Vetingu në politikë, PS nis në Venecia propozimin e opozitës, nuk ka votim në Parlament brenda këtij viti

    0
    585

    Partia Socialiste do të nisë ditën e sotme tek Komisioni i Venecias draftin e propozuar të opozitës për veting në politikë. I pari që paralajmëroi një gjë të tillë ishte vetë kryeministri Edi Rama pak ditë më parë në një intervistë televizive. Edhe në mbledhjen e përbashkët mes Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, ku u diskutua për herë të parë për propozimin e Partisë Demokratike, anëtarët socialistë përsëritën që më parë do të kërkohet një opinion nga Komisioni i Venecias. Sipas burimeve të sigurta të gazetës, këto nuk kanë mbetur vetëm deklarata dhe paralajmërime sepse sot drafti i opozitës është nisur drejt Komisionit të Venecias në Strasburg. Gazeta ka arritur të mësojë se Kuvendi ka mbaruar përkthimin e plotë të propozimit të Partisë Demokratike dhe gjatë kësaj të marte do t’iu përcillet ekspertëve të Venecias përmes postës si edhe në mënyrë elektronike. Socialistët e konsiderojnë si mjaft të rëndësishëm marrjen e mendimit edhe nga Komisioni i Venecias, duke qenë se ky i fundit ka patur një rol të veçantë e të rëndësishëm përgjatë diskutimeve për reformën në drejtësi dhe duke qenë se për PS, nisma e opozitës po bëhet vetëm për të penguar reformën dhe skanimin nga SPAK dhe BKH.

    “Digjet” votimi në Parlament brenda 2018

    Teksa pritet që brenda ditës së sotme ekspertët e Komisionit të Venecias të marrin në dorë draftin e opozitës për veting në politikë, duhet theksuar fakti se tentativat e PD-LSI për ta futur dhe votuar sa më parë në Parlament këtë nismë kanë dështuar. Kthimi i përgjigjes nga ana e Komisionit të Venecias pritet të marrë kohë deri në dhjetor sepse ky është edhe muaji kur ky komision zhvillon seancat plenare. Por në dhjetor Kuvendi merr pushimet e fundvitit, çka do të thotë se brenda vitit 2018 propozimi i Partisë Demokratike nuk mund të hyjë në rendin e ditës të seancave plenare për tu votuar. Gjatë këtyre 2 muajve e gjysmë pritet që Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve në mbledhjet e tyre të përbashkëta të vijojnë me seancat dëgjimore me grupet e interesit për nismën e opozitës. Siç duket edhe ky proces do të marrë diku tek 10 javë kohë, që do të thotë se pamundëson votimin në Parlament të nismës brenda këtij viti. Drafti i opozitës pritet të shqyrtohet dhe votohet në Parlament në fillim të vitit të ardhshëm dhe në bazë edhe të mendimit që do të sjellë edhe Komisioni i Venecias, mazhoranca do të vendosë nëse do ta pranojë vetingun në politikë apo do ta rrëzojë. Duke deklaruar se vetingu në politikë është një emergjencë kombëtare, opozitarët kërkuan me ngulm që amendamentet e paraqitura prej tyre t’i shkojnë Parlamentit brenda javës. “Kemi emra konkret, do të duhet t’ia bëjmë të ditur publikut ne. S’ka nevojë për kalendar dhe për strategji për ta çuar në kalendet greke. S’ka nevojë të thërrasësh Venecian. Axhendën e duan shqiptarët. Çfarë motivi na shtyn ne për të kërkuar veting? Është nevoja ulëritëse për këto raste”, tha Enkelejd Alibeaj pak ditë më parë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit. Por për deputetët e Partisë Socialiste, kjo kërkesë e deputetëve të opozitës binte ndesh me Kushtetutën sepse më parë duhej përcaktuar një kalendar seancash dëgjimore.

    Mimoza Ibra

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here