Fundoset Agron Tufa, deputetët e PS paralajmërojnë masa për sulmet ndaj LANÇ, Kuvendi hetime për Institutin e Krimeve të Komunizmit

    0
    451

    Sulmet e hedhura ndaj partizanëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare duket se po i kthehen në “boomerang” kryetarit të Institutit për Studimin mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa. Deklaratat e tij kanë bërë shumë “bujë” ditët e fundit dhe kanë shkaktuar mjaft reagime, ku pjesa më e madhe janë pozicionuar kundër Tufës. Pjesë e atyre që kundërshtojnë akuzat e kreut të ISKK janë edhe vetë socialistët. Ata paralajmëruan dje se do të vihen në lëvizje dhe do të marrin masa ndaj Agron Tufës. Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj, deklaroi gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” se do të rishikohet ligji sesi është zbatuar dhe do të auditohet puna e institucionit që drejton Tufa sepse e ka kapërcyer objektivin. Sipas saj, këto sulme duhet të marrin fund menjëherë. “Instituti ka shkuar përtej asaj çfarë ligji i ngarkon si detyrë. Pikërisht se kjo është kaq e qartë dhe mbi të gjitha kaq flagrante, kemi detyrimin si ligjvënës të reagojmë, duke riparë ligjin si ai është zbatuar dhe institucionin në të njëjtën linjë. Lufta Nacional-Çlirimtare ishte luftë në mbrojtje të vlerave të civilizimit të gjithë botës dhe humbësit dhe fituesit e saj i ka ndarë historia e kombeve që më 9 maj 1945, Dita e Fitores kundër Nazi-Fashizmit. Kushdo që i kundërvihet kësaj, me çfarëdo justifikimi, meriton përçmim publik dhe frenim të menjëhershëm!”, tha Ermonela Felaj. Si kryetarja e Komisionit të Sigurisë mendon edhe deputeti i PS, Bujar Çela. Në një reagim për gazetën, ai u shpreh se ndaj Tufës duhet të merren masa dhe të ndalen pseudo-historianët. “Unë këtë çështje e kam ngritur edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS dhe kam kërkuar që të mbajmë qëndrimin tonë. I pyeta kolegët, cili është qëndrimi ynë: Pro luftës dhe atyre që dhanë jetën apo pro pseudo-historianëve si Tufa? Unë mendoj që ky përfaqësues i Institutit nuk është në gjendje të bëjë analizën e krimeve të komunizmit, ata nuk mund të quhen kriminelë. Kështu që unë mendoj që vetë Tufa bashkë me ekipin që ka duhet të mblidhet si tufë dhe të digjet në një turrë drush dhe kështu vendoset historia se kush ka bërë krime. Sepse krime po bëjnë këta. Kjo shoqëri ka nevojë për paqe dhe jo për luftë”, deklaroi Bujar Çela.

    Reagimet e tjera

    Në të njëjtën linjë me Çelën dhe Felajn ishte dje edhe deputeti Sadri Abazi. Edhe sipas tij, Agron Tufa nuk ka asnjë të drejtë të shpifë për partizanët dhe për këtë arsye kërkon të merren masa ndëshkimore ndaj tij e të nisë një proces hetimor. “Tufa nuk ka asnjë lloj mundësie që të shkruajë për historinë e asaj kohe, ai nuk ka jetuar në kohën që ata kanë luftuar. Kjo është një periudhë për të cilën Tufa shkruan me hamendje. Patjetër që kjo çështje do të hetohet, Parlamenti do të vihet në lëvizje për ta hetuar sepse po shpifet për partizanët. Por këtu nuk bëhet fjala për një emër të përveçëm, bëhet fjala për një institut që është ngritur për një qëllim tjetër. Nga komunisti Sali Berisha i kemi të gjitha këto peshqeshe, por historia e atyre që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë është tjetër nga ajo që shkruan Tufa me shokët e tij. Gjaku i tyre u dha për t’u çliruara Shqipëria dhe jo që nesër të baltosen. Prandaj them që duhet të merren masa”, tha Abazi për gazetën. Ndërsa socialisti Andrea Marto i kërkoi Agron Tufës që të faktojë deklaratat e tij. “Lufta Nacionalçlirimtare është faqja më e ndritur në historinë e Shqipërisë. Me luftën kundër fashizmit dhe nazizmit shqiptarët u rreshtuan në anën e duhur të historisë. Për rrjedhojë kontributi i pjesëmarrësve në këtë luftë duhet të vlerësohet dhe nderohet nga të gjithë. Atyre që mendojnë ndryshe, duhet që në mënyrë të dokumentuar t’u tregohet se e kanë gabim dhe nëse vijojnë me qëndrimet e tyre, kjo pakicë nuk mund t’i imponohet opinionit të gjerë publik”, deklaroi Andrea Marto.

    Mimoza Ibra

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here