Zbardhen dokumentet, ja si Greqia tentoi të rrëmbente jugun e Shqipërisë në pranverën e 1946, Britanikët nisën të largohen nga Tirana pas përplasjeve me Hoxhën

0
345

Greqia ka tentuar për vite e vite me radhë të rrëmbejë territoret tona. Në disa dokumente të deklasifikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, tregohet se si në vitin 1946 Greqia donte të merrte një pjesë të territorit në jug, përfshirë dhe Korfuzin. Po ashtu tregohet se si diplomatë britanikë nisën të largohen nga Tirana.

Uashington, 22 prill 1946

Memorandum nga Komiteti i Marinës për sekretarin e shtetit

Në përgjigje të kërkesës nga sekretari i shtetit për vlerësimin strategjik të Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e Epirit të Veriut, ushtria ka rekomanduar sa më poshtë për komisionin:

Zona e Epirit të veriut është malore dhe ka kalime të rëndësishme nga fushat e Shqipërisë drejt kufirit grek. Zona ka disa vlera minerale ndërsa prodhimi i saj ushqimor është i rëndësishëm për Shqipërinë e varfër. Me shumë gjasa Greqia mund të mbrojë veten nga sulme të mundshme kufitare, por marrja e Epirit të Veriut do të forconte kapacitete e saj ndaj Shqipërisë. Por jo në masën e garantimit të mbrojtjes nga një koalicion apo disa kombe përfshi dhe Shqipërinë.

  • Përveç rastit kur janë bërë paraprakisht përforcime kufitare, nuk ka mundësi që marrja e Epirit të Veriut të forcojë Greqinë nga një sulm i mundshëm nga veri-perëndimi.
  • Ndërsa humbja e Epirit të Veriut për Shqipërinë do t’i hiqte vendit të vetmin pozicion mbrojtës nga jugu, diçka që nuk ekziston në drejtim të kundër për Greqinë, pasi kufijtë e saj aktualë janë të përshtatshëm për mbrojtje.
  • Shqipëria është e varur nga Jugosllavia për importin e disa ushqimeve prandaj humbja e Epirit të Veriut, duke llogaritur dhe prodhimin ushqimor të asaj zone, do ta afronte më shumë atë me Jugosllavinë në bashkëpunim ekonomik dhe ushtarak, e ndoshta hyrje në federatën e jugosllave.
  • Dhënia e këtij territori Greqisë me shumë gjasa do të sjellë luftë guerile që mund të rrezikojë paqen në Ballkan.

Uashington, 24 prill 1946

Nën-sekretari i shtetit për sekretarin e shtetit në Paris: Në një letër të 18 prillit i dërguari në Jugosllavi kërkonte që qeveria e SHBA të ftojë Shqipërinë në konferencën që nis në Paris në 11 maj. Kjo mund të shërbejë për të qartësuar më shumë qëndrimin tonë ndaj Shqipërisë dhe zhvillimeve të fundit atje në lidhje me misionin tonë. Ne duhet të përmendim se i njohim përpjekjet e Shqipërisë kundër agresionit fashist dhe rrjedhimisht besojmë se shqiptarët duhet të jenë prezentë në konferencën e paqes, por SHBA nuk e konsideron veten në pozitë për të marrë një vendim duke parë qëndrimin aktual të autoriteteve shqiptare ndaj përfaqësisë së SHNA në vend dhe në dështimin e tyre për marrjen e detyrimeve thelbësore të kërkuara nga njohja e SHBA.

Acheson

Tiranë, 26 prill 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri (Jacobs) për delegacionin e SHBA në Paris: Pas studimit të problemit kufitar greko-shqiptar ne besojmë se aprovimi i pretendimeve greke do të mohonte ekzistencën e Shqipërisë ekonomikisht dhe si shtet i pavarur, ndërsa për këtë të fundit SHBA është përkushtuar në deklaratën e sekretarit Hull në dhjetor 1942. Një zgjidhje e përshtatshme për Greqinë mund të jepet për ishujt Dodecanese në mënyrë që ajo të heqë dorë nga Epiri i Veriut. Kjo është një zgjidhje e propozuar dhe gjatë luftës së fundit kur Italia kapi ishujt Dodecanese. Marrëveshja do të ishte e drejtë për të dyja palët dhe do të bënte të vështirë për sovjetikët pretendimet, pasi duke bërë këtë do të paragjykonin Shqipërinë në kufijtë e saj aktualë. Pjesë e marrëveshjes do të ishin garancitë për minoritetet në të dyja anët e kufirit, ose zgjedhja e vendit të banimit dhe ndryshimit të tij, duke kryer riatdhesimet nën monitormin e OKB. Duke propozuar të parët për zgjidhjen ne mund të rifitojmë ca nga prestigji ynë i humbur nga rezoluta Pepper.

Caserta, 22 mars 1946

M. Byington, komandanti aleat i Mesdheut, për sekretarin e shtetit: U takova me kolegët britanikë me kërkesë të tyre në lidhje me tërheqjen nga Shqipëria. Gjeneral McLeod tha se komunikimet që po marrin janë gjithnjë e më alarmuese prandaj për sigurinë e misionit dhe Brigadier Hodgson rekomandon largimin pa vonesa. McLeod rekomandon që tërheqja nga Shqipëria të koordinohet me veprimin amerikan. Unë i thashë se dhe Jacobs kishte shpjeguar se Departamenti nuk do të hezitonte kurrë të vinte në rrezik sigurinë e personelit të misionit thjesht për të marrë koordinim kohor me aleatët. General McLeod tha se situata është bërë e sikletshme dhe demonstrimet armiqësore mund të ndodhin së shpejti. Arnot ka marrë gjithashtu një raport që konfirmon frikën e tij se mund të nisin gjyqet politike dhe marrjet në pyetje të elementëve armiqësorë. Në një prej raporteve thuhej se “gjenerali britanik jo vetëm ka mbështetur tradhtarët por ka organizuar lëvizjen e tyre”. Prandaj General McLeod nxit me urgjencë zyrën britanike për autorizim të menjëhershëm të tërheqjes së misionit. Kërkoj udhëzime të shpejta.

Shënime nga takimi i grupit për pranimet e reja në OKB

Sandifer hapi takimin me deklaratën për statusin e aplikimit nga Shqipëria dhe propozoi kalimin e tij te komisioni i ekspertëve. Rusët kërkonin përshpejtimin dhe votimin e procedurës, por ajo më vonë mund të përballet me veton amerikane. Raynor tha se ne “nuk dëshirojmë të ndalojmë me veto aplikimin e Shqipërisë, por të pranojmë atë në këmbim të tolerimeve nga sovjetikët për aplikimet e vendeve të preferuara nga SHBA. Ai tha se mund të sigurojmë shtyrjen e çështjes shqiptare por jo të gjithë ishin optimistë. Satterthuaite, tha se me shumë gjasa rusët po e përdorin çështjen shqiptare për t’i hapur rrugë diskutimit në Nju Jork. Pas një diskutimi për aplikimet e vendeve të tjera, çështja u kthye në mundësinë e vendosjes së Shqipërisë në axhendën ditore. Pikëpamjet e shprehura thoshin se kjo ishte kundër politikës sonë të diskutimit të barabartë, prandaj nuk mund të jepnim një rezolutë pozitive me taktika të tilla. Raynor tha se kalimi i një rezolute me terma të përgjithshme do të nxisë shtete të tjera të avanconin aplikimet e tyre te sekretari i përgjithshëm.

Uashington, 9 prill 1946

Sekretari i shtetit për përfaqësuesin në Shqipëri (Jacobs): Ambasadori grek ka prezantuar një dokument ku thuhet se qeveria e tij është informuar se një valë e re terrorizmi ka përfshirë zonat e Epirit të Veriut ku grekët etnikë po arrestohen, dëbohen dhe persekutohen. Dokumenti thotë se “dy priftërinj grekë dhe dy njerëz të thjeshtë” u arrestuan më 10 shkurt në Premet dhe u burgosën në Gjirokastër, Delvinë e HImarë. Shënimi thotë se të arrestuarit përballen me ekzekutim të mundshëm prandaj kërkohet ndërhyrja e Departamentit në ndihmë të tyre: Soterios Louis, Athanasios Pantos, Papachristos, Spelios Louis, Evangelos Tachos, George Liakos and Vasilios Partalis.

Uashington, 11 prill 1946

Memorandum anëtarit të komitetit të marinës (Mattheus) për Komitetin: Departament i shtetit është angazhuar urgjentisht në studimin e pretendimeve greke për korrektim të kufirit me Shqipërinë ku përfshihet zona e njohur si Epiri i Veriut ose Jugu i Shqipërisë. Departamenti mori një memorandum nga ambasada greke në Uashington në lidhje me traktatin e paqes për t’u negociuar, i cili thotë si më poshtë: “Qeveria greke kërkon shtyrje të mëtejshme të çështjes pasi e konsideron dëmtuese ndaj interesave të saj kombëtare dhe shpreson që garanci të jepen nga Shtetet e Bashkuara dhe Britanikët në kohën e dhënies së njohjes për regjimin e Hoxhës për të mos paragjykuar pretendimet territoriale greke dhe rishikim të çështjes së njohjes së Epirit të Veriut për Greqinë. Qeveria greke kërkon të përfitojë të gjithë Epirin e veriut (Shqipërinë jugore) bazuar në konsideratat etnike dhe strategjike. Departamenti i Shtetit nuk mund të bëjë aktualisht vlerësimin e pretendimeve greke, ndërsa shqiptarët dëshirojnë që kufiri të mbetet ashtu siç ka qenë në 1939. Sekretari i shtetit do të marrë pjesë në këshillin e ministrave të jashtëm më 25 prill, 1946 prandaj duhet të pajiset me të gjitha informacionet që e aftësojnë të formulojë qëndrimin e tij brenda afateve. Duke parë rëndësinë e çështjes dhe elementin kohor Departamenti do të dëshironte marrjen e një vlerësimi strategjik nga Greqia e Shqipëria për rajonin e kontestuar.

Paris, 6 maj 1946

Memorandum bisede nga James E. Doyle: Zoti Dragoumis foli i pari për kufijtë mes Greqisë dhe Shqiëprisë dhe ato mes Greqisë e Bullgarisë. Ai deklaroi se njerëzit e evakuuar nga këto zona gjatë luftës kanë frikë të kthehen atje ose në çfarëdo territori grek prej gjedhes së paqartë. Në lidhje me kufirin shqiptar ai tha se ndarja ekzistuese i jep një avantazh strategjik Shqipërisë, dhe kjo u demonstrua nga pushtimi italian i Greqisë, e cila erdhi nga Shqipëria. Ai e konsideron ratifikimin e kufirit shqiptar si të rëndësishëm pasi Shqipëria është objekt influence nga fuqitë e mëdha dhe ka një vendosje strategjike në Adriatik, prandaj intereson shumë vendeve të tjera kufizimi i fuqisë së saj. Dragoumis përmendi ishullin e Sazanit për të cilin tha se i ishte dhënë Shqipërisë nga Greqia në vitin 1913. Italia e mori ishullin nga shqiptarët dhe e fortifikoi atë. Duke pasur parasysh vendosjen e tij strategjike Greqia kërkon kthimin e tij. Sekretari shprehu mendimin se ndryshimet e kufijve nuk shtonin as sigurinë e Greqisë dhe as të një vendi tjetër. Shpresa e sigurisë është OKB dhe nëse kjo dështon asnjë ndryshim kufijsh nuk do ta bëjë atë të sigurt. Ai shpjegoi se çështjet e përmendura nga Dragoumis nuk ishin diskutuar nga Këshilli përveç ishujve Dodecanese. Këshilli ka rënë parimisht dakord që ishujt Dodecanese t’i kalojnë Greqisë, por sovjetikët nuk kanë rënë dakord për çështjen dhe në fakt refuzuan përsëri në takimin e sotëm. Sekretari tha se nga nesër Këshilli do t’i rikthehet traktateve të Ballkanit. Dragoumis komentoi se do të ishte e vështirë për çdo qeveri greke të nënshkruante traktatet të cilat “nuk korrektojnë padrejtësinë e Epirit të Veriut” dhe në Trakë. Sekretari tha se italianët e jugosllavët thoshin të njëjtën gjë si grekët për traktatet e tyre, dhe trembeshin se dot trajtoheshin padrejtësisht. Dragoumis tha se Greqia, ndryshe nga Italia, kishte luftuar gjithë kohën në krahun e Aleatëve. Sekretari tha se e vlerësonte këtë dhe tha me admirim se grekët kishin luftuar me trimëri. Dragoumis iu rikthye më pas çështjes së anijeve duke theksuar rëndësinë e anijeve për Greqinë dhe humbjet që ajo kishte pësuar. Ai kërkoi ndihmën e SHBA për të marrë disa anije tregtare për Greqinë nga Italia ose burime të tjera. Sekretari tha se diskutimi i vetëm në Këshill për Greqinë është ai për një mjet lundrues italian për të zëvendësuar transportuesen greke të fundosur nga italianët. Ai shtoi se kur Këshilli të diskutojë për flotën tregtare italiane, dot kujtohet për interesat e qeverisë greke për çështjen. Në përgjigje të një pyetjeje nga sekretari i shtetit, Dragoumis shpjegoi rëndësinë e ishujve Dodecanese për Greqinë për peshkimin e sfungjerët. Dragoumis falënderoi sekretarin e shtetit për vëzhguesit e zgjedhjeve të fundit. Sekretari tha se autoritetet kishin uruar Greqinë për zgjedhjet dhe mënyrën e kryerjes së tyre. Dragoumis sugjeroi mundësinë e pjesëmarrjes së SHBA në zgjedhjet e ardhshme. Sekretari tha se SHBA sigurisht do të marrë pjesë nëse kërkohet nga qeveria greke dhe diçka e tillë do të shtonte besimin e botës në drejtësinë e zgjedhjeve.

Uashington, 8 maj 1946

Sekretari i shtetit për përfaqësuesin në Shqipëri: Përgjigja për Gjeneral Hoxha në lidhje me komunikimin e 12 prillit 1946, ku kërkohen qartësime në shtyp dhe radio për rezolutën mbi Epirin e Veriut, duhet të bëhet sipas linjave të mëposhtme- Nisja e Memorandumit: Qeveria e SHBA i referohet komunikimit të 12 prillit 1946, ku Hoxha shpreh dëshirën e largimit të keqkuptimeve që mund të paragjykojnë marr 137dhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA duke kërkuar qartësim për lajmet e raportuara nga Radio London, Reuters dhe shtypi amerikan në lidhje me Epirin e Veriut (Shqipërinë jugore). Qeveria e SHBA duke dashur edhe ajo të eliminojë keqkuptimet, fton vëmendjen e gjeneralit Hoxha te faktet e mëposhtme: Më 19 shkurt 1945, Senator Pepper dorëzoi rezolutën e mëposhtme në komitetin marrëdhënieve me jashtë: “Përfunduar, Senati pranon se Epiri i Veriut (përfshi dhe Korfuzin) dhe dymbëdhjetë ishujt e detit Egje të njohur si Dodecanese, ku dominon popullsia greke, duhet t’i jepen Greqisë dhe të bëhen pjesë e territorit të saj.” Rezoluta është paraqitur në komitet pa amendmente, më 27 mars 1946. Senati deri tani nuk ka marrë veprime për rezolutën. Senati amerikan mund të shprehë pikëpamjet e tij mbi çfarëdo çështje që i intereson. Por veprimi i marrë nga Senati nuk duhet kuptuar si qëndrimi i ekzekutivit të SHBA pasi për diçka të tillë nevojiten qëndrimet e disa agjencive.

Acheson

Tirana, 4 qershor, 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri(Jacobs) për sekretarin e shtetit në Paris:Mora sot një njoftim nga ministria e Jashtme shqiptare, i nënshkruar nga Enver Hoxha, i cili në disa kapacitete të tij akuzon Greqinë se në shkelje të të gjitha parimeve njerëzore ka dëbuar në Shqipëri rreth 23,000 banorë çamë nga veriperëndimi i Greqisë, prandaj i kërkon Këshillit të Ministrave të marrë masa të menjëhershme: të kryejë riatdhesimin e tyre, të garantojë të drejtat e tyre civile, kulturore e politike, të kryejë kthimin dhe riidentifikimin e pronave të tyre, dhe të dënohen personat përgjegjës. Një shënim i ngjashëm i është dorëzuar përfaqësuesit franceze dhe supozoj dhe përfaqësuesit sovjetik e britanik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here