Gjermanët i vënë vizën Kryemadhit pas sulmeve ndaj Fleckenstein e Borchardt, raportuesi për Shqipërinë apel PD të futet në zgjedhje, anashkalon LSI

0
278

Gjermanët duket se i kanë vënë vizën kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhit. Kjo e fundit gjatë ditëve të fundit ka shpërthyer në sulme të forta në adresë të ndërkombëtarëve, por veçanërisht ndaj atyre me origjinë gjermane. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Knut Fleckenstein dhe ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt janë sulmuar hapur nga Kryemadhi, duke i akuzuar si të përfshirë në afera dhe në skandale seksuale. Të dy zyrtarët në fjalë janë gjermanë dhe një gjë e tillë duket se ka sjellë pasojat e para për kryetaren e LSI. Prej disa ditësh në Tiranë ka mbërritur deputeti i Bundestagut, Christian Petry, i cili njëkohësisht raporton për Shqipërinë në Bundestag, sa i takon situatës politike, pasi është kryetar i Komisionit për çështjet e Bashkimit Europian. Por ajo që ra në sy ka të bëjë me axhendën dhe deklaratat e eurodeputetit gjerman. Ky i fundit ka zhvilluar takime me zyrtarë të mazhorancës, përfshi këtu kreun e grupit të PS, Taulant Balla si dhe me kryetarin e PD, Lulzim Basha. Ndërkohë që nuk ka zhvilluar asnjë takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, duke i treguar se Berlini njeh si parti vetëm Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike dhe jo Lëvizjen Socialiste për Integrim. Madje, braktisjen që gjermanët i kanë bërë LSI-së e dëshmon edhe fakti se nuk është dhënë asnjë njoftim se mes deputetit të Bundestagut dhe Kryemadhit mund të ketë pasur takim.

Berlini i kërkon PD të hyjë në zgjedhje

Një tjetër detaj që tregon se Lëvizja Socialiste për Integrim është shpallur “non grata” nga Berlini zyrtar, ka të bëjë me deklaratën e bërë dje nga deputeti i Bundestagut, Christian Petry. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat i bëri thirrje Partisë Demokratike që të bëjë një hap pas, duke i kërkuar që të mos bojkotojë zgjedhjet vendore por të marrë pjesë në to. Ndërkohë që në asnjë rresht të deklaratës së eurodeputetit gjerman nuk përmendet LSI. “Për mua si deputet, është e vështirë të kuptoj se si mund të bëhet dalja nga Parlamenti, nuk e quaj hap të saktë e të duhur. Është vendim i lirë i çdo grupimi për të marrë pjesë ose jo në zgjedhje. Në qoftë se procesi është sipas ligjit, nuk kuptoj pse të mos merret pjesë në zgjedhje. Unë përkraha idenë se duhet të ketë pjesëmarrje në zgjedhje, sidomos të Partisë Demokratike”, deklaroi ai. Pra, kjo deklaratë e deputetit të Bundestagut gjerman, Christian Petry tregon qartë se Lëvizja Socialiste për Integrim tanimë nuk ekziston për gjermanët.

Gjermania vlerëson reformat

Deputeti i Bundestagut, Christian Petry, i cili njëkohësisht raporton për Shqipërinë në Bundestag, sa i takon situatës politike, pasi është kryetar i Komisionit për çështjet e Bashkimit Europian komentoi ditën e djeshme edhe reformat e qeverisë, sidomos ato integruese. Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Petry vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria, ndërsa nxit vijimin e tyre. “Është mbresëlënëse të shihja se sa shumë energji po shpenzohet për të përmbysur sistemin e drejtësisë, që për mua është me rëndësi historike. Konfirmuam dhe informacionet tona se në sektorë të ndryshëm ka shumë për të bërë: si lufta kundër krimit të organizuar”, deklaroi deputeti i Bundestagut gjerman, Christian Petry.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here