Home Kulture Liria përballë kontrollit, “1984” e Orwellit sjell në skenë realitetin e një...

Liria përballë kontrollit, “1984” e Orwellit sjell në skenë realitetin e një bote nën mbikëqyrje

0
11

Nga Julia Vrapi

“1984”, vepra e njohur e George Orwell, vjen në skenën shqiptare si premierë, në një vënie të re që rikthen në qendër lirinë, kontrollin dhe luftën për të vërtetën. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në bashkëprodhim me teatrin “Migjeni”, e sjell veprën “1984” me regji të Dino Mustafić dhe dramatizim të Jeton Nezirajt. “1984” vjen në skenë jo si një histori për një të ardhme të largët, por si një vepër që i flet drejtpërdrejt kohës në të cilën jetojmë. Në një realitet të karakterizuar nga mbikëqyrja e vazhdueshme, kontrolli i informacionit, manipulimi i gjuhës, teknologjia dhe normalizimi i frikës, bota e Orwellit duket gjithnjë e më pak si një paralajmërim dhe gjithnjë e më shumë si një pasqyrë e së tashmes. Interpretojnë në role: Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, Eva Gjika, Jozef Shiroka, Adriana Tolka, Nikolin Ferketa.

Në qendër të historisë është Uinston Smith, një punonjës i Ministrisë së së Vërtetës, detyra e të cilit është të rishkruajë historinë në përputhje me versionin e kërkuar nga pushteti. Por Uinston fillon të dyshojë, të kujtojë dhe të kërkojë të vërtetën e tij. Dashuria e fshehtë me Xhulian bëhet akti i tij i parë i rebelimit dhe përpjekja për të ruajtur një hapësirë intime që regjimi nuk mund ta kontrollojë. Por në botën e “1984”, asgjë nuk është private. Shfaqja do të prezantohet më 16, 17, 18 dhe 22, 23, 24, 25 tetor, ora 20:00, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Muzika Endri Sina, kostumet Sofi Kara, skenografia Beqo Nanaj, koreografia Gjergj Prevazi, audio-vizual Florian Haxhihyseni.

Vepra e Orwell

Në vënien skenike të Dino Mustafić, “1984” nuk vjen si një përshtatje e drejtpërdrejtë e ngjarjeve të romanit. Sipas njoftimit të teatrit, një ansambël i vogël aktorësh ndërton përpara publikut të gjithë universin e Orwellit, duke kaluar vazhdimisht nga qytetarë në autoritete, nga viktima në ekzekutorë, nga individë në pjesë të një sistemi. “Kështu, kufiri mes atij që kontrollon dhe atij që kontrollohet bëhet gjithnjë e më i paqartë. Në këtë version, Big Brother nuk është vetëm një personazh. Ai është një sistem që funksionon përmes gjuhës, frikës, informacionit dhe, mbi të gjitha, përmes pjesëmarrjes së vetë individëve”, thuhet në njoftimin e teatrit. Në qendër të kësaj vënie janë disa prej konflikteve kryesore të veprës së Orwellit, mes kujtesës dhe fshirjes, të vërtetës dhe manipulimit, intimitetit dhe kontrollit, si edhe gjuhës dhe heshtjes. ““1984” na kujton se liria nuk humbet domosdoshmërisht në një moment të vetëm dramatik.

Ajo mund të gërryhet pak nga pak, përmes frikës, kompromiseve, lodhjes, shpërqendrimit dhe pranimit gradual të asaj që dikur do të dukej e papranueshme. Në një kohë kur e vërteta bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme dhe realiteti gjithnjë e më i negociueshëm, “1984” është një thirrje për të parë, për të dyshuar dhe për të mos hequr dorë nga e drejta për të menduar. Sepse pyetja që shfaqja i drejton publikut nuk i përket vetëm botës së Orwellit: Sa nga liria jonë mbetet vërtet e jona, kur edhe mendimet tona mund të vëzhgohen, manipulohen dhe kontrollohen?”, vijon njoftimi rreth shfaqjes. Shfaqja ndërthur konceptin regjisorial të Dino Mustafić me një estetikë bashkëkohore skenike, ku muzika, lëvizja dhe imazhi plotësojnë gjuhën artistike të produksionit. Premiera e “1984” pritet të nxisë një diskutim të gjerë mbi çështjet që ngre vepra, veçanërisht në kontekstin e një bote që po përjeton ndryshime të shpejta dhe të vazhdueshme. Në këtë kuadër, synohet që vepra të kapërcejë kontekstin lokal dhe të krijojë mundësi komunikimi me publikun dhe profesionistët e skenës ndërkombëtare.

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here