Dokumentet e SHBA, ja si strehimi i guerrilasve grekë ashpërsoi përplasjet mes Shqipërisë e Greqisë, Athina u përgatit për sulm ushtarak

0
523

Pasi mori pushtetin, Enver Hoxha e ktheu Shqipërinë në bazë furnizimi dhe stërvitjeje për guerrilasit komunistë grekë në Luftën Civile në Greqi, të viteve 1946-1949. Në verën e vitit 1949 Korça u mbush me dhjetëra mijëra refugjatë lufte grekë, që ishin partizanë komunistë dhe familjet e tyre, të ikur pas disfatës së Ushtrisë Komuniste në Greqi. Në dokumentet që ka deklasifikaura Departamenti Amerikan i shtetit, tregohen tensionet që lindën mes dy vendeve.

Uashington, 2 prill 1948

Sekretari i shtetit për Gerald A. Dreë, në Selanik: Departamenti është totalisht në favor të mbështetjes së veprimit kundër Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit për mbështetjen ndaj guerrilasve komunistë grekë. Në besojmë se komunikata shqiptare e 17 marsit është një rast i mirë për të thelluar kritikat ndaj qeverisë shqiptare, e cila ka manifestuar mungesë sinqeriteti dhe bashkëpunimi. Në deklaratë mund të aludohet për kandidaturën e Shqipërisë për anëtarësim në OKB nga njëra anë dhe mungesën e bashkëpunimit me agjencinë UNSCOB nga ana tjetër.

Departamenti është shumë i shqetësuar për aktivitetin ushtarak në Shqipëri dhe rekomandon që agjencia e OKB të përfshijë komunikatën e mëposhtme për efektin parandalues që mund të ketë: Agjencia UNSCOB është shumë e shqetësuar për raportimet e aktivitetit ushtarak në Shqipëri në përgatitje dhe mbështetje të guerrilasve komunistë grekë. UNSCOB shpreson me sinqeritet që këto raportime të jenë të rreme, por nëse rezultojnë të vërteta UNSCOB do të detyrohet të nisë veprim të menjëhershëm kundër pasojave resioze të këtyre zhvillimeve. Ne sugjerojmë që kjo komunikatë të transmetohet te sekretari i përgjithshëm dhe t’i jepet publicitet maksimal.

Uashington, 10 gusht 1948

Memorandum bisede nga Leonard J. Cromie i çështjeve greke, turke e iraniane: Ambasadori Dendramis përcolli keqardhjen e popullit grek për plagosjen e vëzhguesit të UNSCOB kolonel Darnell, dhe shprehën mirënjohjen për aktivitetet e vlefshme të vëzhguesve të OKB. Ata kërkuan ndërhyrje kundër ndihmës së Shqipërisë për guerilasit. Ambasador Dendramis tha se ushtria greke kishte qenë e papërgatitur për ndërhyrjen ne ofensivën e Gramozit, por e kishte bërë këtë për të plotësuar dëshirën e SHBA. Operacioni me sa duket pati sukses, por me koston e rëndë të shumë viktimave që arrinin deri në 10% të forcës. Këto përpjekje dhe sakrifica tashmë janë të padobishme kur guerrilasit mund të tërhiqen në Shqipëri dhe më pas të rikthehen në Greqi. Ai tha se do të ishte e mundur që SHBA të përfitonte nga bisedat që janë duke u zhvilluar në Moskë për t’i thënë sovjetikëve të udhëzojnë satelitin e tyre Shqipërinë të çarmatosë dhe të internojë guerilasit. Qeveria greke po i drejton një notë direkte mbi çështjen qeverisë së Shqipërisë, por nuk mendon se do të ketë efekt. Një procedurë alternative do të ishte kërkesa direkte për qeverinë shqiptare nga qeveria e SHBA apo e Francës. Nënsekretari Lovett u përgjigj se do të ishte e pamundur dhe e padrejtë që SHBA të ndërhynte për çështjen greke në bisedimet e Moskës, të cilat po kryheshin në një bazë trepalëshe dhe për një fushë të caktuar. Në lidhje me operacionin e Gramozit, Lovett tha se kishte menduar se grekët mezi presin, ashtu si dhe amerikanët, eliminimin e mundshëm të lëvizjes guerile. Ai ishte informuar se ushtria greke po lufton ashpër kundër tyre, por në këtë lloj luftimi humbjet janë të paevitueshme. Ai theksoi gjithsesi se të vrarët nga pala greke ishin mjaft të paktë, 510 të vrarë, 2812 të plagosur, e 34 të humbur nga rreth 70,000 trupa në zonën e përgjithshme. Ai shtoi se forcat amerikane kishin pësuar shumë më tepër të vrarë gjatë operacioneve ajrore në Evropë dhe në operacionet e disa ishujve të paqësorit, ku viktimat arrinin deri në 34%. Për fat të keq shumica e viktimave të ushtrisë greke u shkaktuan nga mina jo-magnetike që shkaktonin plagë këmbe dhe gjymtime. Ai tha se kishte mësuar për një numër të madh të gjymtuarish të tillë në një spital të Athinës.

Por me gjithë humbjet, nënsekretari tha se mënyra e vetme e shkatërrimit të guerrilasve është lufta dhe jo dërgimi i letrave. Për eliminimin e tyre duhet bërë çdo përpjekje. Disa prej tyre mund të largohen matanë kufirit pasi nuk do të guxonin të ktheheshin në Greqi nëse do të merrnin trajtim të ashpër nga ushtria. Qeveria e Shqipërisë nuk ka treguar fare respekt për ligjin ndërkombëtar në të kaluarën dhe ndihma e mëtejshme e saj ose e grupeve të tjera për Markos do të shkaktonte ndërhyrje ushtarake në Greqi për të parandaluar inkursionet në territorin grek gjatë kufirit të shkurtër shqiptar. Sigurisht Departamenti do të merrte në konsideratë propozimin grek për apel te qeveria shqiptare, por kjo nuk do të sillte garanci se çfarë veprimi do të pasonte. Ambasadori Dendramis u përgjigj negativisht kur u pyet nëse grekët kishin kërkuar që francezët të ndërhynin te shqiptarët. Përfaqësuesi amerikan në UNSOOB është udhëzuar të dërgojë një notë te qeveria shqiptare për të kërkuar refuzimin e pranimit të guerilasve në vend, si dhe çarmatosjen dhe internimin e tyre, sipas ligjit ndërkombëtar.

Dislokimi i bombarduesve britanikë

Pa bërë ndonjë kërkesë specifike Ambasador Dendramis ngriti problemin e mbështetjes ajrore për ofensivën anti-guerrile. Ai theksoi se avionët Spitfire mbajnë vetëm nga një bombë të vogël secili prandaj do të ishte e dëshirueshme të dislokoheshin bombarduesit britanikë. Kjo do të rriste moralin e forcave qeveritare dhe do të demoralizonte guerilasit. Lovett theksoi se bombarduesit nuk do të kishin shumë efekt në shkatërrimin e fortifikimeve të vogla në terrenin malor, pasi kjo kishte ndodhur edhe më parë në Okinaëa. Fortifikime të tilla goditen zakonisht me artileri. Nën-sekretari tha gjithashtu se si aviator që kishte qenë edhe vetë, fluturimet e avionëve gjuajtës do të dëmtonin moralin e armikut po aq sa bombarduesit. Ai shtoi se forcat greke kishin avantazhin se armiku nuk kishte forcë ajrore.

Bisedimet e Moskës

Para se të largohej Ambasador Dendramis u interesua për progresin në bisedimet e Moskës dhe nëse do të mbahej takimi i ministrave të jashtëm. Nënsekretari Lovett u përgjigj se duhet të jemi optimistë por tha se ende nuk e dinte nëse bisedimet aktuale, të cilat janë ende në nivel informal dhe jo të negociatave, do të arrinin në një takim të këshillit të ministrave të jashtëm.

Sekretari i shtetit për ambasadën nëFrancë

Uashington, 2 shtator 1948

Departamenti pranon qasjen trepalëshe ndaj Tiranës dhe më pas të përgatitet për veprim të njëjtë me Moskën. Një dalje informacioni duket se ka ndodhur për këtë, por Departamenti sugjeron se veprimi nuk duhet të publikohet deri në marrjen e përgjigjes së Shqipërisë, çka mund të ndihmojë në veprim pozitiv nga Shqipëria. Departamenti beson se lëvizja nuk duhet të drejtohet vetëm në çarmatosjen dhe largimin e guerilasve nga Shqipëria pasi kjo do të bënte njëfarë njohje të rezistencës së tyre. Prandaj apeli duhet të bëhet në drejtim të Shqipërisë që ajo të marrë hapat e duhura sipas detyrimeve të ligjit ndërkombëtar, për ndalimin e nisjes së ekspeditave ushtarake nga territori shqiptar. Një veprim i mundshëm sipas udhëzimeve franceze do të sillte përgjigjen e mundshme shqiptare se ata po i çarmatosin dhe po i largojnë guerilasit. Për të parandaluar këtë ministri francez mund t’i referohet komunikimit shqiptar të 24 gushtit dhe transmetimeve në radio po atë ditë ku përmendet çarmatosja dhe internimi i 1,322 guerrilasve grekë që kishin kaluar kufirin. Ne pranojmë mundësië se disa gueriles mund të jenë çarmatosur dhe internuar, por lëvizjet e fundit të guerilasve mes Shqipërisë e Greqisë në zonën e Gramozit kalojnë shumë herë shifrën e përmendur në Tirana Radio. Ata llogaritet të arrijnë në të paktën 5,000, dhe ka prova se shumë prej tyre janë rikthyer në Greqi nga pika të tjera kufitare. Rreth 1,200, prej tyre për shembull llogaritet se kanë arritur në zonën e Vitsi area nga Shqipëria. Vëzhguesit e agjencisë UNSCOB kanë vërejtur trafik shumë të pazakonte gjatë natës në zonën kufitare me Shqipërinë, ndërsa në rrugën Bozhigrad-Bilisht më 21 gusht dëshmitarë okularë kanë parë një sulm të ashpër të nisur nga territori shqiptar drejt territorit grek, megjithëse ishte fare pranë postës kufitare shqiptare. Ministri francez tha si konkluzion se duka pasur prova të tilla, Shqipëria do të mund të bindë opinionin botëror për mosndërhyrjen e saj në konfliktin e brendshëm grek vetëm me anë të lejimit të vëzhguesve të OKB të angazhuar në mënyrë specifike për problemet kufitare greke. Departamenti beson se ministri francez duhet të theksojë ashpër te qeveria shqiptare, për llogari të SHBA, Britanisë e Francës, se këto tre qeveri mbështesin organet e OKB që po trajtojnë çështjen greke. Departamenti i kupton se propozimi ka ndryshime nga qëndrimi britanik deh vlerëson objektivin taktik të tyre për heqjen e referencave ndaj agjencisë UNSCOB. Por departamenti beson se do të ishte gabim nga pikëpamja diplomatike të tregonim se konflikti mes vendeve satelite i detyron fuqitë perëndimore të japin mbështetjen për OKB si instrument paqeje. Ashtu siç pritet të ndodhë, Shqipëria do të refuzojë inspektorët e agjencisë UNSCOB dhe ministri francez do të hetojë nëse ka një tjetër propozim për verifikimin e sjelljes shqiptare , i cili të ruajë autoritetin e OKB për ruajtjen e paqes. Ambasadori francez në Shqipëri Tirana duhet të bëjë kujdes në formulimin e veprimit në mënyrë që të përftohet veprim i favorshëm nga Shqipëria ose të demonstrohet qartë për opinionin botëror se Shqipëria po refuzon një hetim të paanshëm mbi sjelljen e saj. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here