Politika shqiptare dhe njerëzit e drejtësisë duket se janë mbërthyer nga paniku i zbulimit të lidhjeve me dosjet e Sigurimit të Shtetit. Të dhënat për Bujar Sheshin tregun qartë se ish-spiunët e komunizmit janë sot ende në poste shumë të larta. Njerëz të fushës kanë treguar se madje ka dhe nga ata që janë në politikë. Por ditët e fundit po tregohet se do vijë dita që të zbulohen të gjitha lidhjet që ata kanë pasur. Si duket kjo i ka trembur të gjithë, pasi dje janë dhënë sinjale se po synohet asgjësimi i dosjeve. Autoriteti mbi Informimin për Dosjet e Sigurimit është mbërthyer dje nga zjarri. Paradite aty kanë shpërthyer flakët, duke alarmuar Gardën e Republikës dhe stafin e institucionit. Vetë AIDSSH reagoi për mediat, duke thënë se u dogj gjithë rrjeti elektrik, por pa dhënë detaje nëse pati dëme në dokumente. “Në orët e paradites, rrjeti elektrik i ndërtesës ku zhvillon punën Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pati probleme serioze, që përfshinë të gjithë sistemin elektrik të ndërtesës. Autoriteti mori masa të menjëhershme për mbrojtje të dokumentacionit dhe shuarjen e zjarrit dhe njoftoi organet e Policisë së Shtetit, shërbimin e fikjes së zjarrit dhe strukturat e Gardës së Republikës, në mjediset e së cilës ndodhet ndërtesa, të cilët bënë këqyrje të vendit të ngjarjes dhe po vijojnë me procedurat përkatëse. Autoriteti po merr masa të menjëhershme për normalizimin e punës”, tha AIDSSH. Gazeta pyeti pranë shërbimit zjarrfikës dhe ende është duke u hetuar mbi shkaqet e zjarrvënies, pasi nuk përjashtohet mundësia që të jetë dhe i qëllimshëm. Por si për ironi zjarri bie në një periudhë kur ka plasur skandali me dosjet e sigurimit. Fillimisht doli në dritë emri i një prokurori, ndërsa kryetarja Gentiana Sula tha se janë zbuluar dhe 30 zyrtarë të lartë. Po ashtu Autoriteti i Dosjeve do të kërkojë ndryshim të ligjit, me qëllim që të shtrihet verifikim dhe në politikë, duke përfshirë kryetarë bashkie e deputetë. Pra zjarri vjen në një kohë kur kambana e alarmit për shumë emra po bie dhe dyshimet janë se mund të ketë dhe nga ata që po tentojnë të asgjësojnë dosjet. Që shumë vite më parë ka pasur tentativa për të eliminuar të dhënat, ndërsa zjarri i rënë dje është mjaft i dyshimtë.
Precedentët
Historiku për zjarret e rëna në institucionet shtetërore ka treguar se nuk kanë qenë dhe aq rastësore. Më 24 korrik të këtij vitit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ndërsa plasën debatet mbi konfirmimin e tij. Disa javë më pas ambiente e Gjykatës së Lartë u Përfshinë nga zjarri. Në këtë gjykatë janë dhe dosjet për pushtetarët e akuzuar. Më herët ka pasur zjarr në ambientet e policisë shkencore, aty ku policia ruan dhe kryen verifikimin e provave për kriminelët. Së fundmi zjarri ra te Autoriteti i Dosjeve. Fakti që ky zjarr vjen ja javë nga të dhënat që po dalin në dritë, tregon se nuk është aspak rastësore. Dihet që shumë politikanë të vjetër në moshë kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin, ndërsa po ashtu dhe shumë prokurorë e gjyqtarë. Shumë nga këta janë në moshë madhore dhe gjatë regjimit komunist kanë mbajtur disa funksione dhe ku nuk përjashtohet bashkëpunimi me Sigurimin. Pra duket se të gjithë po tentojnë të mbulojnë gjurmët dhe tani synohet djegia e dosjeve. Mbetet të shihet në ditë në vijim çfarë do të thotë shërbimi zjarrfikës mbi shkaqet që sollën zjarrin në ambient e AIDSSH.
Kliti Topalli






































