Zërat se brenda Partisë Socialiste po lind një grup kundër kryeministrit Edi Rama po shtohen nga dita në ditë. Prej kohësh ka pasur shumë emra të pakënaqur me kryeministrin, por ish-ministri Ditmir Bushati është ndër të paktit që po e vë në pah diçka të tillë. Dje ai ka sulmuar për të tretën herë qeverinë, duke treguar qartë se ka nisur lëvizjet kundër kryeministrit. Fillimisht sulmoi mazhorancën për qëndrimet që mban ndaj PD e LSI, më pas lëshoi kritika për qëndrimet ndaj Parlamentit holandez, ndërsa dje ka sulmuar në sy Ramën për investimet në Shkodër. Dje Rama ishte në qytetin verilindor në kuadër të turit të bashkëqeverisjes dhe Bushati nuk i kurseu sulmet. “Ky është momenti final për të hapur një dritare të re, një kapitull të ri për Shkodrën që duam. Një kapitull të ri për Shkodrën që duam, që do të thotë Shkodra një qytet me rrugë të përfunduara siç duhet, deri në Velipojë. Me një ndërlidhje mes Shkodrës dhe Ulqinit përmes Bunës.
Në një ndërlidhje mes Shkodrës-Shëngjinit dhe Ulqinit që do ta rivitalizonte shumë pjesën e Europës Adriatik për shkak të potencialit të lartë të saj dhe që do t’i bashkonte më shumë shqiptarët, pavarësisht ku ata jetojnë. Ta nxjerrim liqenin nga gjumi dhe ta bëjmë siç është Buna dhe siç duhet të jetë Buna, por për ta lidhë me pjesën e Malësisë së Madhe, Malit të zi dhe për ta bërë atraksionin kryesorë turistik. Për ta bërë këtë, duhet të përfundojmë dhe të ecim me ritme të shpejta për projektin e Shirokës, siç ka ecur projekti i Velipojës. Shkodra që duam është shumë larg me Shkodrën që është sot për sot”, tha Bushati. Deklaratat e tij erdhën një ditë pas qëndrimeve që mbajti kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një televizion. Ajo thuri elozhe ndaj tre figurave në PS: Ndaj Fatmir Xhafajt, Anastas Angjelit dhe Ditmir Bushatit. Bëhet fjalë për 3 personazhe që janë kundër kryeministrit. Bushati po e tregon hapur, ndërsa Angjeli e Xhafaj në rrethet e tyre miqësore e sulmojnë vazhdimisht kryeministrin. Ata nuk pajtohen me mënyrën se si ai po qeveris dhe po japin sinjale se po krijohet një grup kundër Ramës. Ndërkohë, ka dhe emra nga jashtë që kanë dalë në skenë. Arta Dade ka sulmuar fort Ramën, ndërsa në të njëjtën linjë ka qenë dhe ish-zv/ministrja Irena Beqiraj