Plagoset rëndë në një atentat mafioz 52-vjeçari nga Patosi, dyshohet për çështje hasmërie

0
490

Një atentat i tipit mafioz tronditi mbrëmjen e së premtes qytezën e Patosit, ku shënjestër ishte një 52-vjeçar. Edmond Fezullahu është qëlluar me breshëri automatiku ku dhe mbeti i plagosur rëndë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:15 minuta në unazën e qytezës së Patosit. Fejzullahu ka qenë duke lëvizur me makinën e tij tip ‘Benz’ me targa AA 733 EO kur i është zënë pritë nga persona ende të paidentifikuar. Pasi e kanë ndjekur, autorët kanë qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të xhamit të parë, vendit të drejtuesit të mjetit ku ndodhej Edmond Fejzullahu. Plot gjashtë herë kanë qëlluar autorët në drejtim të 52-vjeçarit, dhe të gjashtë plumbat kanë prekur xhamin e makinës së Fezullahut. Nga të shtënat, atë e kanë kapur dy plumba në gjoks. Pasi zbrazën armën duke menduar se e lanë të vdekur autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja, por 52-vjeçari arriti që të shpëtonte. Menjëherë pasi autorët janë larguar Fezullahu ka shkuar vetë me makinën e tij në drejtim të spitalit të Fierit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Aktualisht ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve në gjendje kritike për jetën, pasi doli nga salla e operacionit. Burime spitalore bëjnë me dije se i plagosuri ka humbur shumë gjak, sipas mjekëve nëse ai do të vonohej dhe disa minuta për të marrë ndihmën mjekësore me shumë mundësi nuk do ja dilte. Pas atentatit menjëherë policia nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Deri tani autorët mbeten mister, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë rreth zonës ku ndodhi atentati. Ndërkohë që pritet të merret edhe dëshmia e të plagosurit mbi konfliktet që mund të ketë pasur për të hedhur dritë mbi ngjarjen. “Sot rreth orës 21:30, shtetasi E. F., 52 vjeç, banues në Patos, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se është plagosur me armë zjarri dhe ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve. Policia po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje”, tha policia menjëherë pas ngjarjes së rëndë.

Hetimet

Hasmëria është pista kryesore që po hetohet nga policia dhe grupi i punës së prokurorisë Fier plagosja që u krye disa orë më parë 52-vjeçarit Edmond Fejzullahu. Rreth orës 21:30 në Patos mbeti rëndë i plagosur me armë zjarri një 52-vjeçar. Personi i plagosur është Edmond Fejzullahu, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal të Fierit. Mësohet se 52-vjeçari, ka marrë dy plumba në kraharor nga 6 që u qëlluan mbi makinën që ai po udhëtonte. Fejzullahu ka pasur një aktivitet privat supermarket në hyrje të Patosit, por për shkak të vrasjes së të vëllait në Itali ai e mbylli aktivitetin e biznesit që kishte në qytezën e Patosit duke u larguar nga qyteza e tij e lindjes. Ndërkohë, që edhe vilën që kishin në unazë të qytetit në Patos pranë lagjes “Dukas” e nxori në shitje. Ai ishte larguar familjarisht nga Patosi për shkak të ndonjë hakmarrje të mundshme dhe nuk dihej se ku banonte, sikur nuk dihet edhe pse kish shkuar mbrëmjen e së premtes në Patos. Sipas grupit hetimor dyshohet se kanë qenë tre personat që kanë marrë pjesë në atentatin ndaj Fejzullahut. Burime thonë se një nga autorët ka mbajtur në vëzhgim të plagosurin dhe i ka dhënë dy autorëve të tjerë informacion mbi lëvizjet e 52-vjeçarit. Supas grupit hetimor dyshohet se autorët janë vrasës me pagesë. Pritet përmirësimi i gjendjes shëndetësore të Fejzullahut për të hedhur dritë më shumë mbi ngjarjen e rëndë që fatmirësisht nuk prodhoi viktima. Pas ngjarjes Policia e Fierit mori të gjitha masat duke ngritur postblloqe në të gjitha kryqëzimet rrugore që të çojnë në daljet e qytetit Patosit, si dhe për Fier, Ballsh, Berat, e Vlorë por pavarësisht masave të marra nuk u bë dot e mundur kapja e autorëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here