Liroi trafikantin kosovar nga paraburgimi, shpallet në kërkim shefi i komisariatit të Kukësit

0
451

Dy muaj pas skandalit të lirimit të trafikantit të drogës Naser Gashi nga policia e Kukësit pas arrestimit, me urdhër të prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda ka lëshuar 4 urdhër arreste për drejtuesit e policisë së qytetit verior. Gjykata caktoi masën e arrestit me burg në mungesë për Agim Bashën, shef i komisariatit në Kukës, nën akuzën e korrupsionit e shpërdorimit të detyrës. Por, policia kur ka shkuar për të ekzekutuar urdhrin e arrestit ndaj Bashës, nuk e kanë gjetur në banesë shefin e komisariatit dhe e kanë shpallur atë në kërkim. Me po të njëjtat akuza gjykata ka lëshuar masën e arrestit me burg edhe për Kujtim Spahiun, vartës i Bashës në komisariat. Gjithashtu për këtë dosje Ferdinand Gjeta, i cili është Drejtor në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Kukës dhe Shkëlzen Ibaj, specialist në Sallën e Komandimit në Drejtorinë e Policisë në Kukës janë lënë në masën e sigurisë detyrim paraqitje. Hetimet ndaj zyrtarëve të policisë së Kukësit nisën pas denoncimit të bërë nga zv/drejtori i hetimit në këtë qark, Shkëlqim Pepkolaj, i cili prej disa ditësh është larguar jashtë vendit, duke kërkuar azil politik bashkë me familjen. Nga hetimet rezultoi se mbrëmjen e 17 tetorit 2018, në pikën kufitare të Morinës, paraqitet në dalje një person me identitetin Samir Bula. Ai udhëtonte me makinën e tij tip Audi me targa 05808 DH, ndërsa si pasagjer Ron Nimani. Policia e ka përzgjedhur Samir Bulën për kontroll në vijë të dytë, pasi kishte dyshime se përdorte dokumente të falsifikuara. Ai është transferuar në Drejtorinë e Policisë së Kukësit, ku i është nënshtruar identifikimit nëpërmjet shenjave të gishtërinjve, nga ku ka rezultuar se personi në fjalë nuk ishte Samir Bula, por Naser Gashi i datëlindjes 1960, nga Kosova, i cili rezultonte i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me 7 vite e 4 muaj burgim.

Të arrestuarit dhe akuzat

Kujtim Spahia, me detyrë specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Kukës, për veprën penale të “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë”, dhe “Falsifikim të dokumenteve, me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”; Agim Basha, në detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kukës, për veprën penale të “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë” parashikuar nga neni 139/ç i Kodit Penal, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ai është shpallur në kërkim, pasi megjithë kërkimet nuk është ndaluar ende; Ferdinand Gjeta me detyrë Drejtor në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, Kukës, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë gjyqësore”; Shkëlzen Ibaj, me detyrë specialist në Sallën e Komandimit në DVKM, Kukës, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Lirimi i Naser Gashit

Naser Gashi, kërkohej nga drejtësia shqiptare pasi ishte dënuar me 7.4 vite burgim. Mbrëmjen e 17 tetorit 2018, Gashi së bashku me shokun e tij Ron Nimani, kanë tentuar të dalin nga Shqipëria në Kosovë, me një makinë “Audi” duke përdorur pikën e kalimit kufitar Morinë. Pikërisht në këtë pikë kufitare, ata i janë nënshtruar kontrolleve, ku Gashi ka paraqitur dokumente identifikuese me emrin Saimir Bula. Si pasojë e dyshimeve të ngritura mbi këto dokumente, është vendosur nga policia kufitare që kosovari të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë Kukës, ku t’i nënshtrohet identifikimit nëpërmjet gjurmëve të gishtave. Por edhe pse u bë identifikimi që personi i shoqëruar nuk ishte Saimir Bula por i shumëkërkuari Nasër Gashi, me një urdhër të dyshimtë Prokurorja Rita Gjati firmosi urdhrin e lirimit të menjëhershëm, vendim i cili u ekzekutua nga Policia në datë 18 tetor. Si për ndalimin por edhe për lirimin e trafikantit, Policia e Kukësit nuk dha asnjë njoftim për mediat, duke e nisur që në atë kohë fshehjen e kësaj ngjarjeje. Skandali i nxjerrjes nga qelia të trafikantit Gashi, madje edhe duke i kthyer pasaportën dhe kartën e identitetit kosovare të falsifikuar me emrin “Saimir Buli”, bëri “kurban” zv/drejtorin e hetimit në Drejtorinë e Kukësit Shkëlqim Pepkolaj, i cili u pezullua nga detyra, duke u vënë në procedim disiplinor. Por pas hetimeve prokuroria lëshoi urdhr arrestet për drejtuesit e komisariatit të Kukësit. Naser Gashi rezulton se është dënuar nga Nertina Kosova më 21 shkurt 2013 me 7 vite e 4 muaj burg për trafik droge, vendim i lënë në fuqi edhe nga Apeli i Krimeve të Rënda.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here