Zbardhen shifrat, ILDKP kallëzoi penalisht 24 zyrtarë gjatë vitit 2018, fshehën dhe refuzuan të deklaronin pasurinë

0
299

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kallëzuar penalisht gjatë vitit 2018 plot 24 zyrtarë për fshehje apo mosdeklarim të të ardhurave. Shifrat janë bërë publike në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme. “Gjatë vitit 2018, bazuar në kallëzimet e paraqitura nga ILDKPKI, janë regjistruar 24 procedime penale për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe 14 procedime u dërguan në gjykatë. Të dhënat krahasimore në dy vite, tregojnë tendencën në rritje të numrit të procedimeve për këtë vepër, e konkretisht nga 20 procedime të regjistruara në vitin 2017, në 24 procedime të regjistruara në vitin 2018 ose e shprehur në përqindje, rritje me 20 %”, thuhet në raport. Më tej, theksohet se marrëdhëniet me Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, për shkak të specifikës ligjore dhe praktike, vlerësohen të një rëndësie prioritare për prokurorinë, ashtu siç u trajtuan edhe më sipër. “Marrëdhëniet me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Kontrollit të Interesave, si institucione të angazhuara posaçërisht në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin dhe referuese të rëndësishme për vepra penale që lidhen me detyrën, janë ndërtuar në bazë të ligjit dhe memorandumeve të bashkëpunimit’, thuhet në raport. Aty theksohet se në kuadrin e reformës në drejtësi dhe ndryshimeve rrënjësore në sistemin e organizimit dhe të funksionimit të prokurorisë, me synim unifikimin e qëndrimit të prokurorisë për problematika të caktuara, Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me Projektin EURALIUS V ka ngritur grupe pune të përbashkëta dhe po punohet për rishikimin dhe përgatitjen e udhëzimeve të përgjithshme të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesve të prokurorive, për unifikimin dhe përmirësimin e veprimtarisë organizative dhe funksionale të prokurorisë në të gjitha hallkat dhe nivelet e juridiksionit të përgjithshëm, në përqasje me standardet evropiane dhe praktikat e mira të prokurorive në vendet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, është ngritur grup pune i përbashkët me ekspertët e EURALIUS-it që synon marrjen e ekspertizës dhe eksperiencës ndërkombëtare në çështje që lidhen me bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here