Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e shqiptarit i cili u vra në zemër të Brukselit pak ditë me parë. Pak pas tij, po në Bruksel u vra edhe një polic belg, ndërsa hetuesit dyshojnë se autorët e këtyre dy ngjarjeve kriminale janë të njëjtët persona. Mediat belge shkruajnë se shqiptari është qëlluar me tetë plumba, ndërsa autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja.
Po atë të hënë në mbrëmje, polici i Brukselit, Nordine El Talbi, ishte qëlluar për vdekje ndërsa po mbikëqyrte një automjet të parkuar në bulevardin Carton de Wiart. Ky automjet ishte vjedhur më herët gjatë mbrëmjes, nëpërmjet një grabitjeje me dhunë të automjetit, në Tubize.
Hetimi përmes kamerave të sigurisë thuhet se ka bërë të mundur identifikimin e autorëve, të cilët më pas janë arrestuar në Spanjë dhe Francë. Prokuroria e Brukselit nuk ka pranuar as të konfirmojë dhe as të mohojë këto informacione, për të mos cenuar interesat e dy hetimeve.
Një vrasje për larje hesapesh?
Familja e shqiptari të vrarë e ka mësuar lajmin nga mediat dhe jo nga një informacion zyrtar nga autoritetet. Avokatja e cila përfaqëson famijen e shqiptarit ka deklaruar se gjithçka është e paqartë, por theksoi se familja është e kënaqur që hetimet po përparojnë dhe se është bërë e mundur kapja e disa të dyshuarve.
“Familja e viktimës po i mëson këto informacione nga mediat dhe jo nga një njoftim zyrtar. Mund ta imagjinoni se sa e rëndë është kjo për ta. Në këtë dosje ka shumë pak konsideratë ndaj viktimave.
Fakti që prokuroria nuk dëshiron t’i konfirmojë këto informacione i zhyt klientët e mi edhe më shumë në pasiguri. Nuk dimë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Gjithçka është e paqartë.
Kjo është edhe më shqetësuese duke pasur parasysh se në komunikimet e para ishte bërë e ditur se dy ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Megjithatë, familja është e kënaqur që hetimet po përparojnë dhe se është bërë e mundur kapja e disa të dyshuarve. Ngjarjet janë veçanërisht tronditëse nëse hetimet konfirmojnë përfshirjen e tyre”, deklaroi për median avokatja Ofelia Avagian, e cila përfaqëson interesat e familjes së Redjan Z.
Mediat belege shkruajnë se shqiptari nuk ishte i njohur për shërbimet policore dhe kishte një dëshmi penaliteti të pastër. Hipoteza që po merret më shumë në konsideratë në këtë fazë është ajo e një vrasjeje për larje hesapesh në botën e trafikut të lëndëve narkotike. Përpara datës fatale të 12 tetorit, Redjan Z. kryente udhëtime të shpeshta vajtje-ardhje mes Belgjikës dhe vendit të tij të origjinës, Shqipërisë.












































