Në vitin 1944, Gjon Mili vendosi përballë kamerës disa prej figurave më të mëdha të jazz-it amerikan dhe realizoi “Jammin’ the Blues”, vetëm dhjetë minuta film që do të mbeteshin në historinë e kinemasë. Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” sjell në vëmendje një tjetër projekt të Gjon Milit.
Në materialin e muzeut thuhet, se Lester Young, Harry “Sweets” Edison, Illinois Jacquet, Barney Kessel, Jo Jones, “Big” Sid Catlett, Marie Bryant e të tjerë shfaqen jo thjesht si muzikantë që interpretojnë “Jammin’ the Blues” , por si pjesë e një kompozimi të jashtëzakonshëm të dritës, hijes, ritmit dhe lëvizjes.
“Dekada më vonë, The New Yorker do të vlerësonte mënyrën se si Mili i kompozoi muzikantët brenda kuadrit me një finesë dhe zgjuarsi vizuale të jashtëzakonshme, ndërsa kritiku Richard Brody do ta cilësonte hapjen e Jammin’ the Blues si “one of the neatest hat tricks in all cinema”. Filmi u nominua për Academy Award dhe në vitin 1995 u përzgjodh për t’u ruajtur në National Film Registry të Shteteve të Bashkuara, si një vepër me rëndësi kulturore, historike dhe estetike.
Në “Jammin’ the Blues”, Gjon Mili bëri me kamerën e filmit atë që kishte bërë me fotografinë: i dha formë kohës, e bëri ritmin të dukshëm dhe lëvizjen të paharrueshme”, thuhet nga muzeu. Më herët te muzeu “Marubi” në Shkodër u hap dhe ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” që shënon një moment të rëndësishëm për historinë e fotografisë në Shqipëri, duke prezantuar për herë të parë një koleksion origjinal të veprës së Gjon Milit, një prej figurave më novatore të fotografisë së shekullit XX.
Me vepra nga arkivi i Howard Greenbeg Gallery, ekspozita sjell fotografi dhe materiale arkivore që dëshmojnë transformimin e fotografisë nga medium dokumentues në një hapësirë eksperimentimi me kohën, dritën dhe lëvizjen.









































