Google search engine
Home Kulture Veprat e artit si udhëtim në kohë, ekspozita “Përtej kufijve të kujtesës”...

Veprat e artit si udhëtim në kohë, ekspozita “Përtej kufijve të kujtesës” sjell krijime të realizuara 20 vite më parë

0
25

Një reflektim mbi kujtesën, kohën dhe udhëtimin e veprave të artit vjen përmes ekspozitës “Beyond the Limits of Memory -Përtej kufijve të kujtesës”. Ekspozita prezanton një cikël krijimesh të artistit Mikel Temo të realizuara rreth 20 vite më parë, të cilat pas një qëndrimi të gjatë në Kanada dhe ekspozimit në hapësira të ndryshme artistike, prezantohen për herë të parë në Shqipëri.

Përmes gjuhës së artit abstrakt, ekspozita sjell një tjetër këndvështrim mbi kujtesën, jo si një arkiv i pandryshueshëm i së kaluarës, por si një proces i vazhdueshëm zbulimi dhe interpretimi. “Beyond the Limits of Memory -Përtej kufijve të kujtesës” është dhe një nga ekspozitat e reja që u hap këtë nëntor në Tiranë në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve, duke u bërë dhe pjesë e jetës artistike. Ekspozita vjen në vijim të aktivitetit të artistit Mikel Temo, i cili këtë herë sjell në vëmendje rrugëtimin e 16 pikturave të krijuara rreth dy dekada më parë. “Veprat e artit udhëtojnë. Ato paketohen, mbështillen, transportohen, ruhen dhe, pas një kohe, rishfaqen në një hapësirë tjetër. Por udhëtimi i tyre nuk është vetëm fizik. Është edhe një udhëtim në kohë, në kujtesë dhe në kontekste të ndryshme interpretimi.

Gjashtëmbëdhjetë pikturat e kësaj ekspozite janë krijuar rreth njëzet vjet më parë. Pas një qëndrimi të gjatë në Kanada dhe një udhëtimi nëpër hapësira të ndryshme ekspozimi, ato paraqiten për herë të parë në Shqipëri. Kthimi i tyre nuk është thjesht një rikthim gjeografik. Është një takim i ri me kohën, me hapësirën dhe me publikun”, shprehet piktori. Mikel Temo ndalet edhe te simbolika e paketimit të veprave të artit, duke e lidhur atë me kohën, kujtesën dhe ruajtjen e asaj që nuk është parë prej kohësh. “Paketimi, në këtë kontekst, merr një kuptim përtej funksionit të tij praktik. Ai bëhet metaforë e kohës që ka kaluar, e asaj që është ruajtur dhe e asaj që ka mbetur jashtë vështrimit. Mbështjellja fsheh, por njëkohësisht mbron mundësinë e zbulimit. Ajo që qëndron brenda saj nuk është domosdoshmërisht e njëjta gjë me atë që kujtojmë”, thotë ai.

Publiku lexues i imazhit dhe pjesëmarrës në ndërtimin e kuptimit të tij

Ekspozita “Beyond the Limits of Memory -Përtej kufijve të kujtesës” u hap mbrëmjen e 20 nëntorit, duke sjellë këtë herë për publikun krijime të artistit Mikel Temo. Artisti Temo thekson se kujtesa dhe interpretimi i veprave ndryshojnë me kalimin e kohës, ndërsa publiku luan një rol të rëndësishëm në mënyrën se si ato përjetohen dhe kuptohen. “Kujtesa nuk është një arkiv i paprekur. Ajo përzgjedh, mbivendos, fshin dhe ruan fragmente. Nuk na kthen gjithmonë te origjina, por na ofron mundësinë e një leximi tjetër. Prandaj, zbulimi i veprave nuk është rikthim në të kaluarën, por krijimi i një marrëdhënieje të re me të. Edhe artisti udhëton, duke marrë me vete laboratorin e tij krijues, përvojën e fituar dhe gjithçka që ende mund të zbulojë.

Vepra, ndërkaq, nis një jetë tjetër përmes vështrimit të atyre që e takojnë. Ajo nuk i përket më vetëm historisë së krijimit të saj. Publiku bëhet njëkohësisht lexues i imazhit dhe pjesëmarrës në ndërtimin e kuptimit të tij”, shprehet ai. Ekspozita “Beyond the Limits of Memory” i shton një tjetër hapësirë dialogu jetës artistike të Tiranës, duke sjellë para publikut krijimtarinë e Mikel Temos dhe një cikël veprash. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 nëntor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here