Hashim Thaçi: Korrigjimi i kufijve realizohet deri në pranverë

0
561

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vazhduar dje mbrojtjen energjike të idesë së tij për dialogun, duke u shprehur optimist se deri në pranverën e ardhshme do të arrihet marrëveshja me Serbinë, që do të përfshijë korrigjimin e kufijve. Megjithë kundërshtimin e disa prej palëve kryesore të përfshira në çështje, Thaçi tha një intervistë për mediat franceze se ndryshimi i kufijve nuk është ideja fillestare që do të dëshironte të prezantonte, por sipas negociatave të deritanishme, kjo është zgjidhja e vetme e mençur për stabilitetin e dy vendeve. “Marrëveshja do të duhet të përmbajë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Këshillin e Sigurisë së OKB. Ideja ime për korrigjim të kufijve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk do të nënkuptonte arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, në fakt sfidon rreziqe tjera si ai i ndarjes së Kosovës apo themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që nënkupton një ‘Republika Srpska’ brenda në Kosovë”, tha Thaçi, duke bërë krahasimin me republikën serbe në Bosnje.

Kam mbështetje nga Macron, BE, SHBA

Pavarësisht zërave kritikë, Thaçi deklaroi se do ta firmosë marrëveshjen mes dy vendeve për sa kohë BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara do të kenë garancinë e njohjes së Kosovës nga Serbia. “Ideja ime për korrigjim të kufijve do të shmangte për çdo rast rreziqe të tjera të ndarjes së Kosovës prandaj mendoj se është reale dhe do të duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët, dhe e mirëpritur edhe nga bota demokratike”, tha Thaçi. Më herët presidenti ka thënë se presidenti francez Emmanuel Macron mbështet idenë e tij të korrigjimi të kufijve me Serbinë. Ai e takoi liderin francez në samitin e frankofonisë në Armeni. “Presidenti Macron mbështet fuqimisht dialogun Kosovë–Serbi, mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje brenda një kohe të shkurtër dhe mundësinë reale të korrigjimit të kufijve për të përfshirë në Kosovë Preshëvën, Medvegjën e Bujanovcin”, ha Thaçi, duke shtuar se kjo i hap rrugë integrimit Euro-Atlantik të Kosovës. Ai shtoi se kufiri nuk do të korrigjohet në linja etnike, për të ruajtur multietnicitetin e Kosovës. “Kjo marrëveshje sjell stabilitet në rajonin e Ballkanit, e në asnjë moment nuk prodhon të kundërtën. Ata që flasin për ‘kuti të Pandorës, nuk kanë vetë një zgjidhje të qëndrueshme për të propozuar” tha Thaçi.

Brnabiç: Mjaft fole për Preshevën, durimi ka fund

Kryeminstrja serbe, Ana Brnabiç ka reaguar dje ndaj komenteve të vazhdueshme të Thaçit, duke kërkuar që përfaqësuesit e Kosovës që të ndalojnë së foluri për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. “Më mirë është të flitet se si mund të përmirësohen raportet mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se si të arrihet një kompromis”, tha Brnabiç, cituar nga mediat serbe, pas komentit të presidentit Hashim Thaçi për mbështetjen e presidentit francez Emmanuel Macron lidhur me mundësinë e korrigjimit të kufijve. “Më duhet të them se duhet të ndalojmë së foluri këto gjëra pasi që nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe ju lutem të mos shkojnë edhe më tutje, ndoshta pretendojnë territore edhe më në qendër të Serbisë, çdo gjë ka një kufi”, ka thënë ajo, duke shtuar se Serbia po mundohet të tregohet fleksibile, e durueshme dhe tolerante në dialog. Brnabiç nuk kundërshtoi tërësisht idetë e Thaçit, por ashtu si dhe opozicioni ndaj tij në Kosovë, ka të bëjë me natyrën e palëkundur personale ndaj një çështjeje kaq delikate. Thaçi nuk ka zbuluar për kolegët apo publikun detajet sesi do të realizojë masterplanin e tij, që siç thonë kritikët deri tani është hartuar vetëm korridoreve dhe gjatë takimeve private me presidentin serb Alexandar Vuçic./ Andi LAMKO

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here