Kreu demokrat Lulzim Basha ka nisur dje fushatën dhe ka prezantuar platformën ekonomike të Partisë Demokratike. Platforma e tij është një paketë me 30 masa që kjo forcë angazhohet se do të marrë kur të jetë në pushtet. Në listën e masave të prezantuara janë shfuqizimi i kontratave koncesionare abuzive, renditja e Shqipërisë në listën e 30 vendeve më reformatore në botë, rritje të kufirit për TVSH-në e bizneseve, tatim me kuotë fikse 0.5 % të xhiros vjetore, ndalimi i kontrolleve ndaj bizneseve pas vendosjes së pullës fiskale, ulja e masës së kontributeve të sigurimeve dhe taksë e sheshtë 9 % për investimet e huaja. Basha tha se sistemi ekonomik do të çlirohet nga zaptimi i tregut dhe krimit, duke shtuar se asnjë nga kontratat e qeverisë “Rama” nuk do të zbatohen. Ai deklaroi se çdo kontratë PPP-je do të shfuqizohet dhe asnjë licencë abuzive nuk do të mbetet në fuqi. Basha tha se kur të vijë në pushtet, brenda një afati të shkurtër do të shfuqizojë çdo licencë që nuk justifikohet. “Parashtroj shtyllat e planit ekonomik të Partisë Demokratike. Sistemi ekonomik do të çlirohet nga zaptimi i tregut, nga krimi, oligarkia dhe burokracia. Oligarkia do të ketë të njëjtën luftë si krimi. I bëj thirrje dhe sistemit financiar të ndalin këtë marrëzi. Asnjë prej kontratave të lidhura me qeverinë e Ramës nuk do të zbatohet. Paralajmërojmë sistemin bankar mos i futet kësaj aventure, pasi do të ketë pasoja të rënda. Çdo kontratë PPP-je e lidhur me këta oligarkë do të shfuqizohet. Ky nuk është kërcënim as premtim por vendim. Asnjë licencë e fituar në mënyrë abuzive nuk do të mbetet në fuqi, por do të hetohet nga ligji antimafia. Brenda 100 ditëve të para do të shfuqizojmë çdo licencë që nuk justifikohet”, tha Basha.
Basha afat Ramës
Mbas prezantimit të platformës ekonomike, Basha ka vazhduar takimet me bizneset në Durrës. Ai i ka vënë 15 ditë afat për tu larguar kryeministrit Rama, duke thënë se nëse nuk largohet vetë, do e largojë populli. Basha u shpreh se ka mbaruar koha e fjalëve boshe dhe ka ardhur koha për veprim. “Edi Rama largohu deri në datë 15 sepse në datë 16 populli do të shkulë nga karrigia. Prokuroria të arrestojë Vangjush Dakon, përndryshe populli do ja vërë vetë prangat. Ka ardhur koha që ti lëmë fjalët dhe të veprojmë. Të bashkohemi të gjithë në 16 shkurt, e cila do të jetë dita e bashkimit e të gjithë shqiptarëve. Zoti E bekoftë Durrësin, zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha Basha. Kreu demokrat u tha bizneseve se me ardhjen e tij në pushtet, do të aplikohet taksa e sheshtë 9%. Ai gjithashtu tha se do të kualifikohet krahu i punës dhe shumë qytetar shqiptarë të mos largohen nga vendi. “Sot gjithë ditën kam qenë me biznesin. Kemi patur edhe përfaqësues të industrive prodhuese. Disa prej çështjeve është kualifikimi i krahut të punës. Më të kualifikuarit largohen nga vendi. Problemi nuk është një problem unik, por këtu kjo ka marrë një dimension të madh. 9 për qind taksë e sheshtë”, u shpreh Basha.
Basha mbështet arsimin
Mbas mbështetjes që iu dha bizneseve, Basha e ka përqendruar vëmendjen edhe te studentët. Ai tha se PD ka një program të qartë për arsimin, duke iu bërë thirrje studentëve të qëndrojnë të fortë. “Mos u shkurajoni, me të vërtetë keni 6 javë që qëndroni dhe ai që i ka sjellë universitetet në këtë gjendje hesht, por PD do iu mbështesë, mos u shkurajoni. E di që nuk jeni ngritur vetëm për tarifat, por për rritjen e cilësisë se mësimdhënies. Mos u shkurajoni, PD ju mbështet dhe ka program të qartë për arsimin”, u shpreh Basha.
Elisjeda Kiko








































