Google search engine
Home Kulture Ekspozita “L’Italia che sognavamo” në Tiranë, Elton Koritari: Nga Neorealizmi tek ëndrrat...

Ekspozita “L’Italia che sognavamo” në Tiranë, Elton Koritari: Nga Neorealizmi tek ëndrrat e Fellinit, një udhëtim në prapaskenat e kinemasë

0
25

Nga Julia Vrapi

Fotografi nga prapaskenat e kinemasë italiane të shekullit XX, imazhe të aktorëve, regjisorëve dhe momenteve të krijimit të filmave, një Itali e parë përmes objektivit të fotografëve dhe e përjetuar nga shqiptarët përmes ekranit. Kjo është ajo që sjell ekspozita fotografike “L’Italia che sognavamo”, e cila u prezantua më parë në kuadër të TIFF- Tirana International Film Festival 2026 dhe tashmë vijon rrugëtimin e saj në hapësirat e jashtme të Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit.

Kuratori Elton Koritari e sheh ekspozitën si një udhëtim përmes mënyrës se si fotografia dhe kinemaja italiane kanë ndërtuar një mënyrë të veçantë të të parit. Përmes fotografive, ekspozita sjell në vëmendje transformimin e objektivit, nga neorealizmi te ëndrra e Fellinit dhe prapaskenat ku ndërtohej kinemaja. “Ka një gjest që rikthehet vazhdimisht në fotografinë e skenës: dikush kthen kokën. Një grua përshkon një shesh të mbushur dhe një turmë burrash rrotullohet për ta shikuar.

Një regjisor kthehet drejt objektivit, i habitur edhe ai, ndërsa një paparac e godet me blic. Kjo ekspozitë lind nga ai gjest, sepse kinemaja italiane e shekullit të njëzetë nuk është vetëm kinematografi: është ushtrimi më i madh i shikimit që një vend ka bërë mbi vetveten. Nga e vërteta e neorealizmit tek ëndrra e Fellinit, ky është një udhëtim në të cilin objektivi ndryshon dy herë natyrë, ashtu si edhe fotografitë e kësaj ekspozite e dëshmojnë atë ndryshim jo nga salla e kinemasë, por nga prapaskena: nga vendi ku ëndrra ndërtohej”, shprehet  Elton Koritari.

Ekspozita fotografike, e prezantuar më parë nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë në kuadër të Tirana International Film Festival 2026, vjen e kuruar nga Elton Koritari dhe Brunella Garavini, me konceptim ekspozitiv nga EJAlbum, në bashkëpunim me Comune di Cesena, Biblioteca Malatestiana dhe Centro Cinema Città di Cesena, si dhe me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Tiranë.

Italia e ëndërruar përmes ekranit dhe kujtesës së shqiptarëve

Ekspozita “L’Italia che sognavamo” (Italia që ëndërronim) vijon të prezantohet në Tiranë, duke sjellë përmes fotografive pamje nga kinemaja italiane dhe prapaskenat e saj. Kuratori Elton Koritari ndalet te lidhja e ekspozitës me përvojën e shqiptarëve gjatë diktaturës, kur Italia për shumë breza u perceptua përmes ekranit si një vend i largët dhe i dëshiruar.

 “Ka gjithashtu një arsye pse ky udhëtim bëhet pikërisht në Tiranë, dhe pikërisht jashtë, në zemër të qytetit. Për shumë breza shqiptarësh, kinemaja dhe televizioni italian qenë një dritare e ndaluar mbi bregun tjetër të Adriatikut: shtatëdhjetë kilometra det dhe një ekran i kapur fshehurazi qenë e vetmja gjë që ndante dhe bashkonte dy popujt. Italia, para se të bëhej destinacion, qe një imazh, i ndriçuar, i dëshiruar, i ëndërruar.

 Ishte një shikim i njëanshëm. Prandaj këtu ekspozohet pikërisht Italia që shqiptarët shikonin gati të verbuar gjatë errësirës së diktaturës, dhe njëherësh vetë mekanizmi që e prodhoi atë verbim”, vijon ai. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në hapësirat e jashtme të AQSHF deri në datën 23 tetor.

 Përmes kësaj ekspozite, publiku në Tiranë mund të njohë një tjetër dimension të kinemasë italiane, përmes imazheve që dokumentojnë jo vetëm filmat, por edhe procesin dhe atmosferën e krijimit të tyre. Ekspozita i shtohet jetës artistike të kryeqytetit, duke krijuar një hapësirë takimi mes fotografisë, kinemasë dhe kujtesës kulturore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here