edhe që të “mos të të jepnin faturë”.

Probleme të ngjashme u gjetën për një shtesë kati 60 metra katrorë. Sipas deklarimeve të Ketës shtesa ishte ndërtuar mbi një shtëpi të vjetër me të njëjtën sipërfaqe. Nga hetimet KPK gjeti se ajo nuk ishte deklaruar në asnjë prej deklaratave periodike nga 2006 deri në 2011.

Po ashtu Komisioni vuri në dukje se kishte mospërputhje të kohës së ndërtimit në disa deklarime të ndryshme. Në deklaratat për KPK koha e ndërtimit ishin vitet 2006-2011, ndërsa për efekt legalizimi ishin deklaruar vitet 2009—2010 dhe në ekspertizën e kostove dorëzuar nga vetë Keta në KPK ishin vitet 2008 dhe 2011.

KPK vuri në dukje se edhe për kostot e këtij ndërtimi nuk kishte dokumentacion dhe se ato ishin llogaritur ndryshe nga ekspertiza e porositur nga Keta dhe ndryshe nga KPK. Sipas Komisionit shtesa kishte kushtuar 2 milion lekë, ndërsa Keta pretendonte se kostoja kishte qenë 1.1 milion. KPK vuri në dukje se atij i mungonin për këtë investim 266 mijë lekë.  Një deklarim për kosto 11 milion lekë e bërë në një nga deklarimet e Ketës, u kërkua prej këtij të fundit të konsiderohej lapsus.

Një pasaktësi në deklarimet vjetore mbi sasinë e parave cash, u pretendua si harresë nga Keta, por ai tha se kjo harresë ishte ezauruar me deklarimin për llogari të vetingut.  Ndërkohë sa i përket një makine e blerë për 19 mijë euro, prej të cilave 10 mijë euro kredi, u vunë në dukje disa pasaktësi.

Keta pranoi se kishte deklaruar një çmim prej 20 mijë eurosh sipas porosisë që kishte bërë, ndërsa në faturë çmimi i paguar ishte 19 mijë euro. Bekteshi tha se nga analiza financiare rezultonte një mungesë burimesh në shumën prej 400 mijë lekësh për këtë blerje.

KPK gjeti dhe i vuri në dukje Ketës mosdeklarimin në deklaratat periodike të një makine dhe një motorri të blerë nga i biri. Prokurori pretendoi se në të dy rastet bëhej fjalë për harresa dhe gabime.

Ndërkohë sa i përket një apartamenti të blerë nga e bija dhe bashkëjetuesi i saj KPK vuri në dukje një mori paqartësish. KPK tha se kishte vendosur ta konsideronte vajzën person të lidhur, pasi kontratat për këtë shtëpi ishin bërë para se ajo të ndahej nga trugu familjarë.

Keta nuk e kundërshtoi këtë cilësim, por ai tha në seancë se nuk ishte i qartë për transaksionin. Keta pretendoi se e bija ishte njohur me bashkëjetuesin vetëm në vitin 2013. Ai pretendoi me këtë se ajo nuk kishte pasur pjesë në pagimin e dy kësteve të para për shtëpinë. Në lidhje me një kontratë noteriale në të cilën ishte shënuar vitin 2010, por që sipas Ketës ishte bërë në vitin 2016 dhe data ishte lapsus, ai pretendoi se ishte bërë vetëm për efekt të njohjes së bashkëpronësisë.

KPK vuri në dukje se kishte dyshime se bashkëjetuesi nuk kishte pasur burimet finaciare për të paguar këstin e parë dhe të tretë. Keta kundërshtoi këtë gjetje duke sjellë të dhëna për të ardhurat e dhëndrit deri në vitin 2000 dhe pagat neto të këtij të fundit.

Ndërkohë problem u cilësua mosdeklarimi periodik i 2.3 milion lekëve të pretenduara si të ardhura nga qiraja. Keta tha se kjo ishte harresë. Komisioni ndërkohë ngriti dyshime edhe mbi mosrakordimin e shumës së pretenduar me rreth 400 mijë lekë dhe me faktin se për këto para nuk ishin paguar tatimet. Keta pretendoi se tatimet duhej të ishin paguar nga qiramarrësi. Ai tha se për shkak të diskutimit që kishte pasur mbi parapagimin dhe nëse ai duhej të kthehej kishte ardhur edhe harresa për të deklaruar.

Keta pretendoi se analiza financiare duhej të merrte në konsideratë se një sërë shpenzimesh udhëtimi për të, të shoqen dhe vajzën, ishin paguar nga shteti dhe nga të tretë.

Problemi në profesionalizëm

Ndërsa mosdeklarimi i disa pasurive në deklaratat periodike dhe mungesa e dokumentacionit për shpenzimet, duket se diktuan rivlerësimin e Ketës në kriterin e pasurisë, pushimi prej tij i hetimeve në një çështje me akuzë “mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë” ndaj një doganieri u theksua si problemi i karrierës së tij profesionale.

KPK vuri në dukje se nga hetimi kishte rezultuar se nuk ishin kryer të gjitha veprimet hetimore. Doganieri akuzohej po ashtu edhe për pastrim të produkteve të veprës penale dhe pretendonte se 70 mijë euro të ardhura nga emigracioni ua kishte dhënë hua të afërmve. Bekteshi vuri në dukje se asnjë nga të afërmit nuk ishte pyetur dhe se një sërë veprimesh hetimore nuk ishin kryer.

Sipas relatores nuk ishte bërë as verifikimi i gjendjes gjyqësore të personave që supozohej se kishin marrë paratë dhe as verifikimi i të ardhurave të të hetuarit, nëse kishte pasur ai apo jo mundësi të krijonte këtë pasuri.

Në shpjegimet e tij për KPK, Keta kishte pretenduar se çështja mbi “mosdeklarimin” ishte mbyllur duke u konsideruar gjë e gjykuar në mungesë të një kallëzimi penal nga ILDKPKI. Ai nga ana tjetër tha se nuk ishte gjetur asnjë gjurmë e shumës prej 70 mijë euro dhe se për këtë akuza e pastrimit të parave mbetej pa objekt. Keta shpjegoi se këto para nuk ishin trasferuar te huamarrësit dhe as ishin kthyer pas.

Ai tha se dyshonte që ky deklarim ishte bërë për të mbuluar shpenzime që  mund të bëheshin në të ardhmen, por në kohën e hetimit nuk kishet objekt. Tre denoncime nga një grua për zvarritje të procesit dhe mungesë informacioni nuk morën përgjigje në seancë. Bekteshi tha se nga shpjegimet e dhëna me shkrim dukej se prokurori pretendonte që i kishte dhënë denoncueses që i kishte shkruar tre herë KPK një shpjegim me gojë në prokurori.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here