Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore vijon rrugëtimin në skenat ndërkombëtare. Këtë mbrëmje Ansambli Popullor do të ngjitet në skenën e Edinburgh-ut, në Skoci, për të prezantuar pasurinë dhe bukurinë e trashëgimisë sonë kulturore në skenën ndërkombëtare.
Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit shprehet se pas suksesit në Londër, korrikun e këtij viti, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore udhëton drejt Edinburgut, në Skoci, ku do të sjellë spektaklin “Albania Through Byron’s Eyes”, një festë të muzikës, valleve, kostumeve dhe traditave tona kombëtare. “Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, përmes programit kombëtar CulturALB dhe në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), mbështet këtë rrugëtim ndërkombëtar, si pjesë e angazhimit për promovimin e artit shqiptar, zgjerimin e pranisë së institucioneve tona kulturore në skenat europiane dhe forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare”, shprehet Gonxhja në rrjete sociale.
Spektakli organizohet nga Empowered Women of Diaspora, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, duke sjellë për herë të parë në skenën skoceze pasurinë artistike të Ansamblit tonë Kombëtar. Nën titullin “Albania Through Byron’s Eyes”, kjo paraqitje artistike ndërthur trashëgiminë shqiptare me frymëzimin që Shqipëria dhe kultura e saj i dhanë poetit të madh Lord Byron. Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori, ku pas këtij prezantimi në Skoci të tjera koncerte do të zhvillojë në aktivitetin artistik.










































