Partizani në hall, titulli ia ekspozon kualitetet në merkato, frikë nga largimi i lojtarëve

0
327

Dalja kampion i ka dhënë Partizanit një emër të madh, jo se nuk e kishte këtë staturë, por që tani ka rikthyer madhështinë e tij, duke kthyer në shtëpi pas 26 vjetësh titullin në kampionatin kombëtar të futbollit. Por dalja kampion ka dhe pasoja, pasi i ekspozon lojtarët e kuq në treg, ku CV-ja e tyre tashmë kërkohet nga klubet të mira jashtë vendit dhe disa kualitete të rinj të Partizanit pritet të ndryshojnë ambient menjëherë pas ndeshjeve të para eliminatore në Champions League. Nëse skuadra nuk kalon disa raunde, atëherë largimi i disa lojtarëve me kualitet të spikatur është i sigurt. Janë emra si Trashi, Telushi e ndonjë tjetër, por edhe më të rinjtë si Hebaj, Asani, Bardhi, të cilët mund të ndryshojnë ambient gjatë sezonit të ri. Natyrisht, kur është fjala për Superioren ata nuk e ndryshojnë fanellën e kuqe,e por tendenca janë të kalojnë në një kampionat të huaj më cilësor dhe potenciali i tyre teknik e fizik e justifikon lëvizjen. Sinjalet e ofertave nga jashtë janë dhënë, pasi lojtarët e Partizanit kanë qenë në fokusin e trajnerëve të ekipeve kombëtare si Bushi dhe Reja, kështu që kartoni i futbollistëve merr vlerë automatike. Për momentin trajneri Skënder Gega duket i qetë, kjo dhe për faktin se ai e realizoi me sukses misionin e tij për t’i kthyer titullin skuadrës së kuqe pas 26 vjetësh, por edhe se ka marrë garanci nga drejtuesit që baza e ekipit nuk do të preket dhe për Champions League do të ketë përforcime. Madje në një dalje për shtyp para pak ditësh, Gega u duk entuziast pasi klubi i kishte premtuar një organikë të fuqishme për t’u përfaqësuar në kompeticionet e UEFA-s, domethënë në eliminatoret e UEFA Champions League. Mbetet të shihet në dy javët e para të qershorit se kush do të jenë emrat e lojtarëve që do të lakohen në treg si të mundshëm për t’u larguar, por është fakt që të rinjtë e talentuar si Asani e Hebaj nuk mund të qëndrojnë gjatë si “dema” të kuq, pasi ndaj tyre do të shpërthejnë ofertat. Madje për Asanin pritej një interesim (ftesë) edhe nga përfaqësuesja e Maqedonisë, e cila e kishte nën vrojtim lojtarin. Sidoqoftë, në të ardhmen futbollisti mund të angazhohet në skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë, pasi po rritet teknikisht dhe ka një potencial të mirë. Edhe lojtarët e tjerë do të marrin oferta në merkaton e verës, pasi ndikon shumë fakti se Partizani fitoi titullin kampion dhe menaxherët e huaj i lakmojnë shumë lojtarët e skuadrave që fitojnë titullin. Në kampionatet rajonale është më e lehtë, por në gjirin e Partizanit ka futbollistë që mund të luajnë në ekipe të kampionateve cilësore në Europë, gjë që edhe vetë futbollistët e presin një “mrekulli” në këtë periudhë të merkatos verore.

Asani bën sqarim publik pas fotos me Majkëll Ngo të Tiranës

 Partizani kishte dje festë për shkak se arriti të shpallej kampion i Shqipërisë pas 26 vitesh dhe pas festës në sheshin “Nënë Tereza”, futbollistët kanë zgjedhur lokale për të kaluar mbrëmjen. Jasir Asani së bashku me shumë shokë të skuadrës janë ndalur në një nga lokalet e kryeqytetit, por aty rastësisht ishin edhe disa të Tiranës. Kështu, Asani ka shkrepur një foto me sulmuesin shtatlartë të Tiranës, Majkëll Ngo dhe foton e ka publikuar në rrjete sociale. Ajo foto është bërë virale ditën e sotme në media, ku shkruhej se Ngo kishte shkuar për festën e të kuqve. Në fakt, e vërteta duket se qëndron ndryshe dhe këtë e ka sqaruar vetë Asani në “Instagram”. “Dua të sqaroj sa i përket keqkuptimit që ka ndodhur pas fotos që kam publikuar me mikun tim Ngo. Nëse në fushë jemi rivalë, jashtë saj jemi miq, si dhe me shumë futbollistë të skuadrave të tjera. Ngo ishte rastësisht në të njëjtin lokal ku unë dhe disa miq po kalonim kohën dhe në momentin që u takuam me Ngo vendosëm të bënim një foto dhe vetëm kaq. Unë e respektoj Ngo dhe ajo që është shkruar në media nuk është aspak e vërtetë”, shkruante Asani./ Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here