Po mbushen 4 muaj nga vdekja e trishtë e Emiliano Sala, i cili humbi jetën gjatë udhëtimit me avion privat nga Nantesi drejt Kardifit, ku do firmoste kontratën e re. Avioni i drejtuar nga piloti i tij humbi nga radarët dhe ai u gjet në fund të detit ku humbën jetën të dy. Së fundmi, në skenë ka një mesazh audio që Sala i ka dërguar një familjari më 6 janar, dy javë para se të ndodhte aksidenti tragjik. “L’Equipe” ka publikuar këtë mesazh zanor, në të cilin ish-lojtari argjentinas bënte të qartë se nuk ishte shumë i lumtur që po shkonte te Kardif dhe se më shumë kishte qenë një vendim që ia kishte imponuar presidenti i Nantës, Valdemar Kita. Ai i drejtohej me këto fjalë: “Fola mbrëmë me agjentin, më tha që Frank Kita, i biri i presidentit Kita, i kishte thënë se duan të më shesin. Ata kanë marrë një ofertë nga Kardifi. Kanë vendosur një çmim të lartë, megjithatë ata kanë pranuar. Është kontratë e mirë, por jo interesante për mua. Ata duan të shkoj me çdo kusht. Nuk kam frikë sepse jam mësuar me sfida gjithë jetën time. Shpresoj që agjenti të gjejë diçka më të mirë. Nuk dua ta shoh më Kitan sepse acarohem. Do që unë të shkoj në Kardif, i interesojnë vetëm lekët, pa më pyetur se çfarë dua unë. Më duhet ta shoh përditë surratin e tij”.