Nga DASHNOR KALOÇI
Edhe pse ishte shteti më i varfër i Europës dhe një ndër vendet me nivel më të ulët jetese në të gjithë botën, regjimi komunist i Tiranës me në krye Enver Hoxhën dhe pasardhësin e tij Ramiz Alia, financonte dhe shpenzonte miliona dollarë, për të ndihmuar Partitë Komuniste marksiste-leniniste, individë dhe grupe të tjera të majta nga e gjithë bota, duke u akorduar atyre fonde, për udhëtime, bileta avioni, fatura hoteli, bursa dhe të drejta studimi, botime të ndryshme, përkthime librash dhe literature politike, blerje materialesh e pajisesh, vizita dhe pushime në Shqipëri, etj., etj. I krijuar në vitin 1964, nën emërtesën “Fondi i Solidaritetit”, (me Vendimin Nr. 190, të datës 10 qershor 1964 të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së), i cili mbante firmën e Enver Hoxhës., përmes kësaj llogarie sekrete u alokuan dhe u shpërndanë miliona dollarë (rreth 12 milionë USD përgjatë viteve 1964–1991), për të financuar dhe mbështetur partitë, lëvizjet dhe grupet komuniste marksiste-leniniste në vende të ndryshme të botës.
Duke iu referuar disa dokumenteve arkivore, harta e shpërndarjes së “Fondit të Solidaritetit” nga ana e udhëheqjes së lartë të PPSh-së, përfshinte shtete nga të pesë kontinentet, duke filluar nga ai amerikan: Brazili, Peruja, Kolumbia, SHBA-ës, Ekuadori, Bolivia, Venezuela, Kili, Argjentina, Uruguaj, Republika Domenikane, Haiti etj. Në kontinentin afrikan: Sudani, Somalia, Kongo, Kongolo Leo Pold Vil, Malgashi, Mozambiku, Namibia, Zimbabve, Angola, Togo, Volta e Sipërme, Gaboni, Egjypti etj..
Në kontinentit aziatik: Irani, Iraku, Libani, Ceiloni, Japonia, India, Laosi, Jordania, Siria etj. Në kontinentin Australi – Oqeani: Australia, Zelanda e Re, Filipinet, Indonezia etj. Në kontinentin evropian: Franca, Italia, Polonia, Belgjika, Austria, Spanja, Zvicra, Holanda, Portugalia, Anglia, Greqia, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Rumania, Gjermania, Jugosllavia etj.
Sipas një vendimi të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1964, kur dhe u krijua “Fondi i Solidaritetit”, të drejtën për akordimin e fondeve për grupet dhe partitë komuniste marksiste-leniniste apo individë të ndryshëm “miq të Shqipërisë”, e kishte vetëm sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Enver Hoxha, kurse pas vdekjes së tij në 1985-ën, atë e “trashëgoi” Ramiz Alia dhe bashkë me të, edhe Foto Çami, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror për propagandën, artin e kulturën dhe marrëdhëniet me jashtë.
Pas vendimit të tyre, me shpërndarjen e fondeve merrej shefi i Sektorit për Marrëdhëniet me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Agim Popa, firmës së të cilit, i bashkëngjitej edhe ajo e Sabaudin Kodrës, shefi i sektorit të Financës në Komitetin Qendror dhe Sadik Pirit. (Pas daljes së tij në pension në vitin 1988, u caktua Flutra Arianiti).
“Fondi i Solidaritetit”, (apo siç njihej ndryshe; “Llogaria 09”) dhe e gjithë praktika e shpërndarjes së tij, ishte “Tepër sekret” dhe për gjithçka lidhej me të, nuk duhet të kishte dijeni askush tjetër, përveç personave të sipërcituar dhe drejtorit të Bankës së Shtetit Shqiptare, Kamber Myftari, si dhe pjesërisht titullarët kryesorë të disa prej ambasadave përkatëse shqiptare të akredituara në vende të ndryshme të botës, të cilëve u xhiroheshin çeqe për t’i shpërndarë personave të caktuar, (grupeve dhe Partive Komuniste Marksiste-Leniniste), sipas vendimit të Komitetit Qendror të PPSH-së.
Për herë të parë për “Fondin e Solidaritetit”, u fol vetëm në vitin 1992, pas rrëzimit të regjimit komunist, ku në kuadrin e hetimeve për favoret financiare e shpenzimeve të tepërta të familjeve të ish-udhëheqjes së lartë të PPSH-së, (kryesisht ato që kishin jetuar në “Bllok” në Tiranë), Kontrolli i Lartë i Shtetit, me kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, hartoi një raport të hollësishme me të gjitha të dhënat financiare e bilancet që nga viti 1964, deri në vitin 1991. Por ajo që mbeti e paqartë edhe pas atij raporti, madje një enigmë e madhe që nuk është sqaruar ende dhe sot pas 36 viteve të shembjes së regjimit komunist, ishte origjina e atij fondi?! As Ramiz Alia me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, anëtarë të Byrosë Politike dhe sekretarë të Komitetit Qendror, nuk e zbardhën atë enigmë dhe nuk folën asnjë fjalë, gjatë procesit të tyre hetimor dhe gjyqësor, si dhe vuajtjes së dënimit me burg në vitet 1933-1997.
Por, pas viteve ’90-të, disa ish-funksionarë dhe zyrtarë të regjimit komunist, kanë pohuar në intervista të ndryshme në media, sikur ai fond ishte akorduar Komitetit Qendror të PPSH-së, nga Partia Komuniste e Kinës që në fillimin e viteve ’60-të, dhe “asnjë qindarkë” nuk ka pasur në atë fond, nga buxheti i shtetit, apo burime të tjera financiare. Ky version për origjinën e “Fondit të Solidaritetit”, edhe mund të ketë deri diku një të vërtetë, pasi në një nga dokumentet arkivore që do publikojmë në këtë shkrim, në janarin e vitit 1991, kur dhe u mbyll përfundimisht ai fond, Ramiz Alia, në mes të tjerash ka shkruar: “Ligji i ri për zgjedhjet, nuk lejon financime nga jashtë, prandaj dhe mund të bëhet zhurmë…”!
Gjithsesi sa më sipër mbetet për t’u investiguar më tej në dokumentet arkivore të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, pasi siç do shikojmë edhe nga disa dokumente që do publikojmë në këtë seri shkrimesh për “Fondin e Solidaritetit”, edhe pse destinacioni i atij fondi ishte për: “grupet, partitë marksiste-leniniste, apo miqtë e Shqipërisë”, ai është prekur edhe për qëllime të tjera, siç ishte blerja e një shtypshkronje për gazetën “Zëri i Popullit”, Pallatin e Kongreseve, etj., apo janë depozituar në bankat e huaja, si në Francë etj., me qëllim marrje interesash bankare etj. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin këto dokumente arkivore të cilat janë nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat botohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, RAMIZ ALIA, PËR DHËNIEN E 125.000 USD DISA PARTIVE KOMUNISTE E GRUPEVE MARKSISTE-LENINISTE
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË Tepër sekret
SEKRETARIATI I KOMITETIT QENDROR
Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!
V E N D I M
Nr.19 Datë 6.3.1986
MBI PËRDORIMIN E FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITIT 1986 PËR PARTITË DHE LËVIZJET MARKSISTE-LENINISTE
Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH, në datën 6.3.1986,
Vendosi:
I. Nga fondi i solidaritetit që ka në dispozicion Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH, për vitin 1986 të vihet në dispozicion për nevoja të partive marksiste-leniniste, një shumë prej 30.000 dollarësh.
Autorizohet Sekretari i Komitetit Qendror të japë ndihma partive dhe organizatave m-l, duke gjykuar për çdo rast konkret, deri 10.000 dollarë, brenda shumës 30.000 dollarë. Në raste të tjera veprohet me vendim të Sekretariatit të Komitetit Qendror.
II. Për shpenzime udhëtimi e dieta për delegacionet e partive m-l dhe miqtë e ftuar nga Komitetit Qendror i PPSH, për pushime, mjekime etj., të vihen në disposizion 45.000 dollarë.
III. Për shpenzime të propagandës (botime librash, ndihmë për shtëpitë botuese jashtë shtetit që botojnë materialet tona, abonime dhe blerje librash etj.) të vihen në dispozicion 20.000 dollarë.
IV. Me zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Sektori i Jashtëm i Komitetit Qendror të PPSH.
SEKRETARI I PARË I KOMITETIT QENDROR
TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË
RAMIZ ALIA
Nr. 1606 Prot. Datë 6.3.1986
SEKTORIT TË JASHTËM
K Ë T U
DOKUMENTI ARKIVOR ME URDHËRESËN E SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, FOTO ÇAMI, DËRGUAR SEKTORIT TË FINANCËS SË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR, PËR DHËNIEN E 2.000 USD PARTISË KOMUNISTE TË KILIT “AKSIONI PROLETAR”
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR
Tiranë, më ________ 1987___ Tepër-Sekret
Nr. Prot.
LANDA:
FINANCËS APARATIT TË KQ TË PPSH
Këtu
Të vihen në dispozicion të Partisë Komuniste të Kilit (Aksioni Proletar) shuma prej 2.000 (dymijë) dollarë, për nevojat e propagandës së kësaj Partie, bazë Vendimit nr.19 datë 6.3.1986.
Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH
Foto Çami
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORTIN E DEGËS SË FINANCËS SË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR, PËR BILANCIN DHE VEPRIMET E ARKËS ME FONDIN E SOLIDARITETIT GJATË VITIT 1986, I FIRMOSUR NGA SHEFI I SEKTORIT TË JASHTËM, AGIM POPA
BILANCI I ARKËS PËR VEPRIMET E VITIT 1986
Aktivi Pasivi
Hyrjet Dollar Daljet Dollar
1) Gjendja e bankës më 1.1.1986 dollar….. 2.999.016.98 1) Shuma shpenzimeve 26.753.88
2) Arkëtim nga Agjensia Ajrore dollar ……. 1.120.32 2) Kongresi IX PPSH 46.938.08
3) Diferencë kursi për datë 15.11.1986 dollar 0.34 3) Tërheqje me vendim të KM 295dt 24.9.85 730.000
4) Arkëtim interesa bankare dollar 153.437.- 4) Gjendja në bankë më 31/12/86 dollar… 2.353.447.68
5) Arkëtim nga Ambasada Ankara dollar…….. 3.565.-
shuma dollar 3.157.139.64 shuma dollar 3.157.139.64
SABAUDIN KODRA FLUTRA ARIANITI
SHEFI SEKTORIT TË JASHTËM
AGIM POPA
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORTIN E SELTORIT TË FINANCËS SË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, LIDHUR ME SHPENZIMET E AKORDUARA PËR PARTITË KOMUNISTE DHE GRUPET MARKSISTE-LENINISTE QË MORËN PJESË SI TË FTUAR NË KONGRESIN E 10 TË PPSH NË TIRANË NË VITIN 1986, TË FIRMOSUR NGA AGIM POPA
SHPENZIME PËR KONGRESIN E IX TË PPSH
Nr. Përshkrimi Dollar
1) Dhënë delegacionit të PK të Kanadas 535-
2) Bileta avjoni për miqt e ftuar 1966-
3) Bileta avjoni për miqt e ftuar 13289.13
4) Dhënë valutë për shpenzime udhëtimi delegacionit Kanadez 2050
5) Bileta avjoni 7385.59
6) Bileta avjoni 4623.48
7) Bileta avjoni 5126.03
8) Bileta avjoni 3016.55
9) Bileta avjoni 6654.06
10) Biletë avjoni për Ibrahim Gora 949.16
11) Dhënie valutë për shpenzime udhëtimi delegacionit Partisë Komuniste të Perus 300
12) Shpenzime hoteli për: Ali Mohamed 77.08
13) Shpenzime hoteli për miqt, xhiruar ambasadave 966.-
Shuma gjithsej 46.938.08
SABAUDIN KODRA FLUTRA ARIANIT
SHEFI SEKTORIT TË JASHTËM
AGIM POPA
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORTIN E SEKTORIT TË FINANCËS SË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, LIDHUR ME PASQYRËN E VITIT 1986 TË SHPENZIMEVE PËR DHËNIE DIETASH E UDHËTIME DISA PARTIVE KOMUNISTE, INDIVIDËVE DHE GRUPEVE MARKSISTE-LENINISTE, FIRMOSUR NGA SHEFI SEKTORIT TË JASHTËM AGIM POPA
PASQYRE E SHPENZIMEVE UDHËTIM E DJETA
Nr. Përshkrimi Dollar
1) Dhënë Ambasadës Paris, paguar hoteli E. Pires 63.66
2) Blerje dy bileta avjoni për Bashir Sankaran 278.08
3) Dhënë Ambasadës Romë shpenzime për miqt Meksikan; Irlandez 256.16
4) Dhënë Ambasadës Romë shpenzime për hotelin miqve Ekuadorian e Irlandez 495.57
5) Bileta avjoni delegacionit PK të Meksikës 4236.03
6) Dhënie valute për biletë udhëtimi Santos Carlos 845-
7) Dhënie valute delegacionit PK Spanjës, shpenzime udhëtimi 600-
8) Xhiruar Ambasadës Beograd për shpenzime hoteli Indonesian i Soejono 28.57
9) Bileta avjoni Rafael Mehija dhe P. Fraco 2270.77
10) Bileta avjoni për Daniel Bon 181.56
11) Bileta avjoni J.Fernandes dhe M. Blanko 643.83
12) Bileta avjoni për R. Mehia dhe P. Franko 1605.95
13) Taksë vize peruanit Perez 5.64
14) Likujdim shpenzimesh për mikun portugez si dhe bileta avjoni për F. Lopez dhe Ch Banko 548.47
15) Bileta avjoni për miq partie 3049.85
16) Dietë çiftit Braziljan të radios 168-
17) Shpenzime udhëtimi për Selim Suphi 221.87
18) Bileta avjoni për çiftin Braziljan dhe K. Imdat 802.33
19) Biletë udhëtimi për S. Komla 311.56
20) Bileta avjoni për miqt e PK Suriami 871.75
21) Xhiruar Ambasadës Romë për shpenzime për miq partie 174.42
22) Bileta avjoni për Rangi Tejlor 1579.69
23) Biletë avjoni për indonezianin Soejono 506.03
24) Shpenzime për Rosner 6.40
shuma 19751.19
SABAUDIN KODRA FLUTRA ARIANITI
SHEFI SEKTORIT JASHTËM
AGIM POPA
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORTIN E SEKTORIT TË FINANCËS SË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, ME PASQYRËN E SHPENZIMEVE PËR BLERJE PULLASH POSTARE DHE NDIHMASH PËR PARTINË KOMUNISTE TË KILIT DHE ASAJ DOMENIKANE, FIRMOSUR NGA SHEFI SEKTORIT TË JASHTËM AGIM POPA
SHPENZIME PËR PROPOGANDËN
Xhiruar Ambasadës Romë për blerje pullash dollar 2.69
SABAUDIN KODRA FLUTRA ARIANITI
SHEFI SEKTORIT JASHTËM
AGIM POPA
PASQYRA PËR DHËNIE NDIHMASH
Dhënie Ndihme PKP të Domenikës ………….. dollar 5.000
Dhënie ndihme PK të Kilit …………. dollar 2.000
gjithësej dollar 7.000
SABAUDIN KODRA FLUTRA ARIANITI
SHEFI SEKTORIT TË JASHTËM
AGIM POPA
DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, RAMIZ ALIA, MBI DORËZIMIN E LLOGARISË SË FONDIT TË SOLIDARITETIT, NGA SADIK PIRI, TE FLUTURA ARIANITI, PËR ARSYE TË DALJES SË TIJ NË PENSION
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË SEKRET
SEKRETARIATI I KOMITETIT QENDROR
Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!
V E N D I M
Nr. 14 Datë 10.2.1986
MBI DORËZIMIN E LLOGARISË SË FONDIT TË SOLIDARITETIT NGA SHOKU SADIK PIRI, MARRËSES NË DORËZIM NGA SHOQJA FLUTURA ARIANITI
Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH, mbas shqyrtoi propozimin e Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të Partisë, mbi dorëzimin e llogarisë së fondit të solidaritetit nga ana e shokut Sadik Piri, i cili del në pension, në datën 10.2.1986,
Vendosi:
Të miratojë marrjen në dorëzim të kësaj llogarie si firmë e dytë nga ana e shoqes Flutura Arianiti, duke filluar nga data 1 shkurt 1986.
Me zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Sektori i Jashtëm i Komitetit Qendror të PPSH./ Memorie.al










































