Anëtarët e mazhorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve refuzojnë kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, me argumentet se partitë nuk janë subjekt zgjedhor, dhe nuk janë më parti parlamentare. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso tha se anëtarët e KQZ janë kërcënuar nga mazhoranca për të mos pranuar komisionerë, ndërkohë ishte vetë ai që e ktheu në kërcënim ndaj anëtarëve duke i përmendur burgun në rast se nuk votojnë. Bledar Skënderi, anëtari i KQZ-së deklaroi votën kundër. “Nuk kanë të drejtë ligjore për të çuar komisionerë”, tha ai. Ndërsa referuar atyre që ai i quajti presione nga ana e Ivi Kasos se do të ketë kallëzime penale nëse nuk pranohen komisonerët, ai u shpreh: “Ne kemi vetëm ligj në bindjen tonë dhe do ta zbatojmë atë”.