Muaji qershor pritet të ketë lëvizje të shumta. Përveç vendimit për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, në këtë muaj do të jenë gati edhe kryeprokurori i ri, edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion. SPAK do të jetë organi që do të çojë shumë zyrtarë të lartë pas hekurave, ndërsa në qershor duket se do të nisë puna intensive e tij. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dha dje më shumë detaje për këto dy çështje. Pas përfundimit të aktivitetit “Strategjia për Shkollën e Magjistraturës”, Ibrahimi u shpreh për mediat se në qershor do të jenë gati si SPAK, ashtu edhe kryeprokurori i ri. Sipas tij, për këtë të fundit gara do të hapet në datën 19 mars, ndërsa gjatë kësaj periudhe KLP do të punojë për rregulloren që do të bëjë vlerësimin e kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm. “Gara për Prokurorin e Përgjithshëm do të hapet në datën 19 mars. Në këtë periudhë ne po marrim kohën që na ka dhënë ligji, tre muaj pas konstituimit të organit, në atë datë do të duhet të hapet gara dhe bashkë me garën do të duhet të jetë gati edhe rregullorja dhe metoda e vlerësimit të kandidatëve. Të jesh për herë të parë prokuror i SPAK, një institucion i pritur në 30 vjet nga shqiptarët është një mundësi vërtet unikale. Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK do të jenë gati rreth qershorit besoj, këto janë llogaritë tona”, tha Genti Ibrahimi. Për postin e Prokurorit të Përgjithshëm pretendente është edhe Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, e cila është një ndër personazhet që përmbush të gjitha kriteret. Nga ana tjetër, theksojmë faktin që puna për ngritjen e SPAK ka nisur që në janar, kur edhe u hap gara për aplikime, ndërsa në 7 shkurt afati përfundon. Që nga mesi i shkurtit dhe deri në qershor, nga njëra anë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të ketë kohë për të kaluar në sitë të gjithë kandidatët, ndërsa nga ana tjetër SPAK do të ketë mundësi të konstituohet dhe të bëhet gati për të nisur luftën antikorrupsion në nivele të larta. Ndërkombëtarët kanë kërkuar shpesh që Shqipëria të punojë në këtë drejtim me qëllim hapjen e negociatave. Madje shpesh faktori ndërkombëtar ka ushtruar edhe presion që organet e reja të drejtësisë të ngrihen sa më parë dhe të ketë rezultate të prekshme në luftën antikorrupsion dhe ndëshkimin e politikanëve.
4 aplikime të tjera për SPAK
Teksa Genti Ibrahimi deklaroi dje se Struktura e Posaçme Antikorrupsion duhet të jetë gati deri në qershor, po ditën e djeshme u shënuan edhe katër aplikime të tjera për Prokurorinë e Posaçme. Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja, prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Dritan Prençi dhe prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Shkëlzen Cena dorëzuan dje pranë KLP kandidaturat e tyre, duke e çuar kështu në 11numrin e aplikantëve për SPAK. Kujtojmë që më herët shfaqën interes për të qenë pjesë e strukturave të reja kundër korrupsionit prokurorët Klodian Braho, Anton Martini, Besnik Muçi, Eugen Beci, Doloreza Musabelliu, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi. Të shtatë emrat e fundit vijnë nga Krimet e Rënda, ndërsa pritshmëritë janë që të gjithë prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda të zhvendosen në Prokurorinë Speciale.
Mimoza Ibra










































