Google search engine
Home Kulture “Tano Fest” nën kritika, aktori Muharrem Hoxha: Shkodra është djepi i humorit,...

“Tano Fest” nën kritika, aktori Muharrem Hoxha: Shkodra është djepi i humorit, por sot mungon kontrolli mbi nivelin artistik të shfaqjeve

0
13

Festivali mbarëkombëtar i humorit “Tano Fest” në Shkodër u zhvillua edhe këtë vit, duke sjellë në teatrin “Migjeni” komedi të ndryshme që ishin në skenë gjatë netëve të tij.  Por zhvillimi i tij ka nxitur edhe reagime dhe diskutime mbi gjendjen e humorit shqiptar dhe cilësinë e shfaqjeve që prezantohen para publikut. Aktori i njohur i humorit Muharrem Hoxha “Mjeshtër i madh” ka shprehur kritika për nivelin artistik të shfaqjeve, duke vënë në dukje një përzgjedhjeje më të kujdesshme të trupave pjesëmarrëse. Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, përmes një videoje ku flet për festivalin, aktori i humorit Muharrem Hoxha shprehet se Shkodra ka një traditë të veçantë në humor dhe se shfaqjet e prezantuara në këtë edicion nuk e kanë përfaqësuar siç duhet këtë traditë.

“Shkodra njihet për humorin, është djepi. Edhe Durrësi ka pasur humor, por si Shkodra në asnjë mënyrë. Shkodra është djepi i kulturës dhe i sportit. Më falni, por për mua kjo është dështim i shfaqjeve që kanë ardhur”, shprehet aktori ndër të tjera në reagimin e tij. Hoxha e lidh këtë situatë me mungesën e kontrollit dhe të një përzgjedhjeje paraprake të trupave pjesëmarrëse, duke kujtuar se në edicionet e mëparshme festivali ka pasur një tjetër atmosferë dhe pjesëmarrje të publikut. “Kur bëhet pa kontroll kështu vjen. Duhet të shkosh t’i shohësh trupat dhe një komision, vjen nuk vjen.  Vjet dhe parvjet festivali është bërë me humor, shikoje edhe sallën plot”, vijon aktori.

Të shkruhet për problemet

Duke u ndalur te gjendja e humorit shqiptar, aktori Muharrem Hoxha shprehet se mungesa e kontrollit mbi materialet dhe përzgjedhjen artistike ka ndikuar në cilësinë e humorit që prezantohet sot. “Gjithçka nis nga mungesa e kontrollit. Çdo gjë duhet një kontroll. Dikur ishim ne dhe kishte një kontroll të rreptë, por megjithatë arrinim të kalonim. Ndërsa tani gjithçka bëhet pa kontroll. Shkruajnë, marrin materiale, i përkthejnë. Por ka aktorë të mirë, këtë e them sinqerisht”, vijon ai. Aktori Muharrem Hoxha u drejton një këshillë dhe të rinjve që merren me humor, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të problematikave dhe përkushtimit ndaj krijimtarisë. “Është mirë që të shkruajnë për problemet që ka qyteti i tyre.

Por tani s’ka. Dikur bënte estrada e Durrësit, por trajtonim problemet tona, ndërsa Shkodra trajtonte problemet e veta.  Të rinjtë janë me talente, por shpeshherë e kanë mendjen kam një projekt këtu, një tjetër atje. Janë të pa përqendruar, mbase e kanë dhe nga halli se ku të shkojnë”, vijon aktori. Ndër të tjera, Hoxha vlerëson nismën për organizimin e festivalit në Shkodër, duke theksuar se ajo që ka rëndësi është rikthimi i humorit cilësor në skenë. “Për festivalin ka iniciativë, mirë ishte ajo që u bënte me humor”, thotë aktori në videon e publikuar në faqen Shkodrazone.

Muharrem Hoxha është një nga emrat e njohur të humorit shqiptar dhe një prej figurave të spikatura të Estradës së Durrësit. Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, ai ka interpretuar në dhjetëra role në skenën e humorit, duke u dalluar për interpretimin karakteristik dhe kontributin në traditën e humorit shqiptar. Festivali “Tano Fest” u mbyll mbrëmjen e së shtunës në Shkodër. Ai nisi mbrëmjen e datës 14 dhe vijoi deri në 21 nëntor për publikun në skenën e teatrit “Migjeni”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here